2014-06-18 16:28:00

Për herë të parë, Çmimi Racinger i jepet një gruaje


Dy studiuesve të shquar, Anne-Marie Pelletier dhe imzot Waldemar Chrostowski, do t’u jepet, më 22 nëntor, Çmimi Racinger 2014 i Fondacionit vatikanas “Jozef Racinger – Benedikti XVI”. Për herë të parë, që nga viti 2010 kur u themelua, ky çmim do t’i jepet një gruaje, studiuese franceze e hermeneutikës dhe ekzegjezës biblike, e cila është edhe eksperte e çështjes së rolit të gruas në krishterim e në Kishë. Gjithashtu, ajo ka treguar interes edhe për marrëdhëniet ndërmjet judaizmit e krishterimit, si edhe për botën murgare. E paraqiti, në një konferencë në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, kryetari i Komitetit shkencor të Fondacionit, kardinali Camillo Ruini:RealAudioMP3
“Profesoresha Pelletier është personalitet me rëndësi të madhe për katolicizmin francez të kohës sonë. Bashkon në vetvete, prestigjin shkencor të merituar me gjallërinë kulturore dhe përkushtimin e vërtetë ndaj çështjeve me shumë peshë për dëshminë e krishterë në shoqëri”.
Studiuesi tjetër, imzot Waldemar Chrostowski, është i pari polak, që merr çmimin Racinger. Teolog i shquar, njohës i hebraishtes biblike e asaj bashkohore, ka marrë pjesë si eskpert në Sinodin mbi Fjalën e Zotit, në vitin 2008. Fusha e tij e punës është Besëlidhja e Vjetër, shpjegoi kardinali Ruini, në veçanti, profetët, por edhe letërsia judaike, judaizmi rabinik dhe marrëdhëniet e tij me krishterimin.
Fondacioni vatikanas “Jozef Racinger – Benedikti XVI”, në datat 23 e 24 tetor, u tha së fundi në konferencë, do të mbajë një kuvend në Universitetin Papnor Bolivarian në Medellìn të Kolumbisë, me temë: “Respekti për jetën, udhë për paqen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.