2014-06-25 15:10:07

Atë Bentoglio: qeveritë, shpesh të paafta të rregullojnë fenomenin e emigracionit


“Linjat e baritorisë për emigracionin”: ky është titulli i kursit, organizuar në Romë nga Fondacioni “Migrantes” i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Edhe sikur të mbetemi në sipërfaqen e ngjarjeve e të fakteve, nuk mund të mos vërejmë masën e jashtëzakonshme të njerëzve, që nuk kanë më atdhe, shtëpi, punë, të drejta e që lëviz mbi hartën gjeografike të botës, me dorën e shtrirë drejt kujtdo, që mund ta ndihmojë të rilindë. Në fjalën e tij në këtë kurs, atë Grabriele F. Bentoglio, zv.sekretar i Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, e përmend këtë lëvizje njerëzore duke numëruar shifra njëra pas tjetrës: 16 milion refugjatë – ndër të cilët ata, që kërkojnë strehim politik dhe palestinezët, që varen nga Agjencia e OKB-së për ndihmën e punën – gati 29 milion të shpërngulur të brendshëm për shkak të konflikteve, 15 milion, refugjatët e fatkeqësive natyrore dhe 15 milion të tjerë, shkaktuar nga projektet e zhvillimit.
Atë Bentoglio përmend apolidët, një radhë e gjatë “njerëzish të padukshëm” (12 milion), pa nënshtetësi e pa të drejta, si edhe 36 milion ciganët, që jetojnë në Evropë, në Amerikë, në disa vende të Azisë. 18 milion prej tyre banojnë në Indi, toka e origjinës e kësaj popullsie. Në këtë lëvizje njerëzish duhen përfshirë edhe studentët ndërkombëtarë, që do të arrijnë 7 milionëshin, në vitin 2025, dhe turistët , një ushtri prej 980 milion vetësh, sipas statistikave të vitit 2010.
Para këtyre shifrave marramendëse Kisha pyet gjithnjë ç’mund të bëjë e si mund të veprojë në planin baritor e solidar. Atë Bentoglio e interpreton veprimtarinë e saj në dritën e Thirrjes Apostolike të Papës Françesku “Evangelii Gaudium”, në të cilën flitet për një Kishë “në dalje”, përkrah të fundmëve si një nënë me zemër të madhe. Natyrisht, ajo ka përparësi kumtimin e Ungjillit, e kapitulli i katërt i Thirrjes, nënvizon atë Bentoglio, kujton përmasën shoqërore të ungjillëzimit. Me këtë aspekt merret Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, duke u përqendruar në dy realitete kryesore: përfshirjen e të varfërve në shoqëri dhe, paqen e dialogun shoqëror.
E këtu, është vetë Papa, që cakton fushat e veprimit: të pastrehët, të droguarit, refugjatët, popujt indigjenë, të moshuarit, gjithnjë më të vetmuar e të braktisur… “Emigrantët – shkruan Ati i Shenjtë – janë për mua një sfidë të veçantë, si Bari i një Kishe pa kufi, që e ndjen veten nënë të të gjithëve. Prandaj, u bëj thirrje vendeve për hapjen e dyerve. Në vend që të kenë frikë nga tjetërsimi i identitetit, të aftësohen për të krijuar sinteza të reja kulturore. Sa të bukura janë – nënvizon Papa – qytetet, që e kapërcejnë mosbesimin dhe i integrojnë njerëzit, megjithëse të ndryshëm, duke e kthyer atë integrim në faktor të ri zhvillimi! Sa të bukura janë qytetet që, edhe në planin e tyre arkitektonik, janë plot me hapësira që lidhin, krijojnë marrëdhënie, favorizojnë njohjen e të tjerëve!”
Fenomeni i emigracionit, para të cilit institucionet janë shpesh indiferente, përfundon atë Bentoglio, tregon për çekuilibrin ndërmjet zonave të ndryshme të botës, ku mundësia e pabarabartë për të shfrytëzuar burimet, i bën të pasurit më të pasur e të varfërit më të varfër. E drejta për të emigruar, që u duhet garantuar të gjithëve, është e njëjtë me të drejtën për të qëndruar në atdhe, ku duhet t’u jepet të gjithëve mundësia për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vete dhe për familjen. Të dyja këto të drejta i nënshtrohen konceptit më të gjerë të qytetarisë, i cili nuk duhet t’i vërë kufi botës, duke u lejuar të gjithëve ta ndjejnë si atdhe universal, vend kalimi për në atdheun e amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.