2014-06-26 15:02:01

Papa në takimin me Roaco-n: ta kultivojmë paqen me shumë duar


Paqja “e kultivuar me shumë duar”, që “mund të rilindë gjithnjë”, sepse dhuratë e Krishtit: ky mendim ishte në qendër të fjalës së Papës Françesku para pjesëmarrësve të asamblesë së 87-të të përgjithshme të Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore, ROACO, të cilët i priti sot, në përfundim të mbledhjes së tyre. Ati i Shenjtë kujtoi Sirinë, Irakun, Tokën Shenjte, Lindjen e Afërt, Ukrainën dhe Rumaninë, vende në qendër të punimeve të këtyre ditëve: RealAudioMP3
“Paqja e vërtetë, ajo që bota nuk mund ta japë, na dhurohet nga Jezu Krishti. Prandaj, pavarësisht nga plagët e rënda, që i hapen edhe sot, ajo mund të rilindë gjithnjë”.
Ata që impenjohen në kultivimin e paqes, nënvizoi Papa, nuk duhet të harrojnë se rritja e kësaj bime varet nga Bujku i vërtetë, i cili s’mund të jetë askush tjetër, përveçse Zotit. Ati i Shenjtë përmendi udhëtimin e tij apostolik në Jordani, në Palestinë dhe në Izrael, që i dha një shtysë të re udhës drejt bashkimit të të gjithë të krishterëve dhe dialogut ndërfetar. Janë vëllezërit e motrat e Lindjes së Mesme, nënvizoi ai, të parët që duhet ta kultivojnë paqen:
“Nganjëherë, duke shpresuar, pavarësisht se shpresa është e pakët, duke qëndruar aty ku kanë lindur e ku, që nga zanafilla, u dëgjua Ungjilli i Birit të Zotit bërë njeri, të provojnë se janë ‘të lum veprimtarët e paqes, sepse do të thirren bij të Hyjit’”.
Papa Françesku u lut që këta vëllezër të përkrahen gjithnjë nga Kisha universale, për të ruajtur gjallë brenda vetes këtë siguri:
“Flaka e Rrëshajëve, fuqia e Dashurisë, mund ta ndalë zjarrin e armëve, të urretjes e të hakmarrjes. Lotët dhe frika e tyre janë tonat, ashtu si edhe shpresa e tyre! E tregon këtë solidariteti ynë, nëse do të arrijë të jetë konkret dhe i frytshëm, i aftë ta nxisë bashkësinë ndërkombëtare drejt mbrojtjes së të drejtave të individëve dhe të popujve”.
Ati i Shenjtë foli pastaj për bashkësitë e krishtera të Lindjes:
“Në veçanti, vëllezërve dhe motrave të Sirisë e të Irakut, ipeshkvijve dhe meshtarëve të tyre, iu shpreh, së bashku me ju, afërsinë e Kishës Katolike. Dhe e shtrij mbi Tokën Shenjte dhe Lindjen e Afërt, por edhe mbi Ukrainën e dashur, në këtë orë të vështirë që po jeton, si edhe mbi Rumaninë, për të cilën keni treguar interes gjatë punimeve”.
Këshilla e Papës: të vazhdohet impenjimi në favor të këtyre realiteteve:
“Ndihma juaj për kombet më të prekura mund t’u japë përgjigje nevojave parësore, sidomos për më të vegjlit e më të brishtët, ashtu si edhe për shumë të rinj, që tundohen ta braktisin atdheun e origjinës. E meqë bashkësitë lindore janë të pranishme në të gjithë botën, ju përpiquni të lehtësoni e të përkrahni kudo refugjatët dhe të shpërngulurit e shumtë, duke u kthyer dinjitetin e sigurinë, me respektin e duhur për identitetin dhe lirinë e tyre fetare”.
Së fundi, Papa Françesku inkurajoi formimin e brezave të rinj dhe të edukatorëve, duke ftuar t’i jepet përparësi familjes, sipas shembullit të Familjes Shenjte të Nazaretit, në kuadrin e Sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve mbi këtë temë.








All the contents on this site are copyrighted ©.