Lindja e Mesme: Ipeshkvijtë e Tokës Shenjte kërkojnë të marrë fund dhuna
"Dhuna lind dhunë”, “izraelitë e palestinezë duhet ta pranojnë njëri-tjetrin
si vëllezër”, “duhet bërë një ndryshim rrënjësor”. Janë disa nga konceptet, që përfshihen
në deklaratën e Komisionit “Drejtësi e Paqe” të Asamblesë së Ipeshkvijve katolikë
të Tokës Shenjte, botuar dje. Nota lidhet me ngjarjet dramatike të këtyre ditëve.
Deklarata
hapet me ngushëllimet e Ipeshkvijve të Tokës Shenjte për familjet e tre të rinjve
izraelitë dhe të djaloshit palestinez, djegur për së gjalli. Kujtohen edhe të tjerët,
të shumënumërt, statistika pa fytyrë e pa emër, që humbën jetën në vorbullën e armiqësisë
e të urrejtjes vrastare. Urohet të marrë fund dhuna, por pa e fshehur se këto ditë
nuk flitet për tjetër, veçse për dënime kolektive e gjakmarrje, duke mbyllur çdo udhë,
që mund të ndihmojë daljen nga qerthulli tragjik. Prelatët kujtojnë se shumë politikanë
hedhin vaj mbi zjarrin e ndezur, me fjalë e veprime, duke nxitur, kështu, vijimin
e konfliktit e duke e përjashtuar procesin e dialogut. Në dokument theksohet se
gjuha me të cilën flitet në rrugët e Izraelit ushqehet pikërisht nga gjuha e përdorur
prej politikanëve, në fjalorin e të cilëve spikasin fjalët pushtim e diskriminim.
Ndërtohen vendbanime, lexojmë në dokument, tokat janë të konfiskuara, familjet
të ndara, njerëzit të arrestuar e deri të mbytur pa gjyq. Një grup prijësish beson
se e vetmja rrugë e drejtë, është ajo e pushtimit, pa marrë fare parasysh aspiratat
e një populli për liri e dinjitet. Duan, prandaj, t’ua mbyllin gojën kundërshtarëve
e ta shndërrojnë gabimin në të drejtë. Ata që kërkojnë të ngrejnë një shoqëri totalitare,
monolitike, lexojmë në vijim të notës, në të cilën nuk ka hapësirë për asnjë larmi,
shfrytëzojnë situatën e sotme të dëshpërimit popullor. Po prelatët janë kundër dhunës,
që lind dhunë. Kujtojnë lutjen për paqe në Tokën Shenjte të Papës Françesku, më 8
qershorin e kaluar, në Vatikan, në të cilën u fol për guxim në rifillimin e rrugës
së dialogut. Nuk mund të manipulohet rrëmbimi e vrasja me gjak të ftohtë e tre të
rinjve izraelitë dhe hakmarrja brutale mbi të riun palestinez, për të kërkuar dënim
kolektiv kundër popullit palestinez e kundër dëshirës së tij për të qenë i lirë. Ky
shfrytëzim i tragjedisë çon në thellimin e dhunës e të urrejtjes. Rezistenca kundër
pushtimit, sqarohet në notën e ipeshkvijve, nuk mund të krahasohet me terrorizmin.
Është e drejtë e ligjshme. Ndërsa terrorizmi, vetëm një pjesë e problemit. Dhuna,
si përgjigje kundër dhunës, lind edhe më shumë dhunë. Pikërisht situata në Gazë përfaqëson
ciklin e dhunës pa fund e mungesën e vizionit për të ardhmen, ndonëse fundi i këtij
procesi është detyrë për të gjithë: për shtypësit e të shtypurit, viktimat e xhelatët.
Të gjithë duhet ta pranojnë tjetrin si vëlla e si motër, kujtohet në notë, e jo si
armik, që duhet urryer e, sidomos, që duhet zhdukur”. Duhet një ndryshim rrënjësor,
ngulmojnë ipeshkvijtë. Izraelitë e palestinezë, së bashku, kanë nevojë t’u japin fund
sjelljeve negative, mosbesimit, urrejtjes. Prej këndej, nevoja e edukimit të breznive
të reja me frymë tjetër dhe përpjekja për të pasur prijës të aftë, që sigurojnë drejtësinë
e paqen, duke pranuar se Hyji mbolli në këto troje tri fe: Hebraizmin, Krishterimin
e Islamin, e dy popuj: palestinez e izraelit. Këto troje kanë nevojë për njerëz, që
dinë të marrin vendime të vështira, të gatshëm për ta fljiuar karrierën e tyre politike
për të mirën e përgjithshme e për paqen e qëndrueshme. Prijës, që kanë thirrjen e
veprimtarëve të paqes, të kërkuesve të drejtësisë e të rrugëve të tjera, larg asaj
të dhunës.