2014-07-09 14:27:10

Shkishërimi i mafiozëve: Ipeshkvi i Larinos takon të burgosurit


Më 21 qershor, gjatë vizitës në Cassano të Kalabrisë, Papa Françesku pohoi se “mafiozët nuk janë të bashkuar me Hyjin, janë të shkishëruar”. Reagimin e parë ndaj fjalëve të Papës e dhanë të burgosurit e Larinos, ku këtë të dielë ipeshkvi, Imzot Gianfranco de Luca, kremtoi meshën me ftesë të kapelanit. Ishte pikërisht kapelani ai i cili njoftoi se të burgosurit kishin pyetur çfarë kuptimi ka të shkojnë në meshë, nëse janë të çkishëruar. Për takimin me të burgosurit na flet Ipeshkvi i Larinos, Imzot de Luca:
Shkova tek burgu në marrëveshje me kapelanin, sepse më kishte treguar për shqetësimin e disa të mbyllurve në dhomat e sigurisë së lartë të burgut të Larinos, pas fjalimit të Papës në ditën e Korpit të Krishtit. Ata e kishin pyetur: “Tani, ne nuk mund të vijmë më në meshë? A mund ta marrim kungimin, nëse jemi të shkishëruar?”. U kishin bërë përshtypje fjalët e Papës. Ky shqetësim i tyre më zgjoi interes, më ngriti shumë pyetje dhe i dhashë gatishmërinë time kapelanit të merrja pjesë në kremtimin eukaristik, për ta marrë në shqyrtim këtë argument. U përgatita dhe mora nga një kopje të fjalimit të Papës për të gjithë, sepse ndoshta e kishin dëgjuar nga titujt e gazetave ose në lajmet e televizorit, por leximi i qetë është i rëndësishëm. Ky është motivi që më shtyu të shkoja atje.
Disa organe të shtypit kanë folur për braktisje të meshës nga ana e disa të burgosurve të Larinos, madje edhe për kryengritje...
Absolutisht jo. Mua më pritën me gëzim dhe me ndjenja vëllazërore, kur shkova atje. Po, para meshës i kanë drejtuar disa pyetje kapelanit, sepse në burg ka dy meshë, njëra për të burgosurit e zakonshëm e tjetra për seksionin e veçantë, sepse këta nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. Para meshës kanë bërë këtë pyetje: “Çfarë është ky shkishërim? Pse? Çfarë do të thotë për ne?”. Pra, ka pasur një debat, që mund të ketë qenë i ndezur, por nuk kanë braktisur asnjë meshë. Ndërgjegjja e tyre është trazuar nga fjalët e Papës e nga njoftimet e mediave.
Siç është shprehur Imzot Bregantini, fjalët e Papës kanë prekur edhe anëtarët e kriminalitetit të organizuar, mafiozët...
Sigurisht. Kjo gjë bëri lajm. Por fatkeqësisht trazimet e zemrës ose të shpirtit ndoshta nuk bëjnë lajm... Atëherë duhet të gjejnë një tjetër, por lajmi është ky: ajo që thotë Papa prek zemrat e të gjithëve dhe i vë të gjithë në udhë. Janë të bukura fjalët që u tha të burgosurve dhe që na i drejton edhe neve: “të gjithë duhet të rikthehemi, apo jo?”. Sepse të gjithë e ndjejmë ngacmimin e historisë dhe të Ungjillit, që na thërret.
Këto janë fjalët që shqiptoi Papa në rajonin tuaj, në Isernia, gjatë udhëtimit në Molise...
Po, para të burgosurve të Isernias. Në mbrëmje e lexova fjalimin që kishte mbajtur dhe më pëlqeu shumë. Mesazhi që më dhanë të burgosurit, për ta sjellë përjashta, ishte mesazh shprese dhe thoshte kështu: “Ne jemi këtu brenda në ngushticë dhe nganjëherë ndjehemi të plogështuar. Pikërisht atëherë na kap djalli (kanë përdorur pikërisht këtë term). Por, përjashta dëshirojmë t’ju themi: mos u dorëzoni. Nëse nuk ia dalim vetë, të shkojmë tek Jezusi”. Këto fjalë m’i tha një i burgosur, prandaj vura re se ishte në përkim me çfarë kishte thënë Papa, edhe pse ky i burgosur nuk e kishte lexuar ende fjalimin e Françeskut.








All the contents on this site are copyrighted ©.