2014-06-17 14:08:13

Papa: ëndërroj një Kishë-nënë, që përkëdhel fëmijët e saj


“Një Kishë-nënë, e aftë të përqafojë e të mirëpresë”: kjo ishte një nga këshillat që u dha Papa Françesku meshtarëve e rregulltarëve të dioqezës së Romës, të cilëve u drejtoi fjalën e tij në hapje të Kuvendit Baritor me temë: “Një popull, që lind bijtë e vet. Bashkësia dhe familja në etapat e mëdha të fillesës së krishterë”.
Në stilin e tij të zakonshëm, shumë të përzemërt, Ati i Shenjtë foli me famullitarët, me katekistët dhe me besimtarët romakë me zemër të hapur, duke u sugjeruar rrugën, duke vënë në dukje aktualitetin baritor të Thirrjes Apostolike “Evangelii Nuntiandi” të Papës Pali VI e duke e bërë të vetën frikën e shumë njerëzve, të cilët, përmes takimeve ose letrave, i tregojnë për gjendjen e vështirë që përjetojnë, për atë peshë të rëndë, që e shtyp dhe e vë në diskutim bukurinë e jetës. Jetë “çnjerëzore”, komentoi Ati i Shenjtë, e atyre që i lënë fëmijët duke fjetur, në mëngjes kur shkojnë në punë, dhe i gjejnë po duke fjetur, kur kthehen nga puna në shtëpi. Ky është problem për fëmijët, të cilët e ndjejnë veten “jetimë”, nënvizoi Papa. Jetimë, pasi nuk kanë një rrugë të sigurtë për të përshkuar, një mësues të cilit t’ia besojnë vetveten, nuk kanë ideale që të ngrohin zemrën, shpresa që të bëjnë ta harrosh lodhjen e ditës:
“Kjo është shoqëria e jetimëve! Jetimë, pa kujtimin e familjes: sepse – për shembull – gjyshërit nuk jetojnë më me ta, por në shtëpinë e pleqve. Nuk e kanë më praninë e tyre, kujtesën e familjes. Jetimë, pa dashuri, ose me një dashuri kohëshkurtër: babai është i lodhur, nëna është e lodhur, shkojnë të flenë… E ata mbeten jetimë! Jetimë, pasi u mungon dhurata pa interes! Kemi nevojë për ndjenjën e dhurimit pa interes: në familje, në famulli, në gjithë shoqërinë. Por nëse nuk e kemi këtë ndjenjë në familje, në shkollë, në famulli, do të jetë shumë e vështirë të kuptojmë ç’është hiri i Tënzot, ai hir që nuk shitet, nuk blihet, por është dhuratë, është dhuratë e Zotit: është vetë Hyji”.
Ja ç’do të thotë fillesa e krishterë, shtoi Papa Françesku. T’i lëshosh bijtë në duart e fesë, do të thotë të shpallësh se nuk jemi jetimë:
“Sepse edhe shoqëria i mohon bijtë e vet! Për shembull, gati 40% të të rinjve italianë nuk u jep punë… Ç’do të thotë kjo? ‘Se ti nuk më intereson! Ti je hedhurinë! Më vjen keq, por kështu është jeta!’”.
Jetojmë në një shoqëri, që shkon pas rehatisë, pas gjërave që kthehen në idhuj, ndërsa kemi nevojë vetëm për vështrimin e Jezusit, vështrim i ri, që lind nga takimi me Të. Në këtë udhë, gjejmë identitetin e popullit, që di të lindë bijtë e vet:
“Sfida e madhe e Kishës sot, është të bëhet Nënë: Nënë! Jo ndonjë organizatë jo qeveritare e organizuar mirë, me shumë plane baritore… Nuk është ky thelbi. Kjo është ndihmë për çfarë? Për amësinë e Kishës: nëse Kisha nuk është Nënë, është keq ta themi, por kthehet në lëneshë! E kështu nuk sjell fryte!”
Identiteti i Kishës, vazhdoi Papa, është të ungjillëzojë, pra të lindë bij në Krishtin. Duke përmendur Benediktin XVI, Ati i Shenjtë kujtoi se Kisha nuk rritet për hir të prozelitizmit, por për hir të forcës tërheqëse të nënës. Është Kishë e moshuar pak, theksoi Papa, por mund të rinohet pikërisht sepse lind bij të rinj:
“Kisha bëhet më e re, kur është e aftë të lindë më shumë bij; bëhet më e re, kur është më tepër nënë. Kjo është Nëna jonë, Kisha. Kjo është dashuria jonë si bij të saj. Të bësh pjesë në Kishë do të thotë të jesh në shtëpi, me nënën; në shtëpinë e nënës. Kjo është madhështia e zbulesës së Tënzot”.
Në një botë, që ecën përpara me nxitim, nënvizoi Ati i Shenjtë, Kisha nuk duhet ta harrojë historinë e vet. Sot, udhët e saj quhen “mikpritje” dhe “dhembshuri”; një Kishë me dyer të hapura, që sheh me shpresë e durim të ardhmen:
“Më pëlqen të ëndërroj një Kishë, që jeton dhembshurinë e Jezusit. Dhembshuri do të thotë të vuash me tjetrin, të ndjesh ç’ndjejnë të tjerët, t’i shoqërosh ata me ndjenjë. Është Kisha Nënë, si nëna që i përkëdhel fëmijët me dhembshuri. Një Kishë, që ka zemër pa kufi, që ka vështrimin, ëmbëlsinë e syve të Jezusit, shpesh shumë më qartë se njëqind fjalë”.
Pastaj, Papa Françesku iu drejtua famullitarëve:
“I dua shumë meshtarët, sepse të jesh famullitar nuk është e lehtë! Është më e lehtë të jesh ipeshkëv, se sa famullitar… Sepse ne ipeshkvijtë e kemi gjithnjë mundësinë të distancohemi, apo të fshihemi pas shprehjes ‘Shkëlqesia Juaj’: kjo na mbron! Por të jesh famullitar, kur të trokasin në derë: ‘O atë kjo, o atë ajo…’ Nuk është e lehtë!”
Duam një Kishë të fesë, përfundoi Papa, e cila të besojë se Zoti është i aftë ta bëjë Nënë e t’i japë shumë bij. E si gjithnjë, kërkoi lutje për të e për magjisterin e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.