2014-07-09 14:26:06

Konferencë shtypi për kuadrin e ri ekonomik të Selisë së Shenjtë


Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt sot, konferenca me temë: “Kuadri i ri ekonomik i Selisë së Shenjtë”. Të pranishëm: Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, kardinali George Pell, zv.koordinatori i Këshillit për Ekonominë, z. Joseph F.X. Zahra, anëtari i Këshillit për Ekonominë, z. Jean-Baptiste de Franssu dhe presidenti i Këshillit të Mbikqyrjes së Institutit për Veprat e Fesë (IOR), avokati Ernst von Freyberg.
Kardinali George Pell njoftoi nisma të reja e të rëndësishme për përmirësimin e administrimit ekonomik të Selisë së shenjtë dhe të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Këto ndryshime, filluar nga Sekretaria e re për Ekonominë, konsiderohen themelore për të përballuar e zgjidhur dobësitë e së kaluarës e për të krijuar një platformë më të mirë në të ardhmen. Ato janë miratuar nga Këshilli për Ekonominë dhe Këshilli i 8 kardinajve, në mbledhjet e tyre të fillimit të korrikut, si edhe nga Ati i Shenjtë.
Ndryshimet kanë të bëjnë me APSA-n (Administrimi i Pasurisë së Selisë Apostolike), me fondet e pensioneve, me mediat e Vatikanit dhe me IOR-in. Kardinali Pell lajmëroi edhe për themelimin e një Zyre për Menaxhimin e Projekteve (PMO), kryesuar nga Danny Casey, ish-Business Manager i Kryedioqezës së Sidnejt, që do të ketë për detyre zbatimin e ndryshimeve të propozuara. Do t’i japë llogari drejtpërdrejt Sekretarisë për Ekonominë. Në shtator 2014, Sekretaria për Ekonominë do të fillojë përgatitjen e projekt-buxhetit për vitin 2015. Objektivi është që të gjitha dikasteret dhe administratat të hartojnë një buxhet, që do ta respektojnë pastaj gjatë vitit. Kostoja e tij do të jetë përgjegjësi e çdo dikasteri dhe administrate, të cilët duhet të vendosin edhe për kostot shtesë gjatë vitit 2015. Por ja cilat janë ndryshimet kryesore:

    APSA

Seksioni i Zakonshëm i APSA-s do të transferohet në Sekretarinë për Ekonominë. Ky hap i rëndësishëm do ta lejojë Sekretarinë të ushtrojë kontrollin dhe mbikqyrjen mbi agjensitë e Selisë së Shenjtë, përfshirë politikat dhe procedurat e blerjes, si edhe shpërndarjen e përshtatshme të burimeve njerëzore, siç përcaktohet në Motu Proprio-n e sotme të Papës Françesku. Pjesa tjetër e personelit të APSA-s do ta përqendrojë veprimtarinë në rolin e Thesarit të Selisë së Shenjtë dhe të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Detyra e parë e rëndësishme do të jetë të vazhdojë të krijojë marrëdhënie të ngushta me të gjitha bankat kryesore qendrore, siç rekomandon MoneyVal, për të garantuar likuiditetin dhe qëndrueshmërinë financiare të Selisë së Shenjtë. Të gjitha institutet sovrane do të kenë një llogari pranë APSA-s, e cila do të funksionojë si Thesar për këto institute.

    Fondi i pensioneve

Këshilli për Ekonominë emëron një komitet teknik për studimin e gjendjes së Fondit të Pensioneve dhe për të formuluar propozime për Këshillin e Ekonomisë brenda vitit 2014. Këshilli është i vetëdijshëm se pensionet aktuale dhe ato për brezin e ardhshëm janë të sigurta, por Fondi duhet të garantojë edhe pensionet për brezat e tjerë. Ky problem është i përbashkët për të gjitha vendet perëndimore. Deri në fund të këtij viti, duhet të jenë gati statutet e reja për t’ia përshtatur organizimin e Fondit të Pensioneve strukturës së re ekonomiko-administrative të Selisë së Shenjtë. Komiteti teknik do të udhëhiqet nga Sekretari Prelat i Këshillit, imzot Brian Ferme e do të përbëhet nga katër ekspertë laikë, si edhe nga përfaqësues të Këshillit për Ekonominë, të Sekretarisë së Shtetit dhe të Fondit të Pensioneve.

    Mediat e Vatikanit

Është emëruar një komitet për të propozuar reforma për Mediat e Vatikanit. Ai do të publikojë një relacion dhe një plan reformash brenda 12 muajsh, pasi të ketë shqyrtuar rezultatet e analizës së COSEA-s (Për një administratë transparente). Synohet përshtatja e mediave vatikanase me prirjet e reja të konsumit të mediave, duke përmirësuar koordinimin dhe duke arritur progresivisht në kursime financiare të konsiderueshme. Mbi bazën e përvojave pozitive me nismat e fundit, si Pope App dhe Tëitter-i i Atit të Shenjtë, kanalet digjitale do të përforcohen për të garantuar mbërritjen e mesazheve të Papës në të gjithë botën, sidomos në botën rinore. Anëtarët e Komitetit janë zgjedhur ndër personelin e Vatikanit dhe ndër ekspertët ndërkombëtarë.
Presidenti i Komitetit është Lord Christopher Patten nga Britania e madhe, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë janë Gregory Erlandson nga SHBA-të, Daniela Frank nga Gjermania, atë Eric Salobir nga Franca, Leticia Soberon për Spanjën e Meksikën dhe George Yeo për Singapurin.
Personeli i Vatikanit, që bën pjesë në Komitet: imzot Paul Tighe, Sekretar i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, do të bëjë detyrën e sekretarit të Komitetit, pastaj, Giacomo Ghisani për Radio Vatikanin, imzot Carlo Maria Polvani për Sekretarinë e Shtetit, imzot Lucio Adriàn Ruiz nga Shërbimi i Internetit i Vatikanit dhe prof. Gian Maria Vian, drejtori aktual i gazetës “L’Osservatore Romano”.

    IOR

Pas konfirmimit të misionit të IOR-it nga ana e Atit të Shenjtë, më 7 prill 2014 e, nën udhëheqjen e Sekretarisë për Ekonominë e të Këshillit për Ekonominë, IOR-i lajmëron planin për fazën e ardhshme të zhvillimit. Këshilli i Kardinajve i Atit të Shenjtë (C9), Sekretaria për Ekonominë, Komisioni i Vigjëlimit i kardinajve dhe Këshilli aktual i Mbikqyrjes së IOR-it kanë vendosur që ky plan do të zbatohet nga një grup i ri drejtuesish, kryesuar nga Jean-Baptiste de Franssu. De Franssu do të marrë mbi vete detyrën e presidentit të ri të IOR-it, duke filluar që sot, 9 korrik 2014. Ernst von Fryberg ka pranuar ta shoqërojë për një periudhë tranzicioni. “Është nder i madh të thirresh për të zbatuar ndryshimet, të cilat sot janë të nevojshme për ta shndërruar më tej IOR-in në një furnizues të përkushtuar shërbimesh për Kishën”. Gjatë tre viteve të ardhshme, statutet e IOR-it do të rishikohen dhe veprimtaritë e tij do të ripërcaktohen sipas tri përparësive strategjike:
    Përforcimi i biznesit të IOR-it;
    Zhvendosja graduale e administrimit të pasurisë në Vatican Asset Management (VAM) të ri e qendror, me qëllim kapërcimin e dyfishimit të përpjekjeve në këtë fushë nga ana e institucioneve të Vatikanit.
    Përqendrimi i veprimtarive të IOR-it në konsultimin financiar dhe në shërbimet me pagesë për klerin, kongregatat, dioqezat dhe punonjësit laikë të Vatikanit.









All the contents on this site are copyrighted ©.