2014-06-20 17:53:12

Obama: jo trupave në Irak. Xhidadistët, pranë Bagdadit


“Nuk do të dërgojmë mijëra ushtarë në Irak; në rast nevoje, do të ndërhyjmë me aksione të mirëpërcaktuara e të sakta”. Kështu shprehet presidenti amerikan, Barak Obama, lidhur me përparimin e xhihadistëve drejt Bagdadit dhe kërkesës pasuese për ndihmë nga kryeministri Al Maliki. Ekstremistët sunnitë janë rreth 60 kilometra larg kryeqytetit e tashmë kanë shtënë në dorë disa qytete të tjera.“Nuk kemi mundësi ta zgjidhim situatën duke dërguar me mijëra trupa: nuk ka rrugëzgjidhje ushtarake për Irakun”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i përgjigjet kështu kërkesës për ndihmë të kryeministrit irakian, Nuri al Maliki, që po has shumë vështirësi në përpjekjen për të përballuar përparimin e Isil (Luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut e të Lindjes) drejt Bagdadit. Do të ndërhyjmë me veprime të mirëpërcaktuara, saktëson Obama, duke shpjeguar se pas më se 275 marinsve, të dërguar tashmë për të përforcuar sigurimin e ambasadës amerikane në kryeqytet, SHBA-të përgatiten të dërgojnë në terren edhe 300 ushtarë të tjerë në rolin e këshilltarëve, pra jo të lufëtarëve. “Duhen partnerë të përgatitur, për t’i ndaluar grupet terroriste, shton kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke e nxitur kryeministrin shiit t’i kapërcejë divergjencat e bazuara mbi ndryshimet ndërfetare, për të përcaktuar planin politik lidhur me ardhmërinë e Irakut”. Ndërkaq, në terren, ndeshjet nuk pushojnë, pas marrjes së disa qyteteve, ndër të cilat, Mosuli, Tikriti dhe zona e Talafarit. U pushtua edhe kompleksi i rafinerive të Bajiji-t, më i madhi në të gjithë vendin si dhe Samarra, që një herë e një kohë ishte impianti kryesor për prodhimin e armëve kimike të Sadam Hysenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.