Ipeshkvi kalabrez: masa të rrepta për procesionin me shtatoren e Zojës
Kisha kalabreze është e shqetësuar pas ndalesës së procesionit me Zojen e Hireve para
banesës së bosit të ‘ndrangetës’, Peppe Mazzagatti, në arrest shtëpie për arsye shëndetësore.
Vetëm dy javë më parë – gjatë vizitës në Kalabri – Papa Françesku kishte nënvizuar
me forcë se “mafjozët janë të çkishëruar”. Marshalli i karabinierëve Andrea Marino
u largua nga procesioni për të identifikuar përgjegjësit e kësaj ngjarjeje. Për ministrin
e brendshëm të Italisë, Angelo Alfano, ky është një ritual i neveritshëm. Sekretari
i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, Imzot Galantino, thotë se Zoja
nuk përkulet para mafjozëve. Edhe ipeshkvi i qytetit kalabrez, Imzot Francesco Milito,
distancohet nga kjo sjellje dhe premton se do të bëjë hetimet e duhura. Ja si u shpreh
në mikrofonin e Radio Vatikanit:
U distancova
menjëherë dhe e dënoj rreptë atë që ndodhi. Kam marrë përsipër ta hetoj këtë ngjarje,
por tani jam duke u nisur për disa veprimtari baritore, prandaj do t’i marr më vonë
vendimet e forta, sapo të kryhet vlerësimi i të gjitha elementeve.
Nëse
do të vërtetohet çfarë ndodhi, a do të thotë se në Kalabri ka nga ata që nuk e kuptojnë
ende mosvlerën e ‘ndrangetës’?
Nuk ka nevojë për vërtetim, sepse ekziston
fakti, e mjaft! Nevojiten vetëm elementet për të kuptuar më mirë. Përtej kësaj, qëndrimet
e mia në lidhje me këtë argument do të jenë shumë të rrepta. Do të jenë në gjendje
të bëjnë të kuptohet se duhet të kujtohemi gjithmonë dhe në mënyrën më absolute se
nuk mund të ekzistojnë besëlidhje të asnjëlloji, që shkojnë kundër fesë. Kjo është
një pikë e palëkundshme, sido që të jenë traditat atavike, lidhjet që mund të ekzistojnë,
interpretimet që mund të jepen.
A keni vënë re, gjatë këtyre viteve të
fundit, një rritje të vetëdijes qytetare në Kalabri kundër ‘ndrangetës’?
Unë
vërej se shumë njerëz mbajnë qëndrim të hapur kundër saj, edhe sepse disa e paguajnë
personalisht. Po punohet për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm. Në disa famulli, në
lidhje me këtë pikë, nuk pushohet asnjë çast së punuari: pozitivisht, për të lehtësuar
formimin e ndërgjegjes; negativisht, për të kundërshtuar çdo pengesë, disa herë duke
paguar për këtë veprimtari edhe ekonomikisht dhe financiarisht. Pra sigurisht ka një
rritje të vetëdijes. Por nuk mund të mohohet se përreth e përkrah këtij qëndrimi të
palëkundshëm të shumë njerëzve, ekziston ende, për shumë arsye, një lloj heshtjeje,
një lloj frike, një mungesë guximi ose një imponim stili, që, sidoqoftë, nuk kanë
të bëjnë fare me fenë.