2014-07-11 14:28:19

Imzot Toso: gjithnjë e më tepër vëmendje për mësimet shoqërore të Papës Françesku


Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, në bashkëpunim me Sekretarinë e Shtetit, mban sot e nesër , në Shtëpinë Piu IV në Vatikan, një seminar ndërkombëtar, gjatë të cilit analizohet mendimi i Papës Françesku për “një ekonomi gjithnjë e më gjithëpërfshirëse”, shprehur në Thirrjen Apostolike “Evangelii Gaudium”. Në seminar marrin pjesë rreth 70 vetë, eksponentë institucionesh ndërkombëtare, universitetesh dhe përfaqësues të firmave të mëdha e të shoqërisë civile. Pikërisht mbi idenë-bazë të seminarit, intervistuam sekretarin e dikasterit për Drejtësinë dhe Paqen, imzot Mario Toso:RealAudioMP3
Para së gjithash, Thirrja Apostolike “Evangelii Gaudium” e Papës Françesku hap perspektiva, që na nxisin t’i thellojmë e t’i shndërrojmë në projekte ekonomike. Ka pasur interpretime të gabuara, njerëz që e kanë akuzuar Atin e Shenjtë për marksizëm, prandaj duhet shpjeguar se propozimi për një “ekonomi gjithnjë e më gjithëpërfshirëse” nuk do të thotë të heqim dorë nga ekonomia e tregut, por ta vlerësojmë atë dhe aspektet e saj pozitive; duhet shpjeguar gjithashtu se “ekonomia që vret”, për të cilën flet Papa, - e fatkeqësisht, ka pasur shumë afaristë dhe punëtorë të pushuar nga puna, që kanë vrarë veten – nuk është e gjithë ekonomia, por vetëm ajo, që ka idhull paranë, që e konsideron punën faktor, në varësi nga mekanizmat financiare e monetare.
A mund të na thoni cilat janë pikat kryesore të ndërhyrjes suaj të sotme në seminar?
Pika e parë kryesore është mendimi se globalizimi ka vënë në lëvizje një proces konvergjimi të të ardhurave të mesme në vendet e varfëra drejt vendeve më të pasura, por, njëkohësisht, i ka shtuar pabarazitë ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë botërore. Këto dy fenomene janë bij të të njëjtit revolucion, pra, të tregut që globalizohet duke thelluar humnerën ndërmjet rendimentit të shkollave dhe duke i vënë në konkurrencë punëtorët me paga të ulta të vendeve të varfëra me punëtorët me paga të larta të vendeve të pasura. Pika e dytë: po përjetojmë një tranzicion të gjatë, që premton shumë, pavarësisht se problemet janë të ndërlikuara. Shpresohet që nga “bota e vjetër”, e copëzuar me kufij kombëtarë, të arrijmë në një “botë të re”, të populluar nga një familje e vetme njerëzore. Pika e tretë: problemi ekonomik me të cilin janë marrë tradicionalisht ekonomistët, është vetëm një përmasë e krizës së sotme. Duhet të sigurohemi që zhvillimi ekonomik të respektojë ambientin, – e kjo është përmasa ekologjike – të mos prodhojë kriza dramatike financiare – e kjo është përmasa financiare – e të mos mos ekzistojë mosbarazim ndërmjet Prodhimit të Brendshëm Brut e mirëqënies.
Në seminar marrin pjesë edhe eksponentë të institucioneve ndërkombëtare, akademike, por edhe përfaqësues të botës së afaristëve e të shoqërisë civile. Kjo flet për interesin e madh, që kanë zgjuar propozimet e Papës Françesku në “Evangelii Gaudium”…
Duhet të them se përsa i përket kësaj nisme, pra seminarit, ka pasur shumë kërkesa për pjesëmarrje, madje mund të them një lloj sulmi. Shumë dëshironin të ishin të pranishëm në këtë seminar, në të cilin, në një çast të caktuar, do të marrë pjesë edhe Ati i Shenjtë. Kjo do të thotë se ka interes të madh për Magjisterin shoqëror të Papës Françesku, interes, që varet, ndër të tjera, edhe nga problemet e mëdha të shtruara për zgjidhje, të cilat kërkojnë jo vetëm botëkuptim të ri, por edhe planifikim të madh në nivelin ekonomik e politik. E dimë se kriza e sotme është shkaktuar nga fakti se financa e sundon politikën e se kjo e fundit nuk është në gjendje të japë direktiva, të mendojë politika financiare të tilla, sa ta detyrojë financën të vihet në shërbim të së mirës së përbashkët.
Zëri i Papës dëgjohet gjithnjë e më shumë. Kjo konfirmohet edhe nga ky simpozium…
Po, sepse është zë, që interpreton nevojat e njerëzve, të popujve, të familjes njerëzore, si përsa u përket çështjeve ekonomike, ashtu edhe për ato, që kanë të bëjnë me paqen e zhvillimin e qëndrueshëm… Të gjitha këto çështje ndërthuren e varen nga njëra-tjetra. Prandaj, duhet të kemi një vizion gjithëpërfshirës mbi problemet, faktorët, vlerat dhe, nga ana tjetër, të jemi të aftë të projektojmë risi e të përgatisim njerëz të rinj, të gatshëm ta jetojnë protagonizmin e tyre ekonomik, shoqëror e politik me përgjegjësi të madhe për të mirën e përbashkët e drejtësinë shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.