2014-06-19 16:08:56

Gjon Pali II për familjen (III)


Në rubrikën "Çelësi i fjalëve të Kishës", të cilën gjatë këtyre muajve ia kemi kushtuar përgatitjes për sinodin e ardhshëm kushtuar familjes, vijojmë leximin e Letrës së Gjon Palit II drejtuar familjeve. Sot, përsiatja e Papës Wojtyla për bashkësinë njerëzore fillestare, themeluar mbi ndryshimin gjinor, në shëmbëllim me Hyjin.


“Mashkull e femër i krijoi”
Kozmosi, i pafundmë dhe kaq i larmishëm, bota e të gjitha qenieve të gjalla, është e brendashkruar në atësinë e Hyjit, prej nga buron (khs Ef 3,14-16). Është brendashkruar aty, natyrisht, sipas kriterit të analogjisë, me anë të të cilit mund të dallojmë, që në fillim të Zanafillës, realitetin e atësisë dhe të amësisë, domethënë të familjes njerëzore. Çelësi interpretues gjendet në fillim të “shëmbëllimit” dhe të “ngjashmërisë” me Hyjin, që teksti biblik e thekson me forcë (Zan 1,26). Hyji krijon me forcën e fjalës së vet: “Le të bëhet!”. Është domethënëse që kjo fjalë e Hyjit, në rastin e krijimit të njeriut, plotësohet me këto fjali: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë, në përngjasimin tonë” (Zan 1,26). Para se të krijonte njeriun, Krijuesi hyn, si të themi, në veten e vet, për ta kërkuar modelin dhe frymëzimin brenda misterit dhe qenies së vet, që qysh në fillim paraqitet si “ne”-ja hyjnore. Nga ky mister buron, sipas mënyrës së krijimit, qenia njerëzore: “Hyji e krijoji njeriun në shëmbëllimin e vet; në shëmbëllimin e Hyjit e krijoi; mashkull e femër i krijoi” (Zan 1,27). Qenieve të reja Hyji u tha, duke i bekuar: “Shtohuni e shumohuni, mbusheni tokën; nënshtrojeni” (Zan 1,28).
Libri i Zanafillës përdor shprehje që ishin përdorur në kontekstin e krijimit të qenieve të tjera të gjalla; “shumohuni”, por kuptimi i tyre analogjik është i qartë. A nuk është kjo analogjia e forcës lindëse, e atësisë dhe e hyjnisë, që duhet lexuar në dritën e tërë kontekstit? Asnjë prej qenieve të gjalla, përveç njeriut, nuk është krijuar “në shëmbëllim dhe përngjasim me Hyjin”. Atësia dhe amësia hyjnore, edhe pse janë biologjikisht të ngjashme në natyrë me ato të qenieve të tjera, kanë në vetvete, në mënyrë thelbësore dhe të pashoqe, ngjashmërinë me Hyjin, në të cilin themelohet familja, e kuptuar si bashkësi e personave të bashkuar në dashuri.
Në dritën e Besëlidhjes së Re është e mundur të dallojmë, se modeli fillestar i familjes gjendet në Hyjin, në misterin trinitar të jetës së tij. "Ne"-ja hyjnore përbën modelin trinitar të "ne"-së njerëzore; të asaj "ne"-je, para së gjithash, që formojnë burri dhe gruaja, krijuar në shëmbëllimin dhe përngjasimin hyjnor. Fjalët e librit të Zanafillës përmbajnë atë të vërtetë rreth njeriut, me të cilën përkon vetë përvoja e njerëzimit. Njeriu u krijua që "nga fillimi" si mashkull e femër: jeta e bashkësisë njerëzore - e bashkësive të vogla dhe të tërë shoqërisë - mban vulën e këtij dualiteti fillestar. Prej këtu burojnë "mashkulloria" dhe "femëroria" e individëve të veçantë, sikurse prej këtu çdo bashkësi merr pasurinë e vet karakteristike, në plotësimin e ndërsjellë të vetjeve.
Me këtë ka të bëjë fjalia e librit të Zanafillës: "Mashkull e femër i krijoi" (Zan 1,27). Ky është edhe pohimi i parë për dinjitetin e barabartë të burrit e të gruas: që të dy janë vetje, në të njëjtën mënyrë.
Ky themelim, me dinjitetin e veçantë që buron prej tij, përcakton që "nga fillimi" karakteristikat e të mirës së përbashkët të njerëzimit në çdo përmasë dhe rrafsh të jetës. Burri e gruaja, për këtë të mirë të përbashkët, japin ndihmesën e vet, falë së cilës gjendet karakteri i bashkësisë dhe plotësimit të ndërsjellë, që është në themel të bashkëjetesës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.