2014-06-30 16:07:53

“Papa Françesku dhe çështja shoqërore” – Tema e Javës Shoqërore në Argjentinë


U mbyll, në Argjentinë, java shoqërore, takimi i përvitshëm që bashkon përfaqësuesit e feve, të politikës dhe të shoqërisë qytetare, për të diskutuar rreth çështjeve më të ngutshme të vendit latino-amerikan. Këtë vit të gjitha diskutimet u bënë në dritën e mësimeve të Papës, i cili, si kryeipeshkëv i Buenos Airesit i ndiqte gjithmonë me vëmendje këto punime. Titulli i takimit këtë vit: “Papa Françesku dhe çështja shoqërore”.
Përmasa shoqërore e fesë, rëndësia e pjesëmarrjes dhe vendimi për të nisur veprime konkrete për të zhvilluar kulturën e takimit, kaq të dashur për Papën Françesku. Këto ishin temat qendrore të takimit të organizuar nga komisioni ipeshkvnor i baritorisë shoqërore, që u mbyll dje në qytetin Mar del Plata të Argjentinës. Drejtues politikë e sindakalistë me prejardhje të ndryshme, eksponentë të organizatave sipërmarrëse dhe punonjës shoqërorë, morën pjesë, bashkë me ipeshkvinjtë dhe meshtarët e angazhuar në këtë sektor, në një shkëmbim mendimesh të thella mbi problemet më të vështira dhe dramatike që godasin shoqërinë argjentinase dhe përgjithësisht vendet në zhvillim.
Për përballimin e këtyre problemeve u paraqitën propozime konkrete, frymëzuar nga gjestet dhe predikimet e Papës. Motoja e këtij takimi ishte: “Papa Françesku dhe çështja shoqërore” dhe secili grup pune mori në shqyrtim si duhen zbatuar mësimet e Papës në lidhje me problematikat e ndryshme. Ndër çshtjet më delikate bie në sy ajo e fëmijëve, e të moshuarve të braktisur, e të droguarve, e të rinjve, e familjeve, e varfërisë dhe ajo e zhvillimit të përbashkët tërësor. Fjalët e Papës hedhin dritë në jetën e njerëzve dhe të popujve dhe janë burim frymëzimi për të ndryshuar sjelljen në rrafshin personal e për të reformuar strukturat shoqërore, lexohet në dokumentin përfundimtar, ku nënvizohen edhe shqetësimet për situatat përjashtuese, të cilat nuk lejojnë që të gjithë të mund të jetojnë me dinjitet, si bij të Hyjit.
Ngjarja, e njohur si “Java shoqërore”, zgjati tri ditë dhe këtë vit pati një pjesëmarrje të veçantë të niveleve të larta.








All the contents on this site are copyrighted ©.