2014-07-02 17:16:55

Patriarku Sako: askush nuk është i sigurt, por të mos e humbim shpresën


“Me dhimbje të thellë” “marr përsipër të përshkruaj gjendjen” në Irak, me qëllim që t’i vë në dijeni të gjithë “për situatën aktuale” dhe për të nxitur solidaritetin. Me këto fjalë, e tregon dramën, që po kalon këto javë Iraku, patriarku kaldeas, Imzot Louis Raphael I Sako. Është, ndoshta, periudha më e errët dhe më e vështirë e historisë së vonë në vend.
Udhëheqësit e lëvizjes kaediste Isis – që po mbjell terror jo vetëm mes të krishterëve, por edhe brenda vetë bashkësive myslimane – u kanë drejtuar një thirrje të gjithë besimtarëve, duke u kërkuar të luftojnë në siri e Irak, për të ndihmuar në “ndërtimin e një shteti islamik”. Betejat luftohen në krahina të ndryshme, ndërsa dje, në mbledhjen e parë të parlamentit të ri, në Bagdad, doli në pah përçarja e radhës dhe takimi nuk çoi në asnjë përfundim, nuk qe e mundur as të zgjidhej kryetari i parlamentit.
Në këtë kornizë të përgjithshme lufte e shkretimi, patriarku kaldeas Mar Sako shpërndau një mesazh, me anë të agjencisë AsiaNews, në të cilin flet për miliona refugjatë. Nuk ka asnjë lajm të sigurt për fatin e murgeshave dhe të të rinjve të rrëmbyer në Mosul, ndërkohë që duket gjithnjë e më konkrete hipoteza e luftës civile, me synimin për të realizuar ndarjen kombëtare. Patriarku, i cili sapo është kthyer nga veriu i Irakut, ku javën e shkuar udhëhoqi Sinodin ipeshkvnor kaldeas, nënvizon se nuk ka asnjë përgjigje politike, por mbizotëron vetëm interesi për petrolin. Imzot Sako kujton se “gjendja është shumë e vështirë” dhe se “askush nuk është i sigurt”, megjithatë i fton të krishterët “të mos dëshpërohen”, dhe bën thirrje për lutje, “në këto kohë veçanërisht të vështira”.
Për sa i përket të ardhmes së të krishterëve në rajon, patriarku nuk i fsheh mëdyshjet dhe nuk i kursen kritikat për qëndrimet e Perëndimit. Ai thotë se të krishterët e paktë që kanë mbetur në vend do të kërkojnë të emigrojnë dhe se ipeshkvinjtë nuk mund të bëjnë tjetër, përveçse “të presin rrjedhën e ngjarjeve”, në të cilën ndjehen “disi të përhumbur”.
Edhe pse “pas 50 vjetësh në Irak mund të mbeten vetëm 50 mijë të krishterë”, kreu i kishës kaldease irakiane është kundër ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Amerikantë, thotë, “kanë qenë tashmë këtu dhe kanë bërë shumë gabime. Tani mbretëron kaosi, rrëmuja dhe anarkia”. Rruga e vetme për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vendet e Lindjes së Mesme është edukimi i popullsisë me lirinë dhe demokracinë nëpër shkolla, në xhami, në kisha dhe me anë të mjeteve të komunikimit. “Nuk mund të importohet thjesht modeli demokratik perëndimor”.
Patriarku kaldeas nuk e fsheh zhgënjimin me Perëndimin, duke pranuar se “ka disa të krishterë që ndihmojnë”, por të tjerët janë vetëm “vëzhgues të pandjeshëm, të interesuar më shumë për një ndeshje futbolli, se për dramën që po ndodh në Irak e Siri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.