2014-06-27 18:43:55

Nënshkruhet Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Serbisë


Dje, në Beograd, u nënshkrua një Marrëveshje dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Serbisë në fushën e arsimit të mesëm. Përmes kësaj marrëveshjeje, saktëson një Komunikatë zyrtare, konfirmohen parimet dhe përcaktohen udhëzimet lidhur me bashkëpunimin ndërmjet dy palëve në sektorin e arsimit të mesëm.Marrëveshja parashikon që palët të impenjohen për ta favorizuar bashkëpunimin në sektorin e arsimit të mesëm dhe për të nxitur lidhjet e drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve të këtij tipi. Impenjohen edhe të uniformojnë çështjet lidhur me njohjen reciproke të titujve akademikë e të dëftesave, që vërtetojnë vijimin e shkollës së mesme. Për zbatimin e marrëveshjes në fjalë, të dyja palët do të nënshkruajnë, më pas, protokollet përkatëse shtesë, në të cilat, lexojmë në një notë, do të përcaktohen edhe veprimtaritë konkrete si dhe kushtet organizative e financiare të zbatimit.
Marrëveshja i njeh e Kishës katolike në Serbi të drejtën për të themeluar e për të drejtuar Institucione të studimeve të mesme, si për disiplinat kishtare, ashtu edhe për lëndë të tjera të shkollave të mesme.
Marrëveshja në fjalë, përfundon komunikata, do të hyjë në fuqi në një datë, që do të njoftohet me rrugë diplomatike, kur të kryhen të gjitha procedurat e parashikuara.
Për Selinë e Shenjtë, Marrëveshjen e nënshkroi shkëlqesia e Tij, imzot Dominique Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, për Serbinë, zoti Ivica Daçiç, zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë. Në aktin solemn morën pjesë autoritete kishtare dhe shtetërore nga të dyja palët.








All the contents on this site are copyrighted ©.