2014-07-09 14:27:23

OKB-ja: ‘po!’ mbrojtjes së familjes natyrore. Kundër, BE-ja e SHBA


Përsëri familja në qendër të vëmendjes, në 20 vjetorin e Vitit ndërkombëtar, që i kushtohet. Më 25 qershorin e kaluar Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut miratoi rezolutën në favor të familjes, kuptuar si “element natyror themelor i shoqërisë”. Votimi përfundoi me 26 vota për, 14 kundër e 6 abstenime.RealAudioMP3

“Familja është elementi natyror e themelor i shoqërisë” dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe nga Shteti”. Kështu shkruhet në rezolutën, miratuar nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut, që përbëhet nga 47 Shtetet anëtare. Të bie në sy fakti se në favor të rezolutës votuan të gjitha shtetet afrikane e ato arabe, Rusia, Kina e Venezuela. Kundër, të gjitha shtetet evropiane, ndërmjet të cilave, Italia e SHBA-të, Koreja e Japonia. Nga vendet latino-amerikane, kundra ishte vetëm Kili. Ç’ kuptim ka një qëndrim i tillë?
Përgjigjen ia kërkuam Carlo Cardia-s, profesor i së drejtës kishtare pranë Universitetit Roma Tre:

“Është një rezolutë, që përkon plotësisht me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të 1948-tës. Kjo tregon se familja është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë të mbrohet nga shoqëria e nga Shteti. Ky pohim i 1948-tës u bë për ta mbrojtur familjen nga shtetet totalitare e nga totalitarizmi dhe u përsërit në Konventën evropiane të të drejtave të njeriut, në Paktet shoqërore e civile të 1966-tës, në të gjitha Kartat ndërkombëtare. E kjo duhet të na bëjë të reflektojmë: Evropa, djep i të drejtave të njeriut, voton kundër të drejtave të njeriut, të vendosura nga Deklarata më e njohur e historisë së botës”.
Gjatë miratimit, në një atmosferë të trazuar, dështuan përpjekjet e disa vendeve, që synonin të përfshinin në tekst, hapjen e rrugës për forma të ndryshme të familjes. Për këtë, përsëri, Cardia:
“Kur këto shtete u përpoqën të hapin rrugën që dëshironin, mohuan një nga parimet themelore të individualizmit. Ç’na thotë kultura individualistike? Lërini të lira edhe tipet e tjera të familjes; ne nuk e trazojmë familjen tradicionale, janë gjëra të ndryshme, ne duam të afirmohen edhe të drejta të tjera. Pastaj, shikojmë një realitet të ndryshëm, të kundërt, sepse shkohet e votohet kundër të drejtave të familjes natyrore…Atëhere do të thotë se kur kërkohen të drejtat për tipe të tjera familjesh, synohet të rrezikohen e të mohohen të drejtat e familjes natyrore. Ky është një pyll pa shteg, nga i cili nuk mund të dilet, sepse kemi të bëjmë me ndeshje në nivelin botëror. Askush nuk e mohon se duhen pranuar të drejtat e formacioneve të tjera shoqërore, por pa arritur deri atje, sa të mohohen të drejtat e familjes, që s’është aspak e hijshme të quhet ‘tradicionale’, sepse është familje natyrore”.
Teksti nuk i ngarkon shtetet me asnjë detyrim juridik, por hap, edhe me një tryezë të rrumbullakët, që do të mbahet në sesionin ardhshëm, debatin për mënyrat e mbrojtjes së familjes.

Mbi rezolutën e miratuar nga Këshilli i të drejtave të njeriut i OKB-së, të ndjekim komentin e imzot Silvano Maria Tomasi-t, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së të Gjenevës:“Në traditën e krishterë dhe në Doktrinën shoqërore të Kishës, martesa e familja janë në vijë me të drejtën natyrore; në natyrë familja identifikohet me bashkimin e qëndrueshëm të një burri me një grua, në perspektivë të lindjes së fëmijëve. Jemi përballë një udhëkryqi kulturor; nga njëra anë kemi kuptimin e familjes që mund të funksionojë si unitet e, nga ana tjetër, theksi vihet vetëm mbi individët. Prej këndej, ndërsa ne, e sidomos Shteti, duhet të jemi të ndjeshëm e të vëmendshëm ndaj të gjitha situatave që përfshihen në këtë kontekst, duhet ripohuar – e kjo është vlera e Rezolutës që u miratua në këtë sesion të 26-të të Këshillit për të drejtat e njeriut - rëndësia që ka për shoqërinë e për të mirën e fëmijëve, në mënyrë të veçantë, por edhe të të gjithë anëtarëve të familjes, familja si unitet, si qelizë e gjallë e shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.