2014-06-18 16:28:13

Programi i shtegtimit të Papës në Kore


Papa do të niset për Seul më 13 gusht, për një vizitë prej pesë ditësh. Ngjarja kulmore do të jetë Mesha në Daejon, ditën e Solemnitetit të Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, me të rinjtë e mbarë Azisë, në takimin e tyre rinor.

Të rinjtë, martirët, paqja: tri fjalë, që përmbledhin shtegtimin tejet impenjativ të Papës në Korenë e Jugut. “Duhet shkuar në Azi”, pati thënë korrikun e kaluar, në avionin, që e sillte nga Rio-de-Zhanéjro, në Romë, pas Ditës Botërore të Rinisë. Pikërisht atje Kisha mund të japë ndihmesën e saj, duke propozuar zbulimin dhe ofertën e Vetjes e të mesazhit të Jezu Krishtit.
“Kore, ngreju, vishu përsëri me dritë, lumnia e Zotit shndrit mbi ty!”, kjo, motoja e shtegtimit, kalendari i të cilit është tejet i ngarkuar me takime; nga takimi me autoritetet e ipeshkvijtë koreanë, tek Mesha në Daejon, në Solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell e tek rrokja me të rinjtë, pikë kulmore e gjithë shtegtimit. E kjo, sepse ky është edhe shkaku kryesor i vizitës: pjesëmarja në Ditën VI të Rinisë aziatike. Veç kësaj, një ngjarje tjetër kulmore: lumnimi i 124 martirëve koreanë.
Veprimtari të tjera për t’u kujtuar: takimi me liderët fetarë e, para nisjes, Mesha për paqe e pajtim, që Papa do ta kryesojë në katedralen e Myeong-dong, në Seul.
Nuk është thjesht vizitë në Kore, kjo e Papës, por në mbarë Kontinentin aziatik, nënvizojnë ipeshkvijtë koreanë, e prandaj, bëhet gjithnjë më entuziaste atmosfera e pritjes së dëshmisë së Papës, dëshmi paqeje e shprese.
Këtë e konfirmon edhe Françesk Mangano, një nga të rinjtë misionarë të udhës neokatekumenale, që jeton në Kore e po përgatitet për ngjarjen e Daejonit:
“Mbarë Koreja, e jo vetëm katolikët, po e përsëris, mbarë shoqëria koreane, shpreson në këtë vizitë. Botimet paoline deklaruan se kanë shitur shumë vëllime të Evangelii Gaudium, sepse njerëzit janë kureshtarë e duan të dinë ç’thotë Papa. Papa Françesku po i jep një nxitje tejet të fortë Kishës, me sjelljen e tij familjare e të drejtpërdrejtë të komunikimit. Po i tregon, kështu mbarë njerëzimit, një drejtim të ri, në të cilin autoriteti, sidomos, nuk shikohet si pushtet, por si shërbim. E kjo, mendoj unë, do të jetë dhuratë për shoqërinë koreane. Edhe mënyra si sillet Papa, dëshmon dashurinë e tij për njerëzit, brenda e jashtë Kishës”.











All the contents on this site are copyrighted ©.