2014-07-09 15:29:44

Njihen virtytet heroike të Marcello Candia-s, misionar në Brazil


Papa Françesku priti, më 8 korrik, kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë pritjes, autorizoi dikasterin të shpallë Dekretet për njohjen e virtyteve heroike të shtatë Shërbëtorëve të Hyjit. Ndërmjet tyre, misionari shekullar, Marcello Candia.

Marcello Candia, bir i një familjeje të pasur milaneze, i diplomuar në kimi, farmaci e biologji, e shkriu gjithë jetën në pyjet braziliane të Amazonës. Krijoi atje një spital, disa qendra për të gërbulurit e qendra të tjera shëndetësore, organizoi lëvizjen e vullnetariatit, ndërtoi kuvende, seminare, kisha.
Gjon Pali II e takoi më 1980, në strehën për të gërbulur të Maritubës, ku mjekonte të sëmurët me dashuri të pashoqe, duke pohuar se ishin pjesë e jetës së tij. Megjithatë, siç ngjet shpesh, kaloi një jetë të trazuar edhe atje, në fund të botës. Iu desh të provonte shijen e hidhur të armiqësive, zilive, përgojimeve, shpifjeve. Dhuroi ç’kishte e pastaj u akuzua se vidhte një nga qendrat, që e kishte ngritur në këmbë ai vetë. Pas një mori infarktesh, zbuloi se kishte kancerin e lëkurës. Vdiq në Milano, ku kish lindur, më 1983, 76 vjeç. “Nuk jam unë, që jap ndonjë gjë – thoshte - janë të varfërit, që më japin mua. Nuk jam asgjë. Vetëm mjet i thjeshtë në dorë të Provanisë”.

Gjashtë shërbëtorët e tjerë të Hyjit janë:
Portugezi Antonio Ferreira Viçoso (1787-1875), i Kongregatës së Misioneve e, më pas, ipeshkëv i Marianës, në Brazil, ku e shkriu gjithë jetën për formimin e meshtarëve, në një kohë kur autoritetet shtetërore kërkonin ta cënonin pavarësinë e Kishës.
Prifti spanjoll Saturnino López Novoa (1830-1905), bashkëthemelues i Kongregatës së Motrave të varfra të los Ancianos Desamparados.
Meshtari salezian francez Giuseppe Augusto Arribat (1879-1963).
Motër Maria Veronika e Mundimeve të Krishtit, e Urdhërit të Karmelitaneve të zbathura, themeluese e Institutit të Motrave të Karmelit Apostolik. E lindur në Kostandinopojë, në një familje anglikane, u kthye në fenë katolike, e tërhequr posaçërisht nga Eukaristia.
Elena da Persico, themeluese e Institutit Shekullar të Bijave të Mbretëreshës së Apostujve, lindur në Itali më 1869 e vdekur më 1948.

E, së fundi, Shërbëtorja e Hyjit Gaetana e të Shenjtnueshmit Sakrament, Eprorja e parë e përgjithme e Kongregatës së Bijave të Varfra të Shën Gajtanit; lindur në Pancalieri (Italia), më 1870 e vdekur më 1935.








All the contents on this site are copyrighted ©.