2014-06-29 15:00:25

Simboli i palios gjatë shekujve


Riti tradicional papnor i dorëzimit të palios, është shenjë e lashtë që, sipas dëshmive historike, Papa duhet ta ketë përdorur që në shekullin IV. Ka shumë mundësi që palio të jetë simbol dinjiteti, që u dorëzohej perandorëve e që pastaj, me kohë, u kaloi ipeshkvijve. Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm ipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e tyre. RealAudioMP3
Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë palion nga Papa. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, u bë reforma e palios, sipas vendimit të Papës Palit VI. Që atëherë palio u dorëzohet vetëm kryeipeshkvijve metropolitë e shumica e tyre e marrin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen shpirtërore e kishtare të ipeshkvit, që e merr palion, me Selinë Apostolike, me Papën.

Palio është simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës

Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qengja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove, të cilat bekohen nga Papa, për t'u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.
Shumë e pasur, simbolika e palios - një fashë leshi e bardhë, e gjërë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qindisura me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa palion.

Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.
Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo.

Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.









All the contents on this site are copyrighted ©.