2014-06-22 12:35:48

Ati i Shenjtë në Kalabri, përshëndet Heparkinë arbëreshe të Ungros


Inkurajim i madh për arbëreshët e Ungros dje, gjatë Meshës, kremtuar nga Papa Françesku në Fushën e Sibarit, në Kalabri. Duke kujtuar një nga një realitetet e Kishës në vend dhe problemet e tyre, Papa nuk harroi të ndalej edhe tek Heparkia e arbëreshëve të Ungros, të kujtonte barinjtë e besimtarët e saj:RealAudioMP3
“Dëshiroj ta siguroj për mbështetjen time Ipeshkvin, meshtarët e diakonët e kësaj Kishe, e edhe të Heparkisë së Ungros, të pasur me traditën e saj greko-bizantine. Pa harruar gjithë barinjtë e besimtarët e Kishës në Kalabri, që impenjohen, pa iu trembur syri, në misionin e ungjillëzimit e të favorizimit të stileve të jetës dhe të nismave, që vënë në qendër të vëmendjes të varfërit…”.
Janë fjalët e Papës, në atmosferën festive, e jo më pak impenjative, të Meshës në Fushën e Sibarit, ku ishin të pranishëm edhe qindra besimtarë arbëreshë të Kalabrisë. Në këtë atmosferë, kujtojmë se Kisha e ritit lindor është e pranishme edhe ndër shqiptarë, posaçërisht ndër arbëreshë, të cilët janë të organizuar në tre Qarqe Bizantine: Heparkia e Ungros, e Horës së Arbëreshëve si dhe Manastiri Hekzarkik i Shën Marisë, në Grota Ferrata (Itali). Po kujtojmë disa nga barinjtë më të njohur të arbëreshëve: Arkimandriti, Profesor Atë Manuel Nin; Arkimandriti Donat Olivieri; Monsinjor Natale Loda; imzot Ercole Lupinaçi, ipeshkëv nderi i Ungros; Imzot Sotir Ferrara, ipeshkëv nderi i Horës së Arbëreshëve; Papas Emmanuel Xhordano, figurë e njohur e kulturës arbëreshe; Atë Emiliano Fabrikatore, abat nderi i abacisë së famshme të Grota Ferratës.
Nuk mund të mos kujtojmë edhe figurën e ndritur të monsinjor Eleuterio Fortinos, që kreu për shumë vjet misionin e zëvendës-sekretarit të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Zëri dhe veprimtaria e monsinjorit të ndjerë i mungojnë shumë Kishës universale, asaj ndër shqiptarë e edhe Radio Vatikanit, që ruan në arkiv, një numër të madh intervistash të Prelatit të ndjerë arbëresh.
Kujtojmë edhe të krishterët e ritit lindor në Elbasan, që i dhuruan Kishës katolike martirin e fesë, atë Josif Papamihalin (1912-1948) varrosur për së gjalli në baltërat e Kënetës së Maliqit, në listën e 40 martirëve shqiptarë, kandidatë për nderimet e elterit, si dhe veprimtarinë e motrave baziliane, të lidhura me ritin lindor, të cilat tashmë kanë disa shtëpi në vise të ndryshme të Shqipërisë e prihen nga një eprore shqiptare, Nënë Elena Lulashi, figurë e admirueshme në radhët e grave shqiptare, që impenjohen në misionin universal të ungjillëzimit.











All the contents on this site are copyrighted ©.