2014-06-19 19:58:12

Corpus Domini. Papa: na e shuan urinë vetëm ushqimi, që na e jep Zoti


Sot pasdite, në orën 18.40, Papa Françesku u nis nga Shtëpia e Shën Martës, për të kryesuar, në orën 19.00, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, funksionin solemn liturgjik, në Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit, në bashkëkremtim me kardinaj, ipeshkvij, priftërinj e rregulltarë. Pastaj u nis, me makinë të mbuluar, drejt Bazilikës së Zojës së Madhe, ku priti mbërritjen e procesionit tradicional, të cilit i priu kardinali mëkëmbës, Agostino Valini, ndërsa Ati i Shenjtë dha bekimin përfundimtar.

Nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm të Corpus Domini, që në Itali e vende të tjera të botës së krishterë, përfshirë Shqipërinë, do të kremtohet të dielën e ardhshme (duke u krijuar të gjithë besimtarëve mundësitë për të ndjekur meshët e procesionet tradicionale) Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë.
Takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë, festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore, me qëllim që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e Korpit e të Gjakut të vet.
Kremtimi eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë e edhe më thellë, në historinë e ravgimit të popullit të Izraelit, drejt tokës së premtuar.

Këtë histori kujtoi Françesku, në fillim të homelisë, duke u ndaluar tek fjalët e Librit të Ligjit të përtërirë, dalja e izraelitëve nga Egjipti, shpëtimi nga skllavëria, shtegtimi në shkretëtirë, manna e rënë nga qielli, Zoti, që i prin popullit të vet drejt tokës së premtuar:
“Por sapo u vendos në këtë tokë, populli arriti një farë autonomie, një farë mirëqeniejeje e nisi t’i harrojë ngjarjet e së kaluarës, të kapërcyera falë ndërhyrjes së Hyjit e mirësisë së Tij të pambaruar. Atëherë Shkrimi Shenjt na nxit ta kujtojmë gjithë shtegtimin në shkretëtirë në kohën e zisë së bukës e të humbjes së shpresave. Ftesa është ajo e rikthimit tek themelorja, vartësia e plotë nga Hyji, për të kuptuar se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me gjithçka del nga goja e Zotit”.
Veç urisë fizike, njeriu ka edhe një uri tjetër, që nuk mund të shuhet me shujtë të zakonshme:
“Është uria për jetë, për dashuri, për amshim. Simboli i mannës e përmbante edhe këtë përmasë: ishte figurë e një shujte, që e shuan urinë e pashuar të njeriut. Jezusi na e dhuron këtë shujtë, madje është Ai vetë bukë e gjallë, që i jep jetë botës (Cfr Gjn 6,51). Korpi i Tij është ushqim i vërtetë nën trajtën e bukës; Gjaku i Tij, pije e vërtetë, nën trajtën e verës. Nuk është thjesht ushqim për të ngopur trupat tanë, si manna: Korpi i Krishtit është ushqim i kohëve të fundme, i aftë të japë jetë, e jetë të pasosur, sepse lënda e kësaj buke është Dashuria”.
Në Eukaristi na përcillet dashuria e Zotit për ne, një dashuri aq e madhe, sa të na ushqejë me Vetveten; dashuri pa shpërblim, gjithnjë në pritje të njeriut të uritur, që ka nevojë t’i përtërijë forcat:
“Të jetosh përvojën e fesë, do të thotë ta lësh Zotin të të ushqejë e të mos e ndërtosh jetën tënde mbi pasuritë materiale, por mbi realitetin e pasosur: mbi dhuratat e Hyjit, mbi Fjalën e Tij, mbi Korpin dhe Gjakun e Zotit.
Rreth nesh, kujtoi Papa, ofrohen lloj-lloj ushqimesh, që nuk vijnë nga Zoti e që në dukje, të kënaqin më shumë. Disa ushqehen me para, të tjerë, me sukses, me kotësi, pushtet, krenari. Por ushqimi i vërtetë është vetëm ai, që na e jep Zoti”. Atëhere kërkojmë gjellë të tjera, si hebrenjtë e dalë nga Egjipti, ravgues në shkretëtirë, që ëndërrojnë mishin me qepë, duke harruar se këtë gjellë e hanin në sofrën e skllavërisë:
“Secili nga ne sot mund të pyesë veten: po unë? Ku dua të ha? Në cilën sofër dua të shtrohem? Në sofrën e Zotit? Apo ëndërroj të ha gjellë të shijshme, por në robëri? Kujtoj Zotin, që më shpëtoi, apo hudhrat e qepët, që i hëngra në skllavëri? Me cilën kujtesë e shuaj urinë e shpirtit tim?”.
Ta freskojmë kujtesën, i porositi Papa besimtarët, e të mësohemi për ta dalluar bukën e rreme, që na mashtron, na korrupton, sepse fryt i egoizmit, i vetvlerësimit e i mëkatit.
Pas pak, u kujtoi Papa besimtarëve, do ta ndjekim Jezusin e pranishëm realisht në Eukaristi. Hostia është manna jonë, përmes së cilës Jezusi na dhuron vetveten. Atij t’i drejtohemi me besim:
“Jezus, na mbro nga tundimet e ushqimit të kësaj bote, që na bën skllevër; pastroje kujtesën tonë, që të mos mbetet e mbyllur në burgun e vetvetes e të botës, por të jetë kujtesë e gjallë e pranisë sate gjatë historisë së popullit tënd, kujtesë, që bëhet “Përkujtesë” e gjestit Tënd të dashurisë shpërblyese”.

Pas Meshës, besimtarët ndoqën procesionin eukaristik, që u nis nga bazilika e Shën Gjonit në Lateran e u përshkua nëpër rrugën Merulana, për të arritur në këmbë tek një bazilikë tjetër madhështore, ajo e Shën Marisë së Madhe. Vargani i të devoçmëve përbëhej nga besimtarë të ardhur nga të katër anët e botës katolike. Ndërmjet tyre: skautë, anëtarë të Shoqërive të përshpirtshme, fëmijë të cilët sapo kanë marrë Kungimin e parë, Kalorës të Varrit të Shenjtë e sa e sa të tjerë, natyrisht pa kujtuar këtu njerëz të Kishës të të gjitha rangjeve e gradave: që nga rregulltarët e rregulltaret, tek famullitarët, nga priftërinjtë tek kardinajtë e Kuries Romake.
Besimtarët u nisën, duke u lutur e duke kënduar himne, drejt bazilikës së Shën Marisë së Madhe, për të shprehur simbolikisht se të gjithë jemi shtegtarë drejt Atdheut qiellor. Nuk jemi vetëm në këtë shtegtim: me ne është Jezusi, buka e jetës: buka e engjëjve, buka e shtegtarëve. Krishti na ushqen shpresat e na ndihmon në këtë shtegtim drej qiellit, drejt Kishës qiellore.









All the contents on this site are copyrighted ©.