2014-06-18 12:41:28

Françesku: thirrje për refugjatët: Jezusi ishte një prej tyre


Papa bëri thirrje në favor të refugjatëve, në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke kujtuar Ditën e tyre botërore, që do të kremtohet nesër.RealAudioMP3
“Numri i vëllezërve refugjatë, vërejti, vijon të rritet e, këto ditët e fundit, mijëra njerëz u detyruan të largohen nga vatrat e tyre, për të shpëtuar jetën. Miliona familje, miliona, të ikura nga vende të ndryshme, me besime fetare nga më të ndryshmet, i jetojnë historitë e tyre, dramat e tyre, me plagë të hapura, që vështirë se do të mund të shërohen.
Të bëhemi të afërmit e refugjatëve, porositi Papa, duke ndarë me ta frikën e pasigurinë për të ardhmen e duke ua lehtësuar konkretisht vuajtjet. Zoti i ndihmoftë njerëzit dhe institucionet, që punojnë bujarisht për t’u siguruar refugjatëve mikpritje e dinjitet e për t’u dhënë arsye, që të shpresojnë”.
Më pas, duke folur lirisht, Françesku shtoi: “Duhet menduar se edhe Jezusi ishte refugjat. Edhe Zotit iu desh të ikte, për të shpëtuar jetën, me Shën Jozefin e Zojën e Bekuar. Familjes Shenjte iu desh të strehohej në Egjipt. Krishti ishte refugjat. T’i lutemi Nënës së Tij, që i provoi dhimbjet e refugjatit, të jetë gjithnjë pranë këtyre vëllezërve e motrave. T’i lutemi së bashku Zojës së Bekuar për vëllezërit e motrat refugjate. O Mari, Nënë e refugjatëve, lutu për ne!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.