2014-06-25 16:42:42

Sudan. Meriam merret në pyetje pas ndalimit në aeroportin e Khartumit


Merret në pyetje nga policia sudaneze Meriam Yahya Ibrahim Ishaga, gruaja e krishterë, që u lirua të hënën, pas anullimit të dënimit me vdekje për apostazi. Fatkeqësisht, ajo u ndalua dje në aeroportin e Khartumit, ndërsa merrte avionin për të shkuar në SHBA, së bashku me të shoqin e me dy fëmijët. Avokati i saj, Mohamad Mustafa, shpjegoi për shtypin se Meriam nuk është arrestuar, por është marrë në pyetje për të verifikuar vërtetësinë e dokumentit, që i kanë dhënë autoritetet e Sudanit të Jugut, mbi të cilin duhet të ketë një vizë amerikane. Të dëgjojmë drejtorin e revistës së rregulltarëve kombonianë “Nigrizia”, atë Efrem Tresoldi:RealAudioMP3
Kjo duhet parë. Ministri i jashtëm sudanez ka thirrur ambasadorin e Sudanit Jugor e atë amerikan për sqarime. Vërtet, duket pretekst. Kemi të bëjmë me sjellje agresive kundër një njeriu të pafajshëm, që sipas akuzave, ka tradhtuar fenë islamike. Liria fetare nuk është vetëm e drejtë, por ka të bëjë me ndërgjegjen, pra me intimitetin e njeriut. Reagimi ndërkombëtar, me 3 milion firma kundër vendimit me vdekje të shkallës së parë, tregon se ndërgjegjja e botës i thotë ‘jo’ këtij abuzimi të pushtetit.
Ç’do të thotë të jesh i krishterë në Sudanin e sotëm?
Të jesh i krishterë në Sudanin e sotëm do të thotë të ecësh mbi fijen e perit, sepse që kur u nda në vitin 2011 dhe Sudani i Jugut fitoi pavarësinë, sudanezët e jugut që u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës civile dhe u strehuan në Sudan, shihen nga popullsia e Sudanit verior si tradhtarë, a thua se të krishterët janë fajtorë për ndarjen e vendit. E këtë e ndjejnë edhe misionarët, që akoma rezistojnë mes vështirësive, sepse shpesh, lejet e qëndrimit nuk rinovohen e u duhet të largohen. Disa Kongregata janë larguar tashmë nga Sudani, për shkak të këtyre kushteve gjithnjë e më të rënda.








All the contents on this site are copyrighted ©.