2014-06-25 16:19:00

Sudani i Jugut: thirrje e liderëve të krishterë për paqe


“Ndaleni luftën e filloni të flisni!”. Është kjo, thirrja e ngutshme e të krishterëve dhe e myslimanëve, drejtuar qeverisë dhe rebelëve të Sudanit të Jugut, duke u kërkuar t’i vënë në jetë marrëveshjet e 11 qershorit në Addis Abeba, për t’i dhënë fund konfliktit civil, shpërthyer dhjetorin e kaluar.
Një komunikatë dërguar agjencisë Fides, nga delegacioni i organizatave fetare të pranishme në konferencën e paqes, në Addis Abeba, denoncon mosrespektimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve dhe vonesat e panevojshme të bisedimeve për paqe. E arrin deri në atë pikë, sa të shprehë dyshimin se gjithë këto pengesa nuk janë tjetër, veçse pretekste për ta vijuar luftën e për ta mbytur përsëri në gjak, vendin e shumëvuajtur afrikan.
Liderët fetarë u kërkojnë të gjitha palëve në konflikt t’i vënë në jetë pa vonesë, marrëveshjet e paqes (përfshirë edhe formimin e qeverisë së unitetit kombëtar), që t’i kursehen vuajtjet e reja popullsisë së shkretuar prej shtatë muaj lufte.
Konflikti vë ballë për ballë forcat qeveritare, besnike të presidentit Salva Kiir me një sërë grupesh rebele, të lidhura me ish-presidentin Riek Machar.
Bisedimet për paqe, që vijojnë në kryeqytetin etiopik, ndërmjetësohen nga Igad (autoriteti i zhvillimit ekonomik rajonal). Marrin pjesë, përfaqësuesit e feve të Sudanit të Jugut, me siglën Faith Based Organizations Peace Delegation(delegacioni i organizatave fetare të pranishme në konferencën e paqes), me pjesëmarjen e Këshillit të Kishave të Sudanit të Jugut dhe Këshillit Islamik të Sudanit të Jugut.







All the contents on this site are copyrighted ©.