2014-06-22 10:20:45

Vizita e Papës Françesku në Cassano allo Ionio të Kalabrisë. Motoja: “Vij për të kërkuar falje”


Papa Françesku shkoi dje për vizitë në dioqezën e Cassano allo Ionio, në një udhëtim që kishte si moto: “Vij për të kërkuar falje”. Fraza i referohet letrës së Atit të Shenjtë për besimtarët e dioqezës, kur emëroi ipeshkvin e zonës, imzot Nunzio Galantino, sekretar të përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Në stilin e tij të zakonshëm, Ati i Shenjtë u zhyt, sapo mbërriti, në realitetin e vështirë shoqëror kalabrez. Papa Françesku vizitoi Shtëpinë e rrethit të Kastrovilarit, pastaj të sëmurët në Shtëpinë “San Giuseppe Moscati”, pas dreke të moshuarit në “Shtëpinë e qetë” pikërisht në Cassano allo Ionio. U takua me meshtarët, u lut për njërin prej tyre, vrarë nga ‘ndrangheta’ (mafia kalabreze) e përshëndeti familjarët. Gjatë një dite plot me veprimtari, Ati i Shenjtë hyri në kontakt me disa nga realitetet shoqërore më delikate e më të ndërlikuara të zonës, para se të kremtonte meshën, që mbylli vizitën, në Fushën e Sibarit. E kështu ndodhi edhe gjatë drekës, kur Papa drekoi me të varfërit e Karitasit dioqezan. Intervistuam drejtorin e Karitasit, Raffaele Vidiri:
U organizuam, duke u frymëzuar nga një frazë, që Papa na dërgoi më 18 dhjetor, në të cilën na kërkonte falje që e kishte emëruar ipeshkvin tonë sekretar të përgjithshëm: atë frazë e shëtitëm në dioqezë, duke organizuar tre çaste feste, gëzimi e lutjeje në sheshe, në udhëkryqet e rrugëve e në periferi: ishte Papa, që u kërkonte falje të varfërve, të sëmurëve, jo besimtarëve… Morën pjesë shumë të rinj e ishin çaste të gëzueshme, por edhe lutjeje për gjithë popullin.
Papa u takua me të varfërit, drekoi me ta, u qëndroi pranë gjatë gjithë vizitës. Ç’u thotë kjo?
Për ne, është gjest afërsie të madhe me njeriun, në tërësinë e tij. Natyrisht, janë çaste emocionuese, sidomos për ata, që e kaluan drekën me Papën.
A mund të na tregoni cila është gjendja këtu, në Cassano allo Ionio e ç’kujdes tregoni ju si Karitas për të varfërit?
Si në Cassano, ashtu edhe në të gjithë dioqezën, kemi disa projekte: një mencë për të varfërit në Altomonte, një qendër për të vegjlit në Cassano e në Castrovillari. Kohët e fundit, shumë famulli janë aktivizuar, me nxitjen e ipeshkvit e të Karitasit, duke filluar projekte për të moshuarit, njerëzit me kufizime fizike, të rinjtë, të mënjanuarit dhe emigrantët. Natyrisht, varfëria që po del më shumë në pah dy vitet e fundit, është e lidhur me mungesën e punës e me vështirësitë për marrjen e kredive nga ana e familjeve, që shpesh, nuk kanë as ato 2-3 mijë euro të nevojshme për ndonjë shpenzim të paparashikuar, ose për të shlyer borxhet e mëparshme. Prandaj, kemi në program edhe një plan për dhënien e mikrokrediteve, në mënyrë që të ndihmojmë disi në zgjidhjen e këtij problemi. Përsa i përket punës, po përpiqemi të krijojmë bursa pune tre mujore për njerëz në vështirësi. Ato do t’u japin mundësinë të mësojnë një zanat të ri. Gjithashtu, do të përdorim kuponë (voucher) për punime në famulli e në strukturat e dioqezës. Së fundi, kemi bërë edhe një kurs për kopshtari, në të cilin morën pjesë 10 vetë, pikërisht për t’u dhënë atyre një zanat, që pastaj mund ta vazhdojnë në të ardhmen.
Të rinjtë e Kalabrisë e kanë braktisur shpesh tokën e tyre për ta kërkuar fatin gjetiu…
Po, kjo problematikë vazhdon: shpesh, ata që vendosin të studiojnë jashtë Kalabrisë, nuk kthehen më, pavarësisht se këtu kanë lënë pasuri, që mund t’i shfrytëzojnë për punë.







All the contents on this site are copyrighted ©.