2014-06-26 18:08:30

Instrumentum Laboris për Sinodin e tetorit


Familja përballë Ungjillit dhe vështirësive, e thirrur për të përçuar jetën dhe fenë: kjjo është tema që shtjellon Instrumentum Laboris, dokumenti përgatitor i Sinodit të jashtëzakonshëm mbi familjen, i cili do të mbahet në Vatikan, më 5-19 tetor.
Instrumentum laboris përfshin dhe përmbledh përgjigjet e pyetësorit mbi temat e martesës dhe të familjes, që u botua në nëntor 2013. Duhet kujtuar se sinodi i tetorit të ardhshëm është i jashtëzakonshëm, domethënë: synon t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me çështje të ngutshme të shoqërisë. Detyra kryesore e tij është ajo e analizës së të dhënave që vijnë nga Kishat vendore, ndërsa udhëzimet baritore do të dalin gjatë sinodit të 2015-tës, me temë: “Jezu Krishti zbulon misterin dhe thirrjen e familjes”.
Pjesa e parë e Instrumentit, me titull “Të komunikosh Ungjillin e familjes sot” parashtron “të dhënat biblike” për familjen, themeluar mbi martesën ndërmjet burrit dhe gruas, krijuar sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit me Hyjin si bashkëpunëtore e Zotit në pranimin dhe përçimin e jetës. Pasi përmend dokumentat e shumta të Kishës mbi temën e familjes, dokumenti nxjerr në pah mosnjohjen e tyre nga ana e besimtarëve, edhe për shkak të mospërgatitjes si duhet të meshtarëve, që nuk dinë ta trajtojnë drejt problematikën e martesës dhe të familjes.
Pjesa e dytë, me titull “Baritoria e familjes përballë sfidave të reja”, flet në fillim për rëndësinë e përgatitjes paramartesore dhe atë të zhvillimit të përshpirtërisë popullore në dobi të familjes. Përmend, pastaj, rrethanat kritike me të cilat përballen familjet e sotme: dobësia e figurës së atit, fragmentarizimi si rrjedhojë e divorceve, dhuna dhe shpërdorimi i fëmijëve, tregtia e qenieve njerëzore, veçanërisht e të miturve, droga, alkolizmi, vartësia nga loja dhe nga mejtet e komunikimit shoqëror, etj... Një temë tjetër e kësaj pjese është ajo e rëndësisë që ka tema e punës për jetën e familjes. Vijojnë pastaj temat e tjera, si ajo e emigracionit, e varfërisë, e konsumizmit, eluftrave, e sëmundjeve etj...
Në fund, kjo pjesë e Instrumentit flet edhe për gjendjet e parregullta familjere dhe përgjigjet baritore që kërkojnë. Bashkëjetesa në çift, për shembull, i jep konceptit të familjes natyrë private, kurse për sa i përket çështjes së thjeshtimit të procedurave për njohjen e pavlefshmërisë së martesave, dokumenti bën thirrje për urti të mëtejshme.
Pjesa e tretë e Instrumentit, me temë “Hapja ndaj jetës dhe përgjegjësia edukuese, vë në dukje sa pak e njohin bashkëshortët doktrinën e Kishës lidhur me hapjen ndaj jetës. Prej këndej rrjedh edhe keqinformimi për sa i përket çështjes së mjeteve kontraceptive dhe metodave natyrore të kontrollit të lindjeve. Kërkohet që të jepen përgjigje më të thella për përballjen me ideologjinë e “Gender”-it dhe theksohet rëndësia e formimit fetar në gjirin e familjes, duke vërejtur se moskëmbëngulja e prindërve në përçimin e fesë vjen si rrjedhojë e pasigurisë së prindërve në çështje fetare.
Instrumentum laboris përfundon me lutjen e shkruar nga Papa Françesku në Festën e Familjes së Shenjtë të Nazaretit.








All the contents on this site are copyrighted ©.