Korpi e Gjaku i Krishtit: ftesë për ta predikuar Krishtin nga çatitë!
“Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim
t’i bindeshim ftesës së Jezusit “për ta predikuar nga pullazet atë, që Ai na e ka
thënë në vesh”(cfr. Mt.10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në
intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj
sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës. Sofër aktuale, e përhershme, që e
nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund
ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët
e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet
e të përtrihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe
e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që
duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI,
“Të vulosë me forcën e vet të pashterrshme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”
(Mësime, V[1967], fq. 779). Realitet misterioz, që s’e kap dot mendimi! E
pikërisht sepse kemi të bëjmë me një realitet misterioz, i cili i kapërcen kufijtë
e mendimit tonë, nuk duhet të çuditemi që sot shumkush nuk e ka të lehtë të pranojë
se Krishti është vërtetë i pranishëm në Eukaristi. Kështu ka qenë që nga dita
kur, në sinagogën e Kafarnaos, Krishti deklaroi haptazi se kishte ardhur për të na
ushqyer me Korpin e Gjakun e vet. Fjalë tepër të forta këto, përballë të cilave shumë
u tërhoqën e e lanë. Si atëherë, edhe sot Eukaristia mbetet shenjë kundërshtie, e
nuk mund të mos jetë kështu, sepse një Hyj që flijon vetveten për jetën e botës, e
vë në krizë gjithë dijen njerëzore. Por Kisha, me besimin e përvujtë të Pjetrit e
të Apostujve të tjerë shpall edhe sot: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e
jetës së pasosur” (Gjn. 6,68). Eukaristia është shujta, që u jepet atyre
të cilët, përmes Pagëzimit, janë çliruar nga skllavëria e janë bërë bij. Eukaristia
është ushqim i domosdoshëm, që i mban gjallë të gjitha breznitë e krishtera në shtegtimin
e gjatë të daljes nga shkretëtira e kësaj bote, të tharë nga sisteme ideologjike dhe
ekonomike, që nuk e mbrojnë jetën, por përkundrazi e poshtërojnë; e kësaj bote, në
të cilën sundon logjika e pushtetit dhe e pasjes, në vend të logjikës së shërbimit
e të dashurisë. Zoti dëshiron që të gjithë të ushqehen me Eukaristinë. Prandaj
sot, procesioni dhe adhurimi i përgjithshëm i Eukaristisë, u kujton të gjithëve se
Krishti u flijua për mbarë njerëzimin. Kalimi i Tij ndërmjet shtëpive e nëpër rrugët
e qyteteve tona, i fton banorët e tyre të bëhen pjesëtarë të gëzimit, të jetës së
pasosur, të paqes e të dashurisë, që buron nga Krishti. E mrekullia e Eukaristisë
përmban qartë edhe ftesën drejtuar të gjithë njerëzve për të dhënë kontributin e tyre,
për të ecur në rrugët e shenjtërisë e për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, sepse
të gjithë jemi të thirrur të bëhemi, së bashku me Jezusin, bukë e thyer për jetën
e botës. Na kujton Shën Gjoni Apostull, në Librin e Zbulesës, fjalët e Zotit:“Ja,
unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë
do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”.