2014-06-29 13:34:11

Solemniteti i Shën Pjetrit dhe Shën Palit


Solemniteti i sotëm është shumë i lashtë: gjendet në Librin romak të shenjtorëve shumë para solemnitetit të Krishtlindjes. Në shekullin IV kremtoheshin tashmë tri meshë: njëra në Shën Pjetër në Vatikan, tjetra në kishën e Shën Palit jashtë mureve, e treta tek katakombet e Shën Sebastianit, ku ka shumë mundësi se ishi fshehur, për një farë kohe, trupat e dy apostujve. RealAudioMP3
Shën Pjetri
Simoni ishte një peshkatar nga Betsaida (Lk 5,3; Gjn 1,44), që kishte zënë vend në Kafarnaum (Mk 1,21.29). Vëllai i tij, Andrea, e paraqet tek ndjekësit e Jezusit (Gj 1,42), por ndoshta Simonin e kishte përgatitur Gjon Pagëzuesi për këtë takim. Krishti ia ndryshon emrin dhe e quan “Shkëmb” (Mt 16,17-19; Gj 21,15-17), për të realizuar nëpërmjet vetjes së tij temën e gurit themelor. Simon Pjetri është njëri nga dëshmitarët e parë që sheh varrin e Jezusit të zbrazur (Gj 20,6) dhe të cilit Jezusi i ringjallur i shfaqet në një mënyrë krejtësisht të veçantë (Lk 24,34). Pas ngjitjes së Krishtit në qiell ai merr drejtimin e bashkësisë së krishterë (Vap 1,15;15,7), shpall linjat programuese të Lajmit të Mirë (Vap 2,14-41) dhe, ma anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shpirtit të Shenjtë, është i pari që bëhet i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e hapjes së Kishës ndaj paganëve (Vap 10-11).
Ky mision shpirtëror nuk e çliron nga natyra njerëzore, as nga mangësitë e temperamentit të tij (khs Mt 14,30; Gjn 13,6;18,10). Pali nuk ngurron ta kundërshtojë në diskutimin e bujshëm të Antiokisë (Vap 15; Gal 2,11-14), për ta ndihmuar që të çlirohet nga praktikat hebraike. Duket se në këtë pikë Pjetri nuk u gjet i gatshëm ta hapte mendjen dhe se kishte prirjen t’i shikonte të krishterët me prejardhje pagane si një bashkësi më e ulët se ajo e të krishterëve me prejardhje hebraike (Vap 6,1-2).
Kur erdhi në Romë, Pjetri u bë apostulli i të gjithëve. Atëherë ai përmbush plotësisht misionin e vet si guri i themelit, duke bashkuar një një “ndërtesë” të vetme judenjtë dhe paganët, dhe e vulos këtë mision me gjakun e vet.
Shën Pali
Pas kthimit në udhën për Damask, përshkon tërë rajonin e Mesdheut në katër ose pesë ushëtime. Udhëtimin e parë e bën në shoqërinë e Barnabës (Vap 13-14): nisen nga Antiokia, ndalen në ishullin e Qipros dhe pastaj përshkojnë Azinë e Vogël, që është Turqia e sotme. Pas mbledhjes së apostujve në Jeruzalem, Pali fillon një tjetër udhëtim, këtë herë krejtësisht si i “dërguari” i të “Dymbëdhjetëve” (Vap 15,36-18,22). Përshkon edhe një herë Azinë e Vogël, ungjillëzon edhe një herë Frizinë dhe Galacinë, ku edhe sëmuret (Gal 4,13).
Pastaj kalon në Evropë bashkë me Lukën dhe themelon bashkësinë e qytetit të Filipit, në Greqinë veriore. Pas një periudhe burgu, ungjillëzon Greqinë. Në Athinë, misioni i tij ndeshet me arsyetimet e filozofëve. Në Korint themelon bashkësinë që do t’i krijojë problemet më të mëdha e pastaj kthehet në Antioki.
Udhëtimin e tretë (Vap 18,23-21,17) e bën në Kishat e themeluara në Turqinë e sotme, veçanërisht në Efes, në Greqi e në Korint. Duke kaluar nëpër Milet, u parathotë pleqve provat që e presin. Në të vërtetë, pak pas kthimit të tij në Jeruzalem, e arrestojnë hebrenjtë dhe e burgosin (Vap 21). Duke qenë se ishte nënshtetas romak, Pali i bën apel Romës.
Fillon kështu udhëtimi i katërt, drejt Romës, por këtë herë nën pranga (Vap 21-28). Arrin në Romë rreth vitit 60 ose 61 dhe rri në burg deri më 63. Në burgun e Romës përfiton nga disa lehtësira dhe hyn në kontakt me të krishterët e qytetit. Gjatë kësaj kohe shkruan të ashtuquajturat “letrat e burgut”.
Pasi u lirua nga burgu, më 63, mendohet se bën udhëtimin e fundit në Spanjë (Rm 15,25-28), ose në babshkësitë e drejtuara nga Timoteu e Titi, të cilëve u shkruan letrat, nga të cilat lë të kuptohet se po i afrohej fundi. Pasi e arrestuan dhe e burgosën edhe një herë, e martirizojnë rreth vitit 67.
Pjetri e Pali: dy emra që gjatë shekujve kanë personifikuar mbarë Kishën në Traditën e saj të pashkëputur. Me anë të predikimit të tyre , Zoti i ka dhënë Kishës frytet e para të fesë së krishterë. Dy mjeshtrave të parë të fesë u rrëfehen edhe mëkatet në Confiteor, duke njohur tek ata Kishën historike. Edhe për lindorët dy “vëllezërit” janë sinonim i mbarë kolegjit apostolik, gurë themelorë të fesë.
Edhe sot e kësaj dite Papa e thërret në ndihmë autoritetin e apostujve Pjetër e Pal në aktet zyrtare, kur ka për qëllim ta lidhë Traditën me burimin e saj: fjalën e Hyjit. Vetëm me anë të dëgjimit të kësaj fjale në Shpirtin e Shenjtë, Kisha mund të “përsoset në dashuri, në bashkimm me Papën, ipeshkvinjtë dhe mbarë urdhërin meshtarak”.

Leximi i parë (Vap 12, 1-11)
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin. Ishin ditët e Bukëve të pambrume. E pasi e kapi, e qiti në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që mbas Pashkëve ta qesë para popullit. Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por urata e përzemërt e kishës ngrihej vazhdimisht para Hyjit për të.
Atë natë, para se Herodi të mendonte ta qesë para popullit, Pjetri flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur në dy parë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun. Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetri në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi të mbathurat!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Veshe petkun tënd dhe eja pas meje!” Pjetri doli dhe po i shkonte pas.
Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ngjante me anë te engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim. Kaluan rojën e parë dhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij.
Atherë Pjetri erdhi në vete e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet për të më shpëtuar nga dora e Herodit dhe prej gjithçka priste populli i judenjve”.

Fjala e Zotit

Psalmi 34 (33)
Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet.

Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im krenohet në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen. R/

Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi
Edhe më çliroi nga çdo frikë që pata. R/


Shikojeni atë e do të ndriçoheni
Fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
Dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tij. R/

Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
Që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të! R/

Leximi i dytë (2 Tim 4, 6-8. 17-18)
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, gjykatësi i drejtë, dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.
Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe
ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!

Fjala e Zotit

Aleluja!
Ti je Pjetër- Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb
Unë do ta ndërtoj Kishën time
Dhe dyert e ferrit s’ do të ngadhënjejnë kundër saj!
Aleluja!

Ungjilli (Mt 16, 13 -19)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë
njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
Ata iu përgjigjën: “Disa thonë se ështe Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.”
“Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?”
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë”.
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e
gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

Fjala e Zotit


Këta martirë predikuan çfarë panë (Nga Fjalimet e Shën Agostinit)]Martirizimi i apostujve të shenjtë Pjetër e Pal e ka shenjtëruar për ne këtë ditë. Nuk po flasim për martirë që mezi i njohim. Në të vërtetë, “në mbarë tokën përhapet zëri i tyre, deri në skajet e botës fjala e tyre” (Ps 18,5). Këta martirë kanë predikuar çfarë kanë parë. Kanë ndjekur drejtësinë. Kanë dëshmuar të vërtetën dhe vdiqën për të vërtetën.
I lumi Pjetër, i pari ndër apostuj, plot me dashuri të zjarrtë për Krishtin, pati hirin ta dëgjonte vetë Jezusin, tek i thoshte: “E unë po të them: Ti je Pjetër” (Mt 16,18). Pak përpara Pjetri i ishte drejtuar Jezusit me këto fjalë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të Gjallë” (Mt 16,16). E Jezusi i ishte përgjigjur me këtë pohim: “E unë po të them: Ti je Pjetër e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time” (Mt 16,18). Mbi këtë shkëmb do ta themeloj fenë që ti kumton. Do ta themeloj Kishën time mbi pohimin tënd: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. Ti, në të vërtetë, je Pjetri. Fjala Pjetër vjen nga guri dhe jo fjala gur nga Pjetri. Fjala Pjetër rrjedh prej gurit, sikurse fjala “i krishterë” rrjedh nga Krishti.
Zoti Jezus, siç e dini tashmë, i zgjodhi nxënësit para mundimeve dhe i quajti apostuj. Ndër të gjithë apostujt, vetëm Pjetri mori detyrën të personifikojë gati gjithkund mbarë Kishën. Dhe pikërisht falë këtij personifikimi të mbarë Kishës ai meritoi ta dëgjonte Krishtin duke i thënë: “Ty do të t’i jap çelësat e mbretërisë së qiellit” (Mt 16,19). Por, këto çelësa nuk i ka marrë vetëm një jeri, por mbarë Kisha. Nga ky fakt buron madhështia e Pjetrit, sepse ai është personifikimi i universalitetit dhe bashkimit të Kishës. “Ty do të të jap” çfarë u është besuar të gjithëve. Këtë gjë dëshiron të thotë Krishti. Dhe që ta dini se çelësat e mbretërisë së qiejve i ka marrë Kisha, vini re çfarë thotë Zoti në një tjetër rrethanë: “Merreni Shpirtin e Shenjtë” e menjëherë shton: “Atij që do t’ia falni mëkatet, do t’i falen dhe atij që nuk do t’ia falni nuk do t’u falen” (Gj 20,22-23).
Me të drejtë, edhe pas ringjalljes Zoti ia besoi vetë Pjetrit detyrën të kulloste grigjën e tij. E kjo nuk ndodhi ngaqë ishte ai i vetmi ndër nxënës që e meritonte këtë detyrë, por sepse kur Krishti i drejtohet dikujt, dëshiron të shprehë bashkimin. I drejtohet që në fillim Pjetrit, sepse Pjetri është i pari ndër apostuj.
Mos u tërhiq, o apostull. Përgjigju një, dy, tri herë. Le të fitojë tri herë në dashuri dëshmia, sikurse mendjemadhësia është mundur tri herë nga frika. Tri herë duhet të zgjidhësh çfarë ke lidhur tri herë. Zgjidh me anë të dashurisë, çfarë kishe lidhur me anë të frikës.
E kështu, Zoti, një herë, dy herë, tri hetë, ia besoi Pjetrit delet e veta. Një ditë e vetme i kushtohet festës së dy apostujve, por edhe ata qenë një gjë e vetme. Pjetri priu, Pali shkoi pas. Ta kremtojmë, prandaj, këtë ditë feste, të cilën e shuguroi për ne gjaku i apostujve. E le ta duam fort fenë, jetën, mundin, vuajtjet, dëshminë dhe predikimin e tyre.

Tre dimendime për shërbesën e Pjetrit, duke u nisur nga folja “përforcoj”. Çfarë është i thirrur të përforcojë Ipeshkvi i Romës?
(Homelia e Papës Françesku, më 29 qershor 2013)
    Para së gjithash, të përforcojë në fe. Ungjilli flet për shpalljen e Pjetrit: “Ti je Krishti, biri i Hyjit të gjallë” (Mt 16,16), shpallje që nuk buron prej tij, por prej Atit qiellor. Pikërisht për këtë shpallje Jezusi thotë: “Ti je Pjetri e mbbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time”. Roli, shërbimi kishtar i Pjetrit, e ka themelin e vet në shpalljen e fesë në Jezusin, Birin e Hyjit të gjallë, e cila është e mundur falë hirit që i është dhënë nga lart.

Në pjesën e dytë të Ungillit të sotëm, shohim rrezikun e të menduarit në mënyrë mondane. Kur Jezusi flet për vdekjen dhe ringjalljen e vet, për rrugën e Zotit, që nuk përkon me rrugën njerëzore të pushtetit, tek Pjetri zgjohen mishi e gjaku: “filloi ta qortonte Zotin: ...kjo nuk do të të ndodhë kurrë” (16,22). E Jezusi përdor një fjalë të ashpër: “Ec pas meje, Satan! Ti më bëhesh pengesë” (16,23). Kur lejojmë të mbizotërojnë mendimet tona, ndjenjat tona, logjika e pushtetit njerëzor, dhe nuk lejojmë të na mësojë dhe të në udhëheqë feja, Hyji, bëhemi gur pengese. Feja në Jezusin është drita e jetës sonë si të krishterë dhe shërbestarë në Kishë.
    Përforcimi në dashuri. Në leximin e dytë dëgjuam fjalët mallëngjyese të Shën Palit: “Luftën e mirë e luftova, vrapin e përfundova, fenë e ruajta” (2 Tim 4,7). Për cilën luftë bëhet fjalë? Jo për luftën e armatosur, që fatkeqësisht ende e përgjak botën, por për luftën e martirizimit. Shën Pali ka vetëm një armë: mesazhin e Krishtit dhe dhurimin e tërë jetës së vet për Krishtin dhe për të tjerët. Dhe pikërisht angazhimi i plotë i tij, shkrirja për Ungjillin, gatishmëria për të qenë gjithçka për të gjithë, pa u kursyer, e bënë Pjetrin të besueshëm dhe kështu ndërtoi Kishën. Ipeshkvi i Romës është i thirrur ta jetojë këtëp dashur dhe t’i përforcojë njerëzit në këtë dashuri për Krishtin dhe për të gjithë, pa dallime, kufizime dhe pengesa. Dhe jo vetëm Ipeshkvi i Romës, të gjithë ju, kryeipeshkvinj e ipeshkvinj, keni të njëjtën detyrë: të shkrihemi për Ungjillin, të bëhemi gjithçka për të gjithë. Kemi për detyrë të mos kursehemi, të dalim nga vetvetja, në shërbim të popullit të shenjtë besnik të Hyjit.
    Përforcimi në bashkim. Këtu po ndalem tek gjesti që bëmë. Palliumi është simbol i bashkimit me Pasardhësin e Pjetrit, “parimi dhe themeli i përhershëm dhe i dukshëm i unitetit në fe e në bashkim” (Konc. II i Vat., Lumen Gentium, 18). Prania juaj sot, vëllezër të dashur, është shenjë se bashkimi në Kishë nuk është njëtrajtësi. Koncili II i Vatikanit, duke iu referuar strukturës hierarkike të Kishës, pohon se Zoti “i themeloi apostujt në formën e kolegjit ose të grupit të qëndrueshëm, në krye të të cilit vuri Pjetrin, zgjedhur mes tyre” (n. 19).

Përforcimi në unitet; Sinodi i Ipeshkvinjve, në harmoni me parinë. Duhet të ecim në udhën e sinodalitetit, duhet të rritemi në harmoni, me shërbesën e parësisë. Dhe vijon Koncili: “ky Kolegj, duke qenë i përbërë nga shumë vetë, shpreh larminë dhe universalitetin e popullit të Hyjit” (n.22). Në Kishë, larmia, që është një pasuri e madhe, themelohet gjithmonë në harmoninë e unitetit, si një mozaik i madh, në të cilin të gjithë gurët ndihmojnë për të formuar vizatimin e madh të Hyjit. Kjo duhet të na shtyjë të tejkalojmë gjithmonë çdo konflikt që e lëndon trupin e Kishës. Të bashkuar, në larmi. Nuk ka një rrugë tjetër katolike për t’u bashkuar. Ky është shpirti katolik, shpirti i krishterë: të bashkuar në larmi. Kjo është udha e Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.