2014-07-02 17:15:23

Atë Lombardi flet për mbledhjen e Këshillit të Kardinalëve


Dita e dytë e punimeve të Këshillit të Kardinalëve për reformën e Kurjes Romake, në Vatikan. Në mbledhje merr pjesë edhe Papa Françesku. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi, paraqiti një përmbledhje të punimeve.
“Gjëja e parë, që më duket domethënëse, për t’ju komunikuar - nënvizoi - është: 'Nëse deri tani ju kisha folur për K8+1 (Këshilli i të tetëve plus një), por nuk ishte deklaruar formalisht pjesëmarrja e plotë dhe e vazhdueshme e sekretarit të Shtetit. Tani mund ta konfirmoj: domethënë se praktikisht nuk flasim më për K8, por për K9, sepse kardinali sekretar i shtetit merr pjesë gjithmonë, sistematikisht dhe me të drejta të plota, si anëtarët e tjerë të Këshillit”.
“Deri tani – vijon njoftimi i Atë Lombardit – dje e sot paradite, kardinalët kanë trajtuar tre argumente. Është bërë paraqitja e Guvernatoratit dhe e çështjeve lidhur me të: ndër anëtarët (e Këshillit) është kardinali Bertello, person kompetent për të folur për Guvernatoratin, për ta pasuruar dhe për ta plotësuar kornizën e tërë situatës së qeverisjes së Kishës, që i shërben K9-ës për studim dhe reflektim. Pastaj është folur për Sekretarinë e Shtetit: është i pranishëm kardinali sekretar i Shtetit, domethënë personi më kompetent për të paraqitur edhe Sekretarinë e Shtetit, gjendjen dhe funksionet e saj. Argumenti tjetër, i trajtuar me vëmendje, është ai i IOR-it, prandaj në dy kohë kanë marrë pjesë edhe anëtarët e komisionit kardinalor për mbikqyrjen... e kështu kanë analizuar gjendjen kalimtare të IOR-it”.
Në lidhje me këtë, Atë Lombardi dha këtë deklaratë të shkurtër: “Iori është në një gjendje kalimtare dhe po zhvillohet në mënyrë të natyrshme dhe të qetë”.
Të shtunën, kujtoi Atë Lombardi, zhvillohet mbledhja e Këshillit për Ekonominë dhe në rend të ditës do të jetë paraqitja e Statuteve. Më tej do të flitet për IOR-in dhe zhvillimet e tij. Pastaj do t’i kushtohet kohë bilancit vjetor. Edhe funksioni i Këshillit për Ekonominë është në fazë kalimtare, duke qenë se nuk janë miratuar krejtësisht Statutet. Nga gjysma e javës tjetër do të mbahet një konferencë për shtyp, për të paraqitur në mënyrë të hollësishme punën e këtyre muajve si dhe perspektivat e Sekretarisë për Ekonominë dhe të Këshillit të Ekonomisë. Do të flitet edhe për zhvillimet në IOR.
K9-ta – shtoi Atë Lombardi – do të marrë në shqyrtim Kongregatat, Këshillat Papnore dhe organizmat e ndryshme të Kurjes, në mënyrë që të mund të hedhë hapat e mëtejshme drejt projektimit të përgjithshëm të formulimit të shërbimit, që do të japë Kushtetuta e Kurjes Romake.








All the contents on this site are copyrighted ©.