2014-07-09 14:26:29

Kardinali George Pell: Fillon faza e dytë e reformës ekonomike


Pas përfundimit të fazës së parë të procesit të reformës, IOR-i (Instituti vatikanas për Veprat Fetare) do ta nisë fazën e dytë me një drejtori të re. Njoftimin e dha George Pell, prefekt i Sekretarisë për Ekonominë, me rastin e paraqitjes së rezultateve të bilancit për 2013-ën. Njoftimi i IOR-it nënvizon se, për ta përforcuar transparencën, Instituti ka mbyllur rreth 3.000 llogari. Shuma që Instituti i Veprave Fetare i ka dhënë Selië së Shenjtë për 2013 është 54 milionë Euro.
“Me të përfunduar faza e parë e procesit të reformës, tani jemi në gjendje ta drejtojmë IOR-in drejt fazës së dytë, me një drejtori të re”, deklaroi kardinali Pell. Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë falënderoi kryetarin e Këshillit të mbikqyrjes, Ernst von Freyberd dhe nënvizoi se “pas punës së vështirë që bëri administrata në detyrë”, tani jemi në gjendje “ ta çojmë IOR-in drejt ciklit të dytë të reformave”. Sekretaria për Ekonominë, thuhet në noftim, do të mbajë një konferencë për shtyp, gjatë së cilës do të paraqesë Këshillin e ri të IOR-it dhe do të japë njoftimet më të fundit lidhur me elementet kyçe të reformës.
Të dhënat më domethënëse për 2013 janë ato lidhur me bilancin. Nëse më 2013 fitimet e bankës arritën shifrën 86.6 milionë, më 2013 fitimet janë vetëm 2.9 milionë. Në njoftimin e botuar dje thuhet se rezultatet e këtij viti janë varur nga “detyrimet me natyrë të jashtëzakonshme, nga ndreqjet e shumta të fondeve të investimit administruar nga palët e treta” dhe “nga rënia e madhe e vlerës së arit”. Si rrjedhojë e procesit sqarues, IOR-i ka mbyllur marrëdhëniet me rreth 3.000 klientë. Kjo do të thotë se Instituti pranon të bashkëpunojë vetëm me institucione katolike, kishtare, me nëpunës ose ish-nëpunës të Vatikanit, si edhe me ambasadat dhe diplomatët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Më 31 dhjetor 2013, lexohet në njoftimin e dhënë, IOR-i kishte 17.419 klientë.
Më 2013 IOR-i ka dhënë 54 milionë Euro për buxhetin e Selisë së Shenjtë dhe në fund të vitit të shkuar zotëronte shumën neto prej 720 milionë Eurosh. Rezultatet e gjashtëmujorit të parë të 2014-ës flasin për mbarëvajtjen e kënaqëshme të Institutit, i cili “shënon një fitim neto prej 57.4 milionë Eurosh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.