2014-07-01 18:32:43

Papa Konferencës për minat kundër njeriut: përdorimi i armëve është disfatë për të gjithë


“Asnjë fëmijë nuk duhet të jetojë me frikën e minave”. Këto fjalë i lexojmë në një mesazh, drejtuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në emër të Papës Françesku, Konferencës për rishikimin e Konventës mbi ndalimin e përdorimit të minave kundër njeriut, mbajtur këto ditë në Maputo të Mozambikut. Në mesazh nënvizohet me forcë se përdorimi i armëve është disfatë për të gjithë.

"Përdorimi i armëve në përgjithësi, e i minave në veçanti, është humbje për të gjithë”. I fuqishëm, denoncimi i Papës Françesku, drejtuar Konferencës së Maputos kundër minave, të cilat rrezikojnë jetë njerëzore. Armë, që përdoren nga njerëz të ulët, që e zgjasin luftën e ushqejnë frikën edhe pas përfundimit të ndeshjeve. Këto armë theksohet, i shtojnë dështimit njerëzor, shkaktuar nga lufta, ndjesinë e frikës, e cila sundon mbi stilin e jetës dhe e tjetërson ndërtimin e paqes.
Nëse duam me të vërtetë siguri, stabilitet e paqe, vijon dokumenti, atëherë duhet t'i reduktojmë depot e armëve, t’i zhdukim armët, që nuk kanë asnjë arsye të jenë në një shoqëri njerëzore, për të investuar në fushën e edukimit, të shëndetit, të mbrojtjes së Planetit tonë. Papa Françesku i nxit të gjitha vendet të impenjohen në fushën e Konventës, që të mos ketë kurrë më viktima të minave e asnjë fëmijë të mos frikësohet prej tyre. Konventa, si kjo mbi minat, shkruhet akoma në mesazh, nuk janë kuadër i akullt juridik, por sfidë për të gjithë ata, që duan ta mbrojnë e ta ndërtojnë paqen e të kujdesen për njerëzit më të ligshtë. Uroj që kjo kjo Konventë, nënvizon Papa, të jetë model për proceset e tjera, posaçërisht për armët bërthamore e për armë, që nuk do të duhej të ekzistonin. Ta vëmë njeriun, nënvizon me forcë Françesku në përfundim, në qendër të përpjekjeve tona për çarmatimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.