2014-06-25 16:18:49

Irak: Sinodi i Kishës kaldease kërkon dhuratën e paqes


Nisi dje, me kremtimin e Meshës, kryesuar nga patriarku Luis Raphael I Sako, Sinodi vjetor i Kishës kaldease. Sinodi kremtohet në qytezën e Ankavës, pak kilometra larg Erbilit, në Kurdistanin irakian.Gjatë kremtimit eukaristik, ipeshkvijtë kaldeas dhe gjithë të pranishmit, i lypën Zotit dhuratën e paqes për mbarë Lindjen e Mesme, duke nisur nga Iraku, që po rrokulliset për ditë e më thellë në greminën e luftës civile, nxitur nga sulmi në shkallë të gjerë, i milicëve xhihadistë të Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes (Isil).
Në takim marrin pjesë ipeshkvijtë kaldeas, ardhur jo vetëm nga Iraku, por edhe nga Libani, Siria, Irani, e deri nga Kanadaja e Australia. Në punimet, që po mbahen në mjediset e selisë patriarkale, me emrin e Shenjtorëve Addai e Mari e që do të përfundojnë të shtunë, më 28 qershor, me botimin e deklaratës përfundimtare, merr pjesë edhe nunci apostolik i Irakut dhe i Jordanisë, imzot Giorgio Lingua.
Sipas programit fillestar, Sinodi duhet të mbahej në Bagdad e të trajtonte kryesisht problemet, që kanë të bëjnë me jetën e brendshme të Kishës, si zgjedhja e ipeshkvijve për selitë vakante dhe lumnimi i ipeshkvijve martirë të shekullit XX. Në rendin e ditës, me nxitjen e Patriarkut Sako, u shtua, pastaj, edhe kriza e thirrjeve meshtarake, vlerësimi i rolit të laikëve dhe krijimi i një Lidhjeje kaldease, sipas modelit të Lidhjeve maronite, siriake e greke.
Zhvillimet dramatike të situatës në Irak ndikuan mbi zhvendosjen e selisë së takimit në qytetin e Kurdistanit irakian, në një zonë larg konfliktit, edhe për të lehtësuar pjesëmarrjen e ipeshkvijve të Irakut verior.
Natyrisht, shpjegoi pak ditë më parë për agjencinë Fides, atë Albert Hisham, zëdhënës i patriarkatit, situata e re, e krijuar në Irak, shkaktoi ndryshime në programin e takimit, në të cilin ipeshkvijtë po vlerësojnë edhe emergjencat e reja, që ndikojnë fuqimisht mbi kushtet e jetesës të të gjitha bashkësive të krishtera në mbarë vendin.









All the contents on this site are copyrighted ©.