2014-06-28 18:10:22

Papa: për ekumenizmin duhet “teologjia e bërë në gjunjë”


Duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë, për të ecur drejt unitetit të të krishterëve. Këtë theksoi Papa në audiencën me Delegacionin ekumenik të Patriarkanës së Kostandinopojës, të cilin e priti në prag të Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. Papa nënvizoi se edhe duke u nisur nga perspektiva të ndryshme, përmes teologjisë së bërë në gjunjë, mund të shpejtohet hapi në rrugën drejt bashkimit.RealAudioMP3

Të ndash bashkë gëzimet e të jesh vëlla me tjetrin. Me këto fjalë e priti Papa delegacionin e Kishës motër të Kostandinopojës, duke kujtuar posaçërisht Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I, “vëllain e dashur”, me të cilin jetoi përvojën e shtegtimit në Tokën Shenjte e, më pas, të Lutjes për paqe në Kopshtet e Vatikanit. Papa kujtoi edhe përqafimin e Palit VI me Atenagorën. Gjest profetik, vërejti. Hapi një udhë, që nuk u mbyll më:
Zoti na dhuroi këto raste takimi vëllazëror, në të cilat patëm mundësi t’i shprehim njëri-tjetrit dashurinë në Krishtin, që na lidh, e të përtërijmë vullnetin e përbashkët për të vijuar krah për krah ecjen në rrugën drejt bashkimit tonë të plotë”.
E dimë mirë, shtoi, se uniteti është dhuratë e Hyjit e se, falë forcës së Shpirtit Shenjt, mund ta shikojmë njëri-tjetrin me sytë e fesë e ta pranojmë ashtu si është në planin e Zotit, e jo ashtu si e bënë pasojat historike të mëkateve tona:
Nëse, të prirë nga Shpirti Shenjt, mësohemi ta shikojmë njëri-tjetrin në Hyjin, do të jetë akoma më i zhdërvjellët hapi ynë e më i shkathët bashkëpunimi në fusha të ndryshme të jetës së përditshme, e cila tashmë na bashkon lumturisht”.
Ky shikim teologal, vijoi, ushqehet me fe, me shpresë e me dashuri. Është i aftë të lindë një reflektim teologjik të vërtetë, që s’është tjetër, veçse pjesëmarrje në shikimin e Zotit mbi vetveten e mbi ne. Reflektim, shtoi që nuk mund të bëjë tjetër, veçse të na afrojë njëri me tjetrin në udhën drejt unitetit, edhe pse nisemi nga perspektiva të ndryshme:
“Besoj e lutem që puna e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar të jetë shprehje e këtij mirëkuptimi të thellë, e kësaj teologjie ‘të bërë në gjunjë’. Reflektimi mbi konceptet e parisë e të sinodalitetit, mbi kungimin në Kishën universale e mbi shërbimin e Ipeshkvit të Romës, nuk do të jetë, atëhere, rragatje akademike, as diskutim i thjeshtë ndërmjet qëndrimeve të papajtueshme”.
Kemi të gjithë nevojë t’ia hapim me guxim e besim zemrën Shpirtit Shenjt e ta shikojmë me sytë e Krishtit udhën e ekumenizmit shpirtëror, të përforcuar nga martirizimi i shumë të krishterëve, që realizuan ekumenizmin e gjakut.

Delegacionin e dërguar nga Bartolomeu e udhëheq metropoliti i Pergamos, Zizioulas i cili, në fjalën e tij, vuri theksin mbi rëndësinë e takimeve të Papës me Patrikun e Kostandinopojës si dhe mbi punën e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik të Kishës katolike me Kishën ortodokse:
The Mixed International Commission of the Dialogue…”
Komisioni ndërkombëtar i përbashkët për dialogun, theksoi, do të mblidhet në asamblenë plenare shtatorin e ardhshëm, për të vijuar diskutimin lidhur me parinë në Kishë. Argument i vështirë, pranoi metropoliti i Pergamos, por me ndihmën e Zotit kemi shpresë se do të përparojmë në këtë fushë. Mënyra sesi Shenjtëria Juaj e kupton dhe e vë në jetë parinë kishtare, përfundoi, i jep frymëzim e shpresë përpjekjeve tona për t’u marrë vesh edhe në këtë temë të vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.