2014-06-22 10:22:13

Korpi i Krishtit


Krishti rri me ne, në shenjën e pashkëve
Çdo njeri ndjen praninë e shumë vetëve në jetë. Praninë e prekshme dhe të afërt, si ajo e nënës, që vështron foshnjën, kur luan apo kur pushon. Praninë e padukshme, siç është ajo e dy njerëzve, që duhen, që mendojnë për njëri-tjetrin dhe takohen pavarësisht nga largësia fizike. Praninë që jep qetësi, kënaqësi, siguri, si edhe praninë e stuhishme, tronditëse, që paraqitet si kërcënim...
Domethënia e një pranie
Në rrafshin e përvojës së thellë njerëzore, njeriu përjeton në mënyrë të veçantë praninë e mistershme, por reale, të dikuj që e prek thellë në shpirt; prani që frymëzon një ndjenjë të parrëfyeshme mirëbesimi e sigurie dhe që jehon si thirrje brenda tij. Është zbulimi dhe vetëdijësimi për praninë krijuese të Hyjit, që na sjell në jetë, të atij Hyji, “në të cilin jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Vap 17,28), prania që e përkrah njeriun dhe e ushqen.
Prania e Hyjit mes nesh ka marrë, në histori, formën e dukshme dhe të prekshme të Jezusit, shëmbëllim i dukshëm i Hyjit të padukshëm, zbulues i misterit të Atit. Mishërimi dhe lindja e tij në Betlehem, nga Maria virgjër, në kohën e Cezar Augustit, është kulmi i një serie të gjatë shenjash, me të cilat Hyji i gjallë e kishte treguar praninë e vet.
Pas ngjitjes në qiell, kur nuk është më e mundur të përjetohet në mënyrë shqisore prania e Krishtit, ndryshon shenja e saj, por jo realiteti. Ai mbetet dhe dhurohet nën shenjën e bukës së thyer dhe të verës, me anë të të cilës kushton Trupin e vet, si ushqim, dhe Gjakun, si pije e shëlbimit dhe e jetës. Ai qëndron me ne deri në përfundimin e botës.
Ne kremtojmë “përkujtimin” e tij
Ne mund ta takojmë Jezusin, duke kremtuar “përkujtimin” e tij, veçanërisht “përkujtimin” liturgjik-sakramental. Gjatë kremtimit liturgjik përkujtojmë Jezusin, jetën e tij, vdekjen dhe ringjalljen e tij, dhe kështu e bëjmë të pranishëm mes nesh.
Nuk bëhet fjalë për një prani të papërcaktueshme dhe për një përkujtim që mbështetet vetëm tek kujtesa. Bëhet fjalë për përkujtimin, që me anë të shenjave të bukës e të verës, të cilat i ndajmë në bashkësi, bën të pranishëm Krishtin.
Duke qenë se Krishti është në qendër dhe në kulmin e të gjithë historisë së shëlbimit, Eukaristia, përkujtim i mundimeve-vdekjes-ringjalljes së tij, është kujtesë dhe kremtim i të gjithë historisë së shëlbimit: e ngjarjeve të Izraelit, “popullit të Hyjit”; e jetës së Krishtit; e historisë dhe e jetës aktuale të Kishës, “populli i ri i Hyjit”. Çfarë duhet të nënkuptojmë me fjalën “përkujtim”? Me anë të përkujtimit ruhet e shkuara. Çdo ngjarje njerëzore përmbushet në mënyrë kalimtare: është e vetme dhe e papërsëritshme. Nuk mundemi as ta ndalim, as ta përsërisim, një herë që ka kaluar. Këtu qëndron vlera dhe kufizimi i një ngjarjeje, rëndësia dhe natyra kalimtare, bukuria dhe pafuqia e saj. Megjithatë, të shkuarën mund ta mendojmë me anë të kujtesës. Kështu përkujtimi mbetet i gjallë. Për disa njerëz dhe vepra thuhet se janë të pavdekshme. Kanë vlerë historike. Për të mos lejuar që këto vepra ose këta njerëz të mos bien në harresë, i kujtojmë me një shenjë, një monument, një lapidar, një zjarr të përhershëm...
Përkujtimi i fesë si përkujtim i gjallë
Flija eukaristike është një formë përkujtimore ndryshe nga të tjerat, në thelb. Zotin e kujtojmë edhe me format që përmendëm pak më parë, për shembull kur vendosim një kryq, si kujtim i mundimeve të tij. E kujtojmë kur lexojmë së bashku Ungjillin, ose kur kryejmë disa gjeste, që sjellin ndërmend gjestet e Jezusit (sakramentet). Karakteri përkujtimor i veçantë i eukaristisë do të nënvlerësohej, nëse do të zvogëlohej në një nga këto forma. Ajo nuk është përkujtim psikologjik, në kuptimin e një kujtese, as një objekt, siç është një monument.
Është përkujtim krejtësisht i veçantë, në të cilin elementi psikologjik dhe ai ontologjik bashkohen në një njësi të epërme. Nuk është thjesht përkujtim qëllimor, por përkujtim plot realitet. Etërit e quajnë shpesh “imitim” i vdekjes së Jezu Krishtit. Megjithatë, nuk është riprodhim siperfaqësor i saj, por bashkim intim me të, sepse në Eukaristi, me anë të simbolit sakramental, bëhet e pranishme vdekja e Krishtit.
Eukaristia është shfaqje sakramentale e Pashkëve dhe kjo mund të njihet vetëm me anë të fesë. Eukaristia, pra, është përkujtimi i fesë.

Nga “Veprat” e Shën Tomës së Akuinit, doktor i Kishës

I njëlinduri Biri i Hyjit, duke dashur të na bëjë pjesëtarë të hyjnisë së tij, mori natyrën tonë dhe u bë njeri, për të na kthyer ne nga njerëz në hyjni. I dha vlerë për shpëtimin tonë gjithçkaje që mori mbi vete. I kushtoi trupin e vet Hyjit atë, si flijë mbi altarin e kryqit, për pajtimin tonë. Derdhi gjakun e vet, duke i dhënë vlerën e çmimit dhe të pastrimit, në mënyrë që, të shpëtuar nga skllavëritë poshtëruese, të pastroheshim prej të gjitha mëkateve. Me qëllim që të mbeste në ne, në fund, një kujtim i përhershëm i një dobie kaq të madhe, u la besimtarëve trupin e vet si ushqim dhe gjakun si pije, nën dukjen e bukës dhe të verës.
O tryezë e paçmueshme dhe e mrekullueshme, që u jep të ftuarve shpëtimin dhe gëzimin e pafund! Çfarë mund të jetë vallë më e çmueshme? Nuk na jepet mishi i viçave dhe i cjepve, si në ligjin e lashtë, por na jepet si ushqim Krishti, Hyji i vërtetë. Çfarë është më sublime se ky sakrament? Asnjë sakrament nuk është më i shëndetshëm se ky: me forcën e tij falen mëkatet, shtohen mundësitë e mira dhe mendja pasurohet me të gjitha dhuntitë shpirtërre. Në Kishë Eukaristia kushtohet për të gjallët dhe për të vdekurit, që t’u bëjë mirë të gjithëve, meqë u themelua për shpëtimin e të gjithëve.
Askush nuk mund ta shprehë shijen e këndshme e këtij sakramenti. Me anë të tij shijohet ëmbëlsia shpirtërore, tek vetë burimi i saj, dhe përkujtohet dashuria e lartë, që shfaqi Krishti me mundimet e veta. Ai e themeloi eukaristinë në Darkën e Fundit, kur, pasi kremtoi Pashkën me nxënësit e vet, po kalonte nga kjo botë tek Ati. Eukaristia është përkujtimi i mundimeve, përmbushja e figurave të Besëlidhjes së Vjetër, mrekullia më e madhe që bëri Krishti, dokumenti i mrekullueshëm i dashuris së tij të pafundme për njerëzit.

Tekste të Shën Ambrozit mbi Eukaristinë

    Në zanafillën e Eukaristisë gjendet fjala e Krishtit

Kush është, pra autori i sakramenteve, përveç Zotit Jezus? Këta sakramente burojnë nga qielli. Është me të vërtetë një mrekulli e madhe e hyjnore që Hyji ka dërguar nga qielli manën për popullin.
Ti thua: “Është buka ime e zakonshme”. Por kjo bukë është bukë para fjalëve sakramentale. Kur vjen shugurimi, nga bukë, bëhet mishi i Krishtit. Ta shpjegojmë këtë gjë: si mund të jetë trupi i Krishtit ajo që është bukë. Me çfarë fjalësh dhe me shprehjet e kujt kryhet shugurimi? Me ato të Zotit Jezus. Në të vërtetë, të gjitha formulat që thuhen më përpara, i thotë meshtari: lëvdëron Hyjin, i drejton lutje, ndërmjetëson për popullin, për mbretërit e për të gjithë të tjerët. Por kur arrin çasti në të cilin kryhet sakramenti i nderueshëm, meshtari nuk përdor më fjalët e veta, por ato të Krishtit. Pra, është fjala e Krishtit ajo që e kryen sakramentin. Cila është fjala e Krishtit? Kuptohet, ajo me anë të së cilës janë krijuar të gjitha gjërat.
Nëse fjala qiellore e ka ushtruar veprimin e vet në realitetet tokësore, a nuk do ta ushtrojë edhe më shumë në sakramentet qiellore? Prej këndej mund të kuptosh se buka bëhet trupi i Krishtit. Çfarë të themi pastaj për verën dhe për ujin? Vera derdhet në kelk, por falë shugurimit qiellor bëhet gjak. Ndoshta do të më kundërshtosh, duke thënë: “Nuk e shoh të duket si gjak”. Por është e barasvlefshme me gjakun. Ti pi diçka që është e barasvlefshme me gjakun e çmueshëm, që të shmangësh tmerrin e gjakut dhe, megjithatë, çmimi i shëlbimit është i vlefshëm dhe veprues. E ke kuptuar, pra se ajo me të cilën ushqehesh është trupi dhe gjaku i Krishtit.
Pra, buka, para se të shugurohet, është bukë. Por, pasi të shqiptohen fjalët e Krishtit, është trupi i Krishtit. Njësoj, para fjalëve të Krishtit, kelku është plot me verë e ujë; pas veprimit të fjalëve të Krishtit, në kelk formohet gjaku, që e ka shëlbuar popullin. Shikoni, pra, në sa mënyra fjala e Krishtit ka pushtetin për t’i shndërruar të gjitha gjërat. Në fund të fundit është vetë Zoti Jezus ai që na dëshmon se ne marrim trupin e tij dhe gjakun e tij. Mos vallë duhet të dyshojmë për hirin që na dhuron me dëshminë e vet?
2) Eukaristinë e “kremton” vetë Krishti
Kemi parë se tek ne erdhi princi i meshtarëve; kemi parë e dëgjuar si dhuroi për ne gjakun e vet. Ne meshtarët e ndjekim si mundemi, në mënyrë që të mund të kushtojmë flijën për popullin, ne, që nuk kemi merita, por që ajo flijë na bëri të mëdhenj.
Në fakt, edhe pse nuk duket se tani është Krishti ai që e kushton flinë, megjithatë ai vetë kushtohet mbi tokë, sepse kushtohet trupi i Krishtit. Madje është e qartë edhe se kushtimin e kryen ai vetë, mëpërmjet nesh, sepse flijën, që ne kushtojmë, e shenjtëron fjala e tij.
3) Krishti vetë ia dhuron sot Eukaristinë Kishës së vet
Varfëria e Krishtit na bën të pasur, kindi i petkut të tij na shëron, uria e tij na ngin, vdekja e tij jep jetë, varrosja e tij sjell ringjalljen. Është thesar i pasur ai i cili na jep bukën që na ushqen. Dhe është me të vërtetë ushqyese ajo bukë me të cilën, kush e ha, nuk ka më uri. Jezusi ua dha këtë bukë apostujve, që t’ua shpërndanin besimtarëve, dhe sot na jep neve atë bukë, të cilën vetë meshtari e shuguron çdo ditë me fjalët e Krishtit. Kjo bukë, pra, u bë ushqimi i shenjtorëve. Mund të marrim vetë Zotin, i cili na dha si ushqim trupin vet. “Unë jam buka e gjallë, zbritur nga qielli. Kush ha nga kjo bukë, do të jetojë në amshim. Edhe nëse i nënshtrohet vdekjes së përkohëshme, do të jetojë në amshim, nëse është ushqyer me bukën time”. Atë e merr kush e shqyrton thellë veten; e ai që e merr, nuk do të vdesë me vdekjen e mëkatarit, sepse kjo bukë është falja e mëkateve.
4) Në Eukaristi marr Krishtin, e mira ime e vërtetë
Unë, që më parë isha ai popull mëkatarësh, i përçmuar, gjendem tani në kushtet e një jete të nderuar, e cila është e lidhur me realitetin e shenjtë të qiellit. Jam pranuar në dinjitetin e pjesëtarëve të sofrës qiellore.
Për të fituar ushqimin, nuk nevojiten më shirat e bollshëm, as prodhimet e mundimshme të tokës, as frytet e bimëve. Për etjen time, nuk më duhen më lumenj as burime. Ushqimi im është Krishti, pija ime është Krishti, ushqimi im është trupi i Krishtit, pija ime është gjaku i Hyjit. Nuk pres më fitimet vjetore për t’u nginjur: Krishti më dhurohet çdo ditë. Nuk do të kem frikë se koha e keqe ose toka jo prodhuese do të më lënë pa bukë, nëse devocioni do të ma ruajë këtë “bukë” me shumë kujdes. Nuk kam më nevojë të bien zogj nga qielli, që dikur më dukej një mrekulli, as manë, e cila dikur më pëlqente më shumë se çdo ushqim: etërit tanë, të cilët e kanë ngrënë manën, kanë pasur uri më vonë. Ushqimi im është i tillë që, nëse dikush e ha, nuk ka më uri; ushqimi im nuk e shëndosh trupin, por forcon zemrën e njeriut.
5) Eukaristia, “bari” i përditshëm i të krishterit
Çfarë të ka thënë apostulli Pal, sa herë që të marrësh eukaristinë? Sa herë që marrim Eukaristinë, kumtojmë vdekjen e Zotit. Nëse kumtojmë vdekjen e Zotit, kumtojmë faljen e mëkateve. Nëse, sa herë që derdhet gjaku, derdhet për faljen e mëkateve, atëherë duhet ta marr gjithmonë, që gjitmonë të m’i falë mëkatet. Unë, që mëkatoj gjithmonë, duhet ta kem gjithmonë të gatshëm barin.
6) Eukaristia, “buka e përditshme” e vërtetë
“Bukën tonë të përditshme na e jep sot”. Ju thashë më lart se para fjalëve të Krishtit, ajo që kushtohet është bukë, por pasi të shqiptohen fjalët e Krishtit, nuk quhet më bukë, por trupi i Krishtit. Pse, atëherë, në lutjen e Zotit, që vijon menjëherë pas lutjes së shugurimit, flitet për “bukën tonë”. Po, Zoti ka thënë “bukë”, por “epiousion”, domethënë “e qenësishme”. Kjo nuk është buka që hyn në trup, por është ajo bukë e jetës së amshuar, që ushqen qenësinë e shpirtit tonë. Për këtë arsye grekët e quajnë “epiousios”, ndërsa latinët e quajnë të përditshme këtë bukë. Sidoqoftë, të fjalët janë njësoj të dobishme, si në latinisht, ashtu në greqisht.
Mirëpo, nëse buka është e përditshme, pse e marr një herë në vit, siç e kanë zakon grekët në Lindje? Merr çdo ditë çfarë të bën mirë çdo ditë. E jeto në mënyrë që të jesh i denjë për ta marrë çdo ditë!








All the contents on this site are copyrighted ©.