2014-06-26 15:53:47

Ati i Shenjtë: të gjithë popujt duhet t’i gëzojnë të mirat e shkencës


Shkolla e Observatorit Vatikanas është nismë, që tregon se si të rinjtë e gjithë botës mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin në kërkimin e së vërtetës dhe në dëshminë e bashkëjetesës së harmonishme. Kështu u tha Papa Françesku, sot paradite, 25 të rinjve, studentë e të laureuar në astronomi, që marrin pjesë në kursin veror, organizuar nga Observatori Vatikanas në Kastel Gandolfo, duke filluar nga 1 qershori. Të pranishëm edhe disa profesorë, etërit jezuitë që e mbajnë shkollën dhe disa punonjës. RealAudioMP3
Tema e edicionit të 14-të të këtij kursi veror, që organizohet çdo vit dhe zgjat 4 javë, është “Galaktikat e afërta e të largëta, të reja e të lashta”. Profesorët dhe studentët vijnë nga 23 vende të botës. Pikërisht atyre, Papa u kujtoi se kanë folur jo vetëm për kozmosin, por kanë ndarë së bashku përshtypje e opinione, kanë vënë në dukje traditat e tyre kulturore dhe fetare, duke dëshmuar se mund të jetohet në harmoni, pranë njëri-tjetrit. Fytyra juaj kompozon një mozaik, që përfshin të gjithë popujt e botës, u tha Ati i Shenjtë:
“Është e drejtë që të gjithë popujt të kenë mundësi për punë kërkimore dhe për formim shkencor. Urimi që të gjithë popujt të gëzojnë të mirat e shkencës është sfidë, që na impenjon të gjithëve, sidomos shkencëtarët”.
Për këtë arsye, Shkolla e Astrofizikës e Observatorit të Vatikanit bëhet vend, ku të rinjtë ndihmojnë njëri-tjetrin në kërkimin e së vërtetës, që në këtë rast, theksoi Papa, konkretizohet në studimin e galaktikave:
“Kjo nismë e thjeshtë dhe konkrete tregon se shkencat mund të jenë mjet i përshtatshëm dhe i frytshëm për të promovuar paqen e drejtësinë”.
Ati i Shenjtë nënvizoi më pas dialogun e Kishës me shkencën, duke pasur parasysh se feja mund t’i hapë horizonte të reja arsyes:
“Në këtë dialog me shkencat, Kisha i gëzohet përparimit të admirueshëm shkencor, duke pranuar potencialin e jashtëzakonshëm që Zoti i ka dhënë mendjes njerëzore, ashtu siç gëzohet nëna, e cila me të drejtë, është krenare kur bijtë e saj rriten ‘në dije, moshë e hir’”.
Papa i ftoi të pranishmit t’i ndajnë njohuritë e tyre me njerëzit e vendeve të origjinës, pasi, vuri në dukje, vetëm një pjesë shumë e vogël e popullsisë botërore i di këto njohuri, që i vënë personat përballë pyetjeve të mëdha mbi kuptimin e universit. E kërkimi i përgjigjeve hap udhën e takimit me Krijuesin, përfundoi Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.