2014-06-20 12:34:27

Cassano allo Ionio pret Papën Françesku: vjen të na ndihmojë


Nesër, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Cassano allo Ionio të Italisë. Qyteti kalabrez është veshur për festë. Rrugët e sheshet janë plot me flamuj e manifeste, që i urojnë mirëseardhjen Atit të Shenjtë. Në mikrofonin tonë, vikari i përgjithshëm i dioqezës, imzot Francesco Di Chiara, flet për përgatitjen e besimtarëve, në pritje të Papës:RealAudioMP3
Vetë fakti që vjen Ati i Shenjtë është një leksion për politikën, e cila i konsideron këto toka, periferi. Për shembull, ne kemi një hekurudhë, e cila, në vitet e kaluara, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për komunikimin në të gjithë zonën e Detit Jon, por tani po prishet dalëngadalë e po varfërohet… Mendoj se Papa jep një leksion për politikën, për shoqërinë, që të mos ketë më “hedhurina”, ashtu siç e interpeton ai këtë “kulturë hedhurinash”, apo mënjanimi të të gjithë atyre, që konsiderohen të panevojshëm. Kjo vlen për ne, por edhe për të gjitha kombet e botës. Presim që Ati i Shenjtë ta turbullojë ujin, sepse kur është tepër i qetë, ka diçka që s’shkon.
Ipeshkvi i vendit, imzot Galantino i mori përsipër vetë shpenzimet e këtij shtegtimi papnor, prandaj ato do të paguhen nga dioqeza e jo nga “sponsor” të jashtëm, apo jo?
Kur imzot Galantino na e propozoi, ne meshtarët ishim shumë të kënaqur. Sigurisht, njerëzit tanë nuk janë të pasur, kanë shumë probleme ekonomike, por ne pritëm “dy kacidhet e vejushës” së Ungjillit. Në të gjitha famullitë, populli ka dhënë kontributin e vet në meshën e së dielës… e vërtet, vërejtëm një bujari të pamatë. Nuk deshëm mbështetje nga të tjerët e nga politika për të treguar se jemi të lirë, si Kishë. E kjo e ndihmon popullin të piqet, sepse një nga plagët e këtushme është se njerëzit janë mësuar të presin që gjithçka të arrijë nga të tjerët. E tani… t’i përveshim pak mëngët. Problemet nuk mungojnë e sigurisht, më i madhi është papunësia e të rinjve: impenjimi e iniciativa private është gati zero. E duhet llogaritur edhe mafia. Por Kalabria është tokë, ku ka shumë njerëz të ndershëm, që punojnë e derdhin djersë.








All the contents on this site are copyrighted ©.