2014-06-18 14:43:09

Libri me homelitë e Papës, protagonist në selinë e “Qytetërimit Katolik”


Fjalë, që duan të hapin dyert, të krijojnë marrëdhënie me të pranishmit, të jenë këshilla për jetën e përditshme. Këto janë fjalët e Papës Françesku në publik, temë e tryezës së rrumbullakët, që u mbajt në selinë e revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”. Në atë rast u paraqit edhe libri “E vërteta është një takim. Homelitë e Shën Martës”, ku përfshihen 186 predikimet e Papës në meshën e mëngjesit, ashtu siç janë treguar nga Radio Vatikani. Të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i pranishëm në takim:
“Homelitë e Shën Martës janë disi zanafilla e komunikimit të Papës, pasi janë çast takimi i përditshëm me Krishtin i një bariu, që nuk e takon Jezusin vetëm, por së bashku me Popullin e Zotit. E argumentet e reflektimit të Papës në këto homeli shërbejnë edhe si ndihmë për interpretimin e dëgjimin e Fjalës së Zotit nga të gjithë besimtarët e pranishëm, duke u kthyer në zanafillën e impenjimit të tyre në jetën e përditshme të krishterë”.
Në këto homeli, theksoi drejtori i revistës “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro, Papa i referohet gjithnjë përshpirtërisë së shën Injacit të Lojolës, themelues i Shoqërisë së Jezusit:
“Fjalët e homelive të Shën Martës janë shumë afër me ato të Ushtrimeve shpirtërore. Këto fjalë nuk janë objektive, nuk komunikojnë një mesazh të ftohtë, anonim, përkundrazi, krijojnë marrëdhënie, synojnë krijimin e dialogut ndërmjet atij, që kryen ushtrimet, e atit shpirtëror, ose ndërmjet atij e Zotit. Kështu edhe fjalët e homelive synojnë lidhjen e marrëdhënieve me Zotin”.
Fjalët e Papës Françesku u drejtohen të pranishmëve në meshë, prandaj kanë gjithnjë parasysh njeriun real, që i dëgjon vërtet. Prej këtej buron një forcë e jashtëzakonshme, nënvizoi shkrimtari e kritiku italian, Vittorio Sermonti:
“…është fakti, që nuk transkriptohen tërësisht këto ndërhyrje të Papës. Vërtet, fjala e thënë sy më sy humb diçka nga transkriptimi i plotë, sepse i mungon pjesa tjetër, ajo e dëgjimit. Janë fytyrat të cilave u drejtohet ajo fjalë, që e orientojnë atë”.
E pikërisht kjo përzgjedhje e fjalëve të Papës, i cili me zërin e tij u jep frymëmarrje universale, vlen për të gjithë njerëzit, jo vetëm për të pranishmit, siç theksoi presidenti i Senatit italian, Pietro Grasso:
“Pas komunikimit të tij, pas mënyrës së tij spontane, unë shoh madje një strategji politike të nivelit të lartë, që u përket të gjithë qytetarëve të botës. Besimtarë, laikë, njerëz të feve të tjera: nuk ka njeri që të mos preket, sepse temat e tij janë kaq universale, sa nuk mund të mos u takojnë të gjithë njerëzve. E pikërisht njeriun ka vënë në qendër, me dobësitë e forcën e tij, në marrëdhëniet e tij me Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.