2014-07-10 13:45:33

Presidenti i ri i IOR-it flet për të ardhmen e Institutit


Presidenti i ri i Institutit për Veprat Fetare (IOR), i njohur si “Banka e Vatikanit”, u ftua sot nga Radio Vatikani për të shpjeguar fazën e re, në të cilën kanë hyrë financat e Selisë së Shenjtë. Jean-Baptiste de Franssu foli për ndryshimet në vijim dhe për hapat e bëra në reformën e brendshme të Institutit, menjëherë pas konferencës së djeshme për shtyp, gjatë së cilës ato u paraqitën. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme të falenderoj paraardhësin tim, Ernst von Freyberg, për punën e bërë në këtë bankë. Ju e dini se shumë gjëra janë realizuar gjatë 18 muajve të fundit në fushën e transparencës, në përshtatjen me rregullat e standartet ndërkombëtare e gjithçka është bërë nën udhëheqjen e Ernstit. Pra, unë po e marr detyrën, siç e thamë edhe në konferencën e djeshme për shtyp, kur ka përfunduar faza e parë, gjatë së cilës fjalët kyçe ishin “toleranca zero”, “transparencë”, “llogaridhënie”. Tani po kalojmë në fazën e dytë, e cila synon ta përmirësojë gradualisht natyrën e shërbimeve për klientët e IOR-it, t’i përforcojë aftësitë tona për t’u shërbyer atyre, në mënyrë që t’u përgjigjemi kërkesave dhe t’u sigurojmë produktet më të mira në treg.
Cilët janë njerëzit dhe institucionet, që përbëjnë klientelën e IOR-it?
Klientët më të mëdhenj, bazë e Institutit, janë kleri, kongregatat dhe punonjësit e Vatikanit: meshtarë, kryeipeshkvij, kardinaj, ose laikë. Shërbimet që shfrytëzojnë ata, tani për tani, kanë të bëjnë me kuadrin e llogarive të zakonshme bankare dhe me administrimin, guxoj të them “të shëndetshëm”, të fondeve të tyre nga ana jonë.
Cila është përvoja profesionale, që ju solli në këtë detyrë?
Mendoj se përvoja ime në fushën e administrimit të aseteve, ku kam punuar në pjesën më të madhe të karrierës, më bën të kem aftësitë e kërkuara për ta ndihmuar IOR-in në fazën e dytë. Por do të thosha edhe se në botën jashtë Vatikanit, në botën e konkurrencës për shërbimet dhe ofertat financiare, një gjë është absolutisht qendrore: t’i ofrohet klientit ç’ka më të mirë tregu, të vendoset ai në qendër e, pikërisht në këtë fushë do të përqendrohet veprimtaria jonë në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.