2014-07-03 16:55:00

Lindja e Mesme: bashkësia ndërkombëtare kërkon të ndalet gjeratorja e dhunës


Të ndalet gjeratorja e dhunës, është kërkesa e njëzëshme e bashkësisë ndërkombëtare, drejtuar të gjitha palëve të interesuara në Lindjen e Mesme, pas rrëmbimit dhe vrasjes së të riut palestinez në Jeruzalem, vrasje që, ka shumë gjasë, të jetë kryer për të marrë gjakun e tre të rinjve seminaristë izraelitë. Ndërkaq edhe në 24 orët e fundit nuk pushoi breshëria e raketave drejt Izraelit, nisur nga Rripi i Gazës. E edhe përgjigjja e Izraelit, që vijon të godasë territoret e kontrolluara nga Hamasi.

Etja për hakmarrje në Lindjen e Mesme rrezikon ta rrëmbejë situatën e ta flakë në një vorbull tensionesh, në të cilën mund të humbasin jetë të tjera njerëzore. Për këtë ka frikë bashkësia ndërkombëtare, që u bën thirrje të gjitha palëve. Thirrje nga sekretari i OKB-së, Ban Ki-moon, nga sekretari i Shtetit Amerikan, John Kerry dhe nga të gjitha kancelaritë evropiane, që e dënuan ashpër vrasjen. “Nëse i riu arab u vra për shkaqe nacionalistike, atëherë jemi para një akti të tmerrshëm, të urryer”, kështu u shpreh njëra nga familjet e seminaristëve hebrenj të vrarë. Gjaku do gjak e kush me gjak e nis, do ta mbarojë ca më keq me gjak, qorton patriaku latin Twal i Jeruzalemit.
Po tensioni mbetet shumë i lartë. Qeveria izraelite ka premtuar se do t’i dënojë ushtarakët, që vijojnë të botojnë kërcënime kundër arabëve në rrjetin shoqëror. Nga ana e tij, Hamasi vijon të premtojë se do ta bëjë Izraelin t’i paguajë shtrenjt të gjitha krimet”. Ndërsa tërë pasditen e djeshme në Jeruzalemin lindor vijuan ndeshjet ndërmjet palestinezëve e policisë së shtetit hebraik. Në të njëjtat orë, aviacioni izraelit goditi disa zona të Gazës, prej nga edhe sot vijuan të nisen raketa drejt Izraelit.








All the contents on this site are copyrighted ©.