2014-07-10 15:30:33

Imzot Shikluna: Papa Françesku vazhdon impenjimin e Kishës kundër abuzimeve


Takimi i Papës Françesku me një grup viktimash të shpërdorimeve seksuale nga ana e anëtarëve të klerit, të hënën e kaluar, vazhdon të ketë jehonë ndërkombëtare. I kërkuam një koment ipeshkvit ndihmës të Maltës, imzot Charles Scicluna, i cili, gjatë papnisë së Benediktit XVI, pati detyrën e promotorit të drejtësisë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë dhe u mor, pikërisht, me luftën kundër abuzimeve me të miturit: RealAudioMP3
Komenti i përgjithshëm i asaj dite ka të bëjë me dhuratën e fjalës e të dëgjimit. Unë do ta quaja këtë çast, jo vetëm profetik, por historik në jetën e Kishës, sepse Papa, me fjalën e tij, na thotë një profeci shumë të fuqishme, që na inkurajon për të ndërtuar ura dialogu, pajtimi, dëgjimi, me këta vëllezër e motra, që kanë vuajtur shumë për shkak të abuzimeve nga ana e disa anëtarëve të klerit. Por, gjëja e dytë që dua të nënvizoj, është koha që Papa ia kushtoi dëgjimit individual të këtyre njerëzve: më thanë, 30 minuta për secilin. E bëri mirë që ia kushtoi kohën e tij të çmuar një apostullimi kaq të rëndësishëm. E më ka bërë shumë përshtypje edhe jehona, që pati homelia e meshës së asaj dite. Papa, që është Pasardhës i Shën Pjetrit, i lutet Zotit që Kisha të ketë vështrimin e Jezusit për këta vëllezër e motra, viktima të abuzimeve seksuale, por edhe hirin e vajtimit: jo derdhje lotësh për të bërë teatër, ose për t’i mbushur mendjen publikut, por për t’i mëshiruar ata, për t’u qëndruar afër në vuajtjen e tyre e sidomos, për t’u penduar për paaftësinë tonë në mbrojtjen e tyre dhe në denoncimin e shpërdorimeve.
Papa kërkori falje për ata krerë të Kishës, që nuk ditën t’u përgjigjen denoncimeve për abuzime…
Si ipeshkëv, kur lexoj fjalët e Papës, e ndjej se më udhëheq. Ai nuk udhëheq vetëm grigjën, jo vetëm që mban delen e humbur mbi shpatullat e veta, por është edhe në krye të ne barinjve. E kjo është bamirësi e madhe, që Papa e ushtron në mënyrë të shkëlqyer. Ai na bën thirrje të gjithë neve, barinjve, të jemi rojtarë të grigjës. Jo më kot mbajmë shkopin ipeshkvnor: jo vetëm për të udhëhequr, por edhe për të goditur ujkun. Ati i Shenjtë na thotë: shikoni mirë e mos e lini ujkun të hyjë në grigjë e të vrasë delet. Siç thotë shën Augustini, të jesh ipeshkëv është privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Madje ai e quan “periculum” (rrezik) për ipeshkvin, sepse atij që Zoti i jep shumë, edhe do t’i kërkojë shumë.
Kjo ditë e këto fjalë të Papës Françesku janë pjesë e një impenjimi, filluar qëkur nga Selia e Shenjtë, sidomos nën papninë e Benediktit XVI, apo jo?
Për të bërë historikisht, por adhe faktikisht, lidhjen, mjafton të mendojmë se Papa Françesku përsërit një frazë shumë të fuqishme të Gjon Palit II, i cili e pati thënë më 23 prill 2002: “Nuk ka vend në kler për ata, që abuzojnë me fëmijët e të miturit”. Këtë frazë, Ati i Shenjtë e përsërit në homelinë e 7 korrikut 2014. Gjatë këtyre 12 vjetëve është bërë një rrugë e gjatë: Gjon Pali II, Benedikti XVI e tani, Papa Françesku. Udhë e filluar nga Papa i shenjtë Gjon Pali II, i cili kishte si bashkëpunëtor të besueshëm kardinalin Racinger, që do të bëhet pasardhësi i tij. E tani, Papa Françesku e vazhdon këtë rrugë, edhe me ndihmën e një Komisioni të ri për mbrojtjen e të miturve, me ekspertë, të cilët mund t’i japin një dorë Kishës për t’i dhënë përgjigje më të rreptë kësaj tradhtie të disa eksponentëve të klerit.








All the contents on this site are copyrighted ©.