2014-06-20 13:49:10

Papa: të mos na e robërojë zemrën paraja, mburrja, pushteti


Jezusi na kërkon ta kemi zemrën të lirë, larg robërisë së parave, të mburrjes, të pushtetit. Këtë pohoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se pasuritë e vërteta janë ata, që e shndrisin zemrën, si adhurimi i Zotit e dashuria e të afërmit. Më pas kujtoi se thesaret e kësaj bote e rëndojnë dhe e robërojnë zemrën tonë.RealAudioMP3

Mos grumbulloni për vete thesare mbi këtë tokë! Rreth kësaj këshille të Jezusit, për të cilën fliste Ungjilli i sotëm, e shtjelloi gjithë homelinë Papa Françesku. Është këshillë, që të shtyn të jesh i matur, duke të kujtuar se thesaret mbi tokë nuk janë aspak të sigurta: prishen, bien në dorë të hajdutëve, që nuk mungojnë kurrë. “Po atëhere, për ç’thesare e ka fjalën Jezusi?” pyeti Papa. Kryesisht për tre, të cilat i kujton, duke u kthyer vazhdimisht tek ky argument:
“Thesari i parë: ari, paratë, pasuritë…Po gjithsesi nuk mund të jesh kurrë i sigurt, se edhe t’i vjedhin, apo jo? Nuk je i sigurt as me investimet! Ndoshta-ndoshta shembet bursa e ti mbetesh pa gjë! E pastaj, më thuaj, të bën të lum një euro më shumë? Pasuritë, thesar i rrezikshëm, i rrezikshëm… Po pasuritë janë edhe të mira, mund të përdoren për të bërë shumë sende me vlerë, për të mbajtur familjen: kjo është e vërtetë! Por nëse ti i grumbullon si thesar, të rrëmbejnë shpirtin! Jezusi, në Ungjill, kthehet gjithnjë tek ky argument, tek pasuritë, tek rreziku që krijojnë, kur njeriu i var të gjitha shpresat tek paraja”.
Thesar tjetër, vijoi Papa, është mburrja: thesari për të pasur rëndësi, për t’u dukur para të tjerëve, mbi të tjerët. Jezusi, vërejti Françesku, e dënon ashpër kreninë, kotësinë, prirjen për t’u dukur. Të mendojmë për një çast atë që u thotë doktorëve të Ligjit, kur agjërojnë, kur japin lëmoshë, kur luten, vetëm e vetëm për t’u dukur. Për shihni botë! Mburrja është krejt pa vlerë, nuk duhet gjë, mbaron shumë shpejt. Këtë nënvizoi Papa, duke cituar, më pas, Shën Bernardin, që pohon: “Bukurinë tënde do ta brejnë krimbat!”.
Thesari i tretë, nënvizoi, është krenia, pushteti. Këtë kujtonte sot edhe Leximi i Parë i Liturgjisë, në të cilin flitej për rrëzimin nga froni të mbretëreshës Atalia. Pushteti i saj i plotë, komentoi Papa, zgjati shtatë vjet e pastaj mbretëresha e madhe i mbylli ditët e jetës e vrarë. Mbaroi me gjithë kreni, me gjithë pushtet, theksoi Papa, e shtoi: “Sa njerëz të mëdhenj, burra e gra, të mbushur me vetveten, gjithë kreni e kotësi, përfunduan në harresë, në mjerim a në pranga". Prej këndej, porositi për të mos u dhënë pas grumbullimit të parave, pas krenisë, pas pushtetit. Këto thesare, vërejti, nuk duhen gjë. I bien ndesh Fjalës së Zotit, që na kërkon të grumbullojmë “thesare në qiell”:
“Këtu është mesazhi i Jezusit: ‘Nëse thesari yt është në pasuri, në kreni, në pushtet, zemra jote do të lidhet me zinxhirë pas tyre. Zemra jote do të jetë robinë e pasurive, e mburrjes, e krenisë’. E Jezusi na do njerëz me zemër të lirë! Ky është mesazhi i sotëm. ‘Ju lutem ta keni zemrën të lirë’, na thotë Jezusi. Na flet për lirinë e zemrës. Sepse vetëm duke e pasur zemrën të lirë, mund të kesh edhe thesaret e qiellit: dashurinë, durimin, shërbimin ndaj të tjerëve, adhurimin e Zotit. Këto janë pasuritë e vërteta, që nuk mund të na i rrëmbejë askush. Të tjerat janë barrë e rëndë për zemrën: e mbërthejnë me zinxhirë, nuk e lënë të lirë”.
Zemra skllave nuk shndrit; mbi të dyndet vazhdimisht errësira. Prandaj, po të grumbullojmë pasuri mbi tokë, s’bëjmë tjetër, veçse të grumbullojmë errësirë, që nuk na gëzon, por na mbush me ankth. Vetëm zemra e lirë shndrit veten e të tjerët e i bën ta shikojnë mirë udhën, që të çon tek Zoti:
“Zemra e shndritshme, që nuk është në pranga, zemra që shkon përpara, edhe për t’u plakur plaket mirë, si vera e vjetër: kur vera e mirë vjetërohet, është verë e mirë e vjetëruar. Ndërsa zemra, që nuk shndrit, është si vera e keqe; kalon koha e thartohet e bëhet uthull. Uthull e keqe! Zoti na e dhëntë urtinë të kuptojmë ku e kemi zemrën, me cilin thesar është e lidhur, që ta çlirojmë, ta bëjmë të shndritshme e të na japë lumninë e bukur të bijve të Zotit: këtë liri të vërtetë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.