2014-07-04 16:51:28

Imzot Zimovski: përpjekje globale për të fituar mbi tuberkulozin


“Është detyra jonë të punojmë që e drejta për mbrojtjen e shëndetit të jetë realitet për të gjithë qytetarët”. Këtë nënvizoi kryeipeshkvi Zygmunt Zimovski në Konferencën për zhdukjen e tuberkulozit, që vijon në Romë. Kryetari i dikasterit papnor për shëndetin theksoi se ndërmjet viteve 1995 e 2012 u shpëtuan 22 milionë njerëz të prekur nga Tbc, por edhe se të dhënat mbi këtë sëmundje nuk duhen shikuar me vetëkënaqësi. Prelati kujtoi se vetëm në vitin 2012 ka pasur 8,6 milionë raste të sëmundjes e 1.3 milionë njerëz kanë vdekur nga tuberkulozi.
Tuberkulozi, shtoi prelati, është sëmundje, që prek më shumë njerëzit e varfër e të ligësht, si gratë, fëmijët dhe të sëmurët nga Sida. Prej këndej, duhet një strategji globale kundër kësaj sëmundjeje vrastare. Institucionet shëndetësore të bazuara mbi fenë, që shpesh punojnë në gjirin e bashkësive me të ardhura të pakta, do të jenë partnerë të rëndësishëm në përpjekjen për ta bërë mjekimin e tuberkulozit të mundshëm për të gjithë ata, që kanë nevojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.