Mesha e Papës në Kampobaso: dashuria e krishterë, udhë kryesore e ungjillëzimit
Kisha duhet të jetë gjithnjë në vijë të parë në dëshminë e në dashurinë e krishterë.
Është një nga fragmentet e forta të homelisë së Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar
në ish-stadiumin Romanjoli të Kampobasos, në praninë e më se 20 mijë besimtarëve,
80 mijë vetë, me gjithë ata, që e ndiqnin Meshën në zonat përreth. Papa pohoi me
forcë se duhet përhapur kultura e solidaritetit, posaçërisht përballë situatave të
mungesave materiale. Kisha, që e njeh erën
e deleve të veta, të cilën Papa e kujton shpesh, ishte tejet e pranishme sot, përmes
elterit të Meshës, kremtuar në Kampobaso, në formën e një stani simbolik. Strukturë
e varfër, realizuar me kallama, zbukuruar me një filiz ulliri, për të kujtuar kasollet
ku strehohen barinjtë molisanë, kur dalin të kullosin grigjët. Kishë për udhë, pra,
ashtu si barinjtë, e quajti kryipeshkvi Giancarlo Bregantini stolinë e elterit, realizuar
nga një emigrant i ri senegalez. Françesku nënvizoi se të gjithë jemi të thirrur
të shërbejmë me dashuri të krishterë në mjediset e përditshme, në familje, në famulli,
në punë: “Dëshmia e dashurisë së krishterë është udha kryesore e ungjillëzimit.
Në këtë drejtim, Kisha ka qenë gjithnjë në vijën e parë, si prani amëtare e vëllazërore,
që ndan bashkë me njerëzit vështirësitë e ligështitë. Kështu bashkësia e krishterë
përpiqet të dikojë në shoqëri atë shtesë shpirtërore, që të ndihmon të shikosh përtej
së sotmes e të shpresosh”. Papa i nxiti të gjithë të vijojnë ecjen në këtë
rrugë, duke i shërbyer Zotit përmes shërbimit të vëllezërve e duke e përhapur kudo
kulturën e solidaritetit. Për këtë impenjim, theksoi, ka shumë nevojë sot, përballë
situatave të mungesave materiale e shpirtërore, posaçërisht përballë papunësisë, plagë,
që kërkon përpjekje e guxim nga të gjithë: nga institucionet, ndërmarrjet, financa.
Dinjiteti i njeriut duhet të jetë në qendër të çdo perspektive, të çdo veprimtarie.
Të gjitha interesat e tjera janë të dorës së dytë. Në qendër, shtoi, është dinjiteti
i njeriut, sepse njeriu është shembëllim i Zotit. Ndërsa Kisha është populli, që i
shërben Zotit. Lirinë e vërtetë, kujtoi, na e jep gjithnjë Zoti: mbi të gjitha, lirinë
të çlirohemi nga mëkati, nga egoizmi e të gjitha format e tij, lirinë për ta dhuruar
vetveten me gëzim, si Zoja e Bekuar, lirinë për ta adhuruar Zotin e për t’i shërbyer
Hyjit e vëllezërve: “Kjo është liria që, me hirin e Zotit, e provojmë në bashkësinë
e krishterë, kur vihemi në shërbim të njëri-tjetrit. Pa xhelozi, pa përgojime…Atëhere
Zoti na çliron nga ambicjet e rivalitetet, që e minojnë bashkimin. Na çliron nga mosbesimi,
nga trishtimi, që është i rrezikshëm, sepse na shemb përdhe”. Zoti, uroi Papa,
na çliroftë nga frika, nga zbraztësia shpirtërore, nga vetmia, izolimi, keqardhjet,
ankimet, që nuk mungojnë as në bashkësitë tona e që i bëjnë njerëzit të mbrohen, më
shumë se të dhurohen. Po Krishti, kujtoi Papa, na çliron nga kjo jetë e zymtë, ngjyrë
hiri, pa dritë, pa bukuri e pa shpresa: “Prandaj dishepujt, ne, dishepujt e
Zotit, edhe pse mbetemi gjithnjë të ligshtë e mëkatarë, jemi të thirrur ta jetojmë
me gëzim e guxim fenë tonë, bashkimin me Hyjin e me vëllezërit, adhurimin e Zotit,
e t’u bëjmë ballë burrërisht provave të jetës”.