2014-07-08 12:55:00

Një vit nga vizita e Papës në Lampeduzë


Para një viti Papa Françesku shkoi në Lampeduzë, i pari udhëtim papnor. Në atë vizitë Papa u lut për të gjithë të vdekurit në det, për trupat pa emër, për vëllezërit e motrat e varrosura nën ujin e Mesdheut. Nuk mund të harrohet qortimi që i bëri globalizimit të indiferencës, duke i tërhequr vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare për më shumë angazhim. Fjalët e Papës i kanë dhënë frytet e veta, tha drejtori i Karitasit dioqezan të Agrigjentos, Valerio Landri:RealAudioMP3
Mund të themi se vizita e Papës Françesku shërbeu, në një farë mënyre, si parapërgatitje. Mjafton të kujtoni çfarë ndodhi në tetor, prandaj fjalët e tij qenë profetike, u deshën, për të na tërhequr vëmendjen të gjithëve, duke filluar nga lampeduzanët e deri tek të gjithë italianët, që të kryejmë detyrën e mikpritjes. “Adam, ku je? Kain, ku është vëllai yt?” janë fjalë që kumbojnë ende fort nga këto anë. Përvoja e Mare Nostrum, që filloi menjëherë pas tragjedisë së 3 tetorit, i ka kthyer normalitetin Lampeduzës. Tani këtu ka filluar stina turistike. Emigrantët janë shumë më pak në krahasim me çfarë jemi mësuar të shohim në këtë periudhë të vitit, edhe pse pikërisht sot në ishull mbërritën rreth 500 emigrantë me kombësi kryesisht eritrease dhe po presim disa të tjerë. Kështu, po e kuptojmë se përvoja e Mare Nostrum nuk mjafton për ta ndaluar kërkesën për një jetë të re, që kanë shumë e shumë emigrantë, të cilët marrin rrugën për Evropë. Lampeduza po rindërtohet, po rifiton ritmet e zakonshme, por e di se kjo është një qetësi sipërfaqësore dhe se, sidoqoftë, thirrja e saj gjeografike është gjithmonë ajo e mikpritjes: të gjithë janë të gatshëm të bëjnë sa u takon.
Papa Françesku denoncoi globalizimin e indiferencës, koncept që u përsërit edhe në mesazhin me rastin e njëvjetorit të vizitës në Lampeduzë, megjithëse kultura e mikpritjes duket se është një veti tipike e lampeduzanëve dhe e sicilianëve në përgjithësi...
Ndoshta këtu luan rol themelor fakti se sicilianët vijojnë ta jetojnë edhe sot e kësaj dite përvojën e emigrimit. Jemi një popull që shpesh detyrohemit të shkojmë tjetërkund, duke filluar nga veriu i Italisë ose gjetkë në Evropë, për të kërkuar punë, për një të ardhme më të mirë... Prandaj ndoshta kjo na jep edhe një çelës për ta lexuar ndryshe përvojën e emigrimit. Na bën ta dijmë se të ikësh nga toka jote, ta lësh pas krahësh historinë tënde nuk është kurrë një zgjedhje e këndshme, por gjithmonë e dhimbshme, që të ngarkon me një barrë dhimbjesh e vuajtjesh, të cilat duhen respektuar dhe pranuar patjetër ashtu siç janë. Prandaj, ndoshta, për këtë arsye Sicilia dhe Italia në përgjithësi, nga kjo pikëpamje, i vë në gatishmëri të mirat e veta. Sicilia e ka këtë gatishmëri për të mikpritur. Toka jonë është mësuar edhe me pushtimet, me kolonizimet, kemi pasur shumë pushtues... Ndoshta kjo na mundëson që kultura jonë të jetë e hapur ndaj kulturave të tjera.
A ka ndryshuar puna e Karitasit në këtë vit, që nga vizita e Papës?
Shumë Karitase sicilianë e kanë pranuar thirrjen që vjen nga prania e emigrantëve: Palermo, Sirakuza, por edhe shumë dioqeza të tjera siciliane, falë nismës së Mare Nostrum, janë vënë në veprim. Mendoj se janë zhvilluar disa mekanizma, disa përvoja, të cilat tani nuk i kuptojmë plotësisht, por që do t’i kuptojmë së shpejti. Bëhet fajalë për mundësi që ishin disi të përgjumura dhe që tani, me praninë e emigrantëve, janë rizgjuar. Ne jemi këtu dhe japim ndihmën tonë atje ku na kërkohet dhe ku kemi mundësi.
Ju vetë, çfarë kujtimesh keni nga ajo vizitë?
Ajo vizitë la gjurmë të thella në Lampeduzë. Unë u gjenda në Tunizi, ku jemi të pranishëm në bazë të marrëdhënieve mes Kishash. E ndoqa nga atje dhe u luta bashkë me Kishën e Tunizit, ndërkohë që në Agrigento bëheshin lutje për viktimat e detit. Përjetova një Kishë që kishte gjetur në Lampeduzë bashkimin e vet. Ato fjalë të Papës qenë një program baritor për të gjithë ne, që vijon të jetë absolutisht i vlefshëm edhe sot. Lampeduza vijon ta jetojë atë ditë si të ishte sot. Këto shtatë ditë feste përjetohen si të ishte i pranishëm Papa, me të njëjtin gëzim, me të njëjtën vëmendje të një viti më parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.