2014-06-22 10:24:03

Shenjtorët e javës 23 - 29 qershor


Më 23 qershor përkujtohen shenjtërit martirë të Nikomedisë. Bëjnë pjesë në njërin prej katër grupeve të martirëve të Elespontit, që dhanë jetën më 303, nën përndjekjet e Dioklecianit. Nikomedia ishte qyteti i Dioklecianit, i cili, pasi u bë perandor, përveç përforcimit të kulteve të lashta romake, nisi njërën prej përndjekjeve më të egra kundër të krishterëve. I pari u martirizua Shën Pjetri i Nikomedisë, i cili shërbente në pallatin perandorak. Diokleciani deshi që ndëshkimi i të krishterit, që nuk pranoi t’u kushtonte flitë rituale perëndive romake, të ishte shenjë paralajmëruese për të gjithë të krishterët e tjerë në qytet. Pjetrit ia leckosën mishin dhe i hodhën uthull në të gjitha plagët. Pastaj e dogjën në turrën e druve. Sjellja heroike e këtij martiri u dha zemër njëzetmijë të krishterëve të Nikomedisë, të cilët pas pak ditësh e dëshmuan fenë në Krishtin, duke dhënë jetën.
Më 24 qershor përkujtohet lindja e Shën Gjon Pagëzuesit. Është i vetmi shenjtor, bashkë me Nënën e Zotit, për të cilin festa e lindjes në qiell përkon me atë të lindjes në tokë. Qe më i madhi ndër profetë, sepse tregoi të pranishëm mes njerëzve Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatet e botës. Thirrja e tij profetike, që në barkun e nënës, është plot ngjarje të jashtëzakonshme. Gjoni është paraardhësi i Krishtit, me fjalë e me jetë. Pagëzimi i pendimit, me të cilin shoqërohet shpallja e kohëve të fundit, është shëmbëllim i pagëzimit me Shpirtin e Shenjtë. Data e festës, tre muaj pas lajmërimit të Zojës dhe gjashtë muaj para Krishtlindjes, është caktuar sipas kronologjisë së Ungjillit të Lukës.
Më 25 qershor përkujtohet Shën Maksimi i Milanos. E udhëhoqi dioqezën, të cilën mendohet se e themeloi vetë, gjatë kohëve të mundimshme të pushtimeve barbare. U lind rreth gjysmës së shekullit IV dhe qe nxënës i Shën Ambrozit dhe Euzebit të Verçelit. Edhe pse njeri me karakter të butë, siç del nga homelitë dhe predikimet, që la, u dha besimtarëve shembullin e njeriut të qëndrueshëm. Besimtarëve, të trembur nga pushtuesit, u thoshte: “Është bir i padrejtë dhe i mbrapshtë ai që e braktis nënën në kohë rreziku. Atdheu është, në një farë mënyre, nënë e ëmbël”.
Më 26 qershor përkujtohet Shën Hose Maria Robles Urtado, meshtar e martir meksikan. U lind në Maskota më 3 maj 1888. Shërbeu si famullitar dhe themeloi kongregatën rregulltare të Motrave të Zemrës së Jezusit Sakramentor. Apostull i zjarrtë i devocionit ndaj Zemrës së Shenjtë të Jezusit, shkroi disa vepra me karakter popullor. Gjatë përndjekjeve antiklerikale në Meksikë, e burgosën dhe e varën në një pemë më 26 qershor 1927.
Më 27 qershor përkujtohet Shën Cirili i Aleksandrisë. Qe protagonist absolut në jetën e Kishës gjatë shekullit V. Shkrimtar i palodhur dhe polemist i shquar, nuk u zmbraps në debatin me paganët dhe judenjtë dhe u bë pika e referimit gjatë diskutimeve teologjike, që i paraprinë Koncilit III Ekumenik të Efesit (431) dhe vijuan më pas. Gjatë atyre viteve udhëhoqi Kishën e Aleksandrisë së Egjiptit dhe mbrojti me forcë ortodoksinë.
Më 28 qershor përkujtohet Shën Ireneu i Lionit. Me prejardhje nga Azia, jetoi në Francë dhe më 177 u bë ipeshkëv i Lionit. Ishte ipeshkvi i vetëm në tërë truallin gal dhe, duke qenë se gjuha e tij amtare ishte greqishtja, iu desh të mësonte gjuhët e barbarëve, për të ungjillëzuar popujt keltë e gjermanikë. Ku nuk arriti të predikonte me zë, arritën shkrimet e tij. Në pesë librat kundër herezive del në pah jo vetëm figura e apologjistit të madh, por edhe ajo e bariut të urtë.
Më 29 qershor është e diel, festa e Zotit. Po këtë ditë është edhe festa e Shën Pjetrit e Palit.








All the contents on this site are copyrighted ©.