2014-06-29 17:13:30

Papa në Engjëllin e Tënzot; dialogu, e vetmja udhë për paqen në Irak


Dialogu është e vetmja udhë për paqen: e pohoi Papa Françesku menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kushtuar solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, duke u lutur për Irakun e tronditur rëndë nga dhuna. RealAudioMP3
Lajmet që vijnë nga Iraku, flasin për një vend në flakë, viktimë tragjike e dhunës. Tepër të dhimbshme këto lajme, për Atin e Shenjtë:
Bashkohem me ipeshkvijtë në thirrjen drejtuar qeveritarëve që, përmes dialogut, të mund të ruhet uniteti kombëtar e të shmanget lufta. Jam pranë mijëra familjeve, posaçërisht atyre të krishtera, që u detyruan të largohen nga shtëpitë e që janë në rrezik të madh. Dhuna lind dhunën. Dialogu është rruga e e vetme për paqen”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar solemnitetin e sotëm të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Papa u ndal tek figurat e dy Apostujve, që Kisha e Romës i kremton në një festë të vetme. Besimi në Jezu Krishtin, kujtoi, i bëri vëllezër; martirizimi, një gjë e vetme. Krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri në planin njerëzor, u zgjodhën personalisht nga Zoti Jezus, shtoi Ati i Shenjtë, e iu përgjigjen thirrjes, duke dhuruar gjithë jetën e tyre e duke e lënë veten të shndërrohen nga hiri i Krishtit, që i bëri të kryejnë vepra të mëdha:
“Simoni e pati mohuar Jezusin në çastin dramatik të mundimeve; Sauli i persekutoi rreptë të krishterët. Por që të dy e pranuan dashurinë e Hyjit dhe e lanë t’i shndërronte me mëshirën e Tij. U bënë, kështu, miq e apostuj të Krishtit. Prandaj ata vijojnë t’i flasin Kishës e, edhe sot, na tregojnë udhën e shëlbimit”.
Zoti, siguroi Papa Françesku, është gjithnjë i aftë të na shndërrojë, edhe nëse rastësisht do të rrokulliseshim në mëkatet më të rënda a do të fundoseshim në natën më të zezë. Zoti na shndërron:
“Na e shndërron zemrën e na i fal fajet, duke e kthyer errësirën tonë të mëkatit, në agim drite. Po kështu është Hyji: na shndërron, na fal gjithnjë, siç bëri me Pjetrin e siç bëri edhe me Palin”.
Pjetri, shtoi Papa, na mëson t’i shikojmë të varfrit me syrin e fesë e t’u dhurojmë çka kemi më të çmuar: forcën e emrit të Jezu Krishtit, që e shëron edhe të gjymtin.
Nga Pali, vijoi Papa, kujtojmë episodin e thirrjes në rrugën e Damaskut, që shënon kthesën e plotë në jetën e tij: më përpara Pali ishte armik i betuar i Kishës, më pas, e vë gjithë vetveten në shërbim të Ungjillit:
“Takimi me Fjalën e Krishtit është në gjendje ta shndërrojë plotësisht jetën tonë. Nuk është e mundur ta dëgjosh këtë fjalë e të mos luash vendi, të rrish si i ngrirë a të vijosh zakonet tuaja. Ajo na nxit ta mundim egoizmin e zemrave tona, për ta ndjekur vendosmërisht Mësuesin, i cili dha jetën për miqtë. Është Ai vetë që, me fjalën e Tij, na shndërron; është Ai, që na e fal gjithçka, nëse ia hapim zemrën e i lypim falje”.
Festa kushtuar dy Shenjtorëve, na vë ballë për ballë me veprën e mëshirës së Hyjit në zemrat e dy burrave, dy mëkatarëve të mëdhenj:
Hyji dëshiron të na mbushë edhe ne me hirin e tij, ashtu si bëri me Pjetrin e me Palin. Virgjëra Mari na ndihmoftë ta pranojmë me zemër të hapur e të mos e marrim pa fryt”.
Pastaj, një mendim për kryeipeshkvijtë metropolitë, emëruar këtë vit dhe përshëndetjet drejtuar turmës shumëngjyrëshe në Shesh. Së pari, besimtarëve të Romës, në festën e Pajtorëve të tyre. Më pas, Forumit të shoqatave familjare të Lacios e, së fundi, organizatorëve dhe realizuesve të shfaqjes me fishekzjarre në Kastel Sant’Angelo. Ndihmat, që do të grumbullohen nga kjo nismë, do të përdoren për të mbështetur të rinjtë e Tokës Shenjte.









All the contents on this site are copyrighted ©.