2014-07-06 15:39:41

Zëri i Françeskut në mbrojtje të çubardhëve afrikanë


“Francis hapi krahët me pëllëmbët e duarve drejtuar kah qielli e tha: “Zoti është në çdo qenie njerëzore. Jeta e një njeriu vlen sa jeta e gjithë bashkësisë. Kur fyen njeriun, ke fyer Zotin”. Kjo është fraza, që Papa Françesku e zgjodhi dhe e lexoi për audiolibrin “Hija e bardhë”. Libri rrëfen e denoncon diskriminimin dhe vuajtjen e çubardhëve1 apo të labardhëve të Afrikës. Realizuar nga Kristiano Xhentili, vëllimi lidhet me një fushatë ndërkombëtare, që nisi më 25 qershorin e kaluar për t’i mbrojtur çubardhët afrikanë nga format e ndryshme, të papranueshme të dhunës, me hashtagun #HelpAfricanAlbinos (T’i ndihmojmë çubardhët afrikanë), me të cilën u bashkua edhe Papa Françesku.
I vendosur në Tanzani, ku shkrimtari - i lidhur me organizatën Mjekë me Afrikën Kuamm - ka punuar për shumë vjet, romani “Hija e bardhë” rrëfen historinë e një vajze të vogël çubardhe, Adimu-së e cila, pavarësisht nga mjedisi armiqësor që e rrethon, vijon të kërkojë me etje miqësi e dashuri.
Të nëpërkëmbur nga shoqëria, e cila nuk i konsideron afrikanë, shpjegon faqja e internetit , në të cilën mund të dëgjohet edhe zëri i Papës, nga tregu i punës, nga vetë familjarët, që shpesh i braktisin sapo lindin, çubardhët afrikanë janë viktima të vrasjeve rituale. Persekutimi i tyre është pasojë e bestytnive. Sipas besimeve popullore, gjymtyrët e trupit të tyre kanë fuqi të madhe magjike; sjellin pasuri, fat, pjellshmëri. Kush i ka, ka gjithçka dëshiron. Prej këndej riti i mbytjes dhe i coptimit të trupave të çubardhëve, që jetojnë ndërmjet zezakëve.
Kësaj tragjedie u shtohen edhe problemet e shëndetit, pasojë e mungesës së melaninës dhe e qëndrimit të vazhdueshëm nën rrezet zjarrta të diellit ekuatorial, gjë që u shkakton plagë të rënda në lëkurë, verbërim, infektime të të gjitha natyrave, deri tek tumori i lëkurës. Kështu shumica nuk e kapërcen moshën 30 vjeç. Kanceri i lëkurës hyn në jetën e tyre si vrasës i heshtur, pas vrasësve potermëdhenj ritualë. E vetmja shpresë është të arrijnë deri në 32 vjeç.
Për t’i ndihmuar këta njerëz të rrethuar nga heshtja e mohimi, lindi audiolibri i parë shoqëror, për të cilin Papa Françesku dhuroi zërin e vet, për t’u dhënë zë çubardhëve të Afrikës së zezë. Mund t’i ndihmoni edhe ju, që lexoni këto radhë, përmes faqes së internetit www.change.org

1 Albinizmi (nga latinishtja albus-i bardhë) është sëmundje e bashkëlindur. Karakteristikë e saj është mungesa e plotë ose e pjesshme e pigmentacionit melaninik në lëkurë, në bebe të syrit, në koroidë, në qime e në flokë. Prej këndej, fjalët shqipe çubardh e labardh për këta njerëz me flokë të bardhë e sy të kuq.







All the contents on this site are copyrighted ©.