2014-06-24 08:50:22

Shkrimtari Enzo Ciccone: Fjalët e Papës kundër mafjes peshojnë si gur mulliri


Ndrangeta është “adhurim i së keqes dhe përçmim i të mirës së përbashkët”. Fjalët e Papës kundër mafjes gjëmuan me forcë të shtunën e shkuar, në meshën e kremtuar në Sibari të Kalabrisë, ku u ndal gjatë vizitës në dioqezën Cassano allo Jonio. Papa Françesku u shpreh qartë se ata që ecinë “në udhën e së keqes, siç bëjnë mafiozët, nuk janë të bashkuar me Hyjin: janë të shkishëruar!”. Në lidhje me këto fjalë të Atit të Shenjtë, Radio Vatikani intervistoi shkrimtarin Enzo Ciccone, shkrimtar dhe studiues i kriminalitetit të organizuar:

Unë kam këtë bindje: nuk besoj se shpirti fetar i mafjozëve është shpirti fetar i katolikëve; besoj se është kryesisht një formë paganizmi, edhe pse ata e kanë përdorur fenë për të ecur përpara. Qysh kur mafiozët kanë hedhur hapat e parë, e kanë shikuar gjithmonë fenë si një pakt për miratimin shoqëror. Mund të ketë edhe mafiozë që mendojnë se janë katolikë praktikantë...Prandaj, ndoshta ndonjërit prej tyre do t’i trazohet ndërgjegjja.

Ky shkishërim, që shpalli Papa Frnaçesku a mund ta vështirësojë gjithnjë e më shumë miratimin shoqëror, që kërkon të krijojë rreth vetes kriminaliteti i organizuar?

Po, sepse papnimi i tij, edhe pse ende i shkurtër, është gjerësisht i miratuar. Prandaj mendoj se këto fjalë do të kenë një ndikim shumë të madh. Mendoni se në Kalabri është paraqitur nisma për të studiuar nëpër seminare historinë e Ndrangetës, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Njoftimi i seminarisëtve me të keqën që bën Ndrangeta, jo vetëm në rrafshin shoqëror dhe ekonomik, por në shpirtin e kalabrezëve dhe të italianëve, mendoj se është një fakt me rëndësi të jashtëzakonshme.

Çfarë domethënieje ka, kulturalisht, shoqërisht, në atë tokë, çfarë tha papa, duke u takuar me prindërit e vogëlushit Koko, fëmija trevjeçar i vrarë në pritë janarin e shkuar: “Kurrë më fëmijë viktima të Ndrangetës!” ?

Është e rëndësishme! Janë gjeste shumë të forta dhe shumë domethënëse, edhe pse ekzistonte një ide, të cilën e përçonte Ndrangeta dhe mafja në përgjithësi, se mafja nuk prekte as gratë, as fëmijët. Ishte një marrëzi e papranueshme, mjafton të mendojmë rastin e Kokosë. Mafja ka vrarë gjithmonë fëmijë e gra, kur u është dashur. Unë i dalloj këto dy çështje: një gjë janë anëtarët dhe ndjekësit, dhe nuk mund ta mas forcën ndikuese, edhe pse mendoj se një farë ndikimi e kanë... shpresoj se gabohem, por nuk mund të jetë ndikim përcaktues. Ata do ta kenë më të vështirë t’i mbajnë lidhjet me Kishën dhe me qytetarët e thjeshtë, me katolikët që në mirëbesim mendonin se është e mundshme të mahen lidhjet me mafjen. Nga kjo pikëpamje nuk ka dyshim se fjalët e Papës rëndojnë si gur mulliri, që zor se mund ta mbajnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.