2014-06-17 16:15:38

Papa: pendesa, rrugëdalja e vetme nga korrupsioni


“I korruptuari e zemëron Hyjin dhe e shtyn popullin në mëkat”. Kështu pohoi Papa Françesku, i cili, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, u ndal edhe një herë tek martirizimi i Nabotit, siç tregohet në Librin e Parë të Mbretërve. Papa theksoi se për të korruptuarit ka vetëm një rrugëdalje: “të kërkojnë falje”, përndryshe do të ndeshen me mallkimin e Hyjit
Kur dikush “hyn” në “rrugën e korrupsionit”, “vret, zapton dhe shet veten”. Papa Françesku i kthehet përsëri temës së korrupsionit, duke e denoncuar me forcë. Merr shkas nga Leximi i Parë, që ka në qendër vrasjen e Nabotit, me vendim të Akabit, mbretit të korruptuar, i cili i ka zaptuar vreshtin”. Profeti Elia, vëren Papa, thotë se Akabi i korruptuar është shitur. Është “si të reshtte së qenuri njeri dhe si të behej mall”, “shet e blen”:
“Ky është përkufizimi: është mall! Pastaj, çfarë do të bëjë Zoti me të korruptuarit, cilido të jetë korrupsioni i tyre... Dje thamë se kishte tri lloje, tre grupe: politikani i korruptuar, afaristi i korruptuar dhe kishtari i korruptuar. Të tre u bënin keq të pafajshmëve, të varfërve, sepse festën e të korruptuarve e paguajnë të varfrit. Atyre u shkon llogaria. Zoti thotë qartë çfarë do të bëjë: “Unë do të lëshoj mbi ty kobin, që do të të zbijë. Do t’ia shuaj Akabit të gjithë meshkujt, skllevër ose të lirë, në Izrael”.
“I korruptuari – vijon Papa – e zemëron Hyjin dhe e shtyn popullin në mëkat!” Jezusi e ka thënë qartë: kush “jep shkandull, më mirë të hidhet në det”. I korruptuari e “shkandullon shoqërinë, e shkandullon popullin e Hyjit”. Pra, Zoti lajmëron ndëshimin e të korruptuarve “sepse shkandullojnë, sepse shfrytëzojnë ata që nuk mund të mbrohen, skllavërojnë”: “Do të të hanë zogjtë e qiellit”. I korruptuari, shtoi Françesku, “shitet për të bërë të keqen, por ai nuk e di: ai mendon se shitet për të fituar më shumë para, më shumë pushtet”. Por, në të vërtetë, “shitet për të bërë keq, për të vrarë”. Prandaj, Papa bëri këtë vërejtje: “Kur themi: ‘ky njeri është i korruptuar; kjo grua është e korruptuar... Prit pak’: ‘Ti, a ke prova?” Sepse, vëren Ati i Shenjtë, “t’i thuash një njeriu se është i korruptuar apo e korruptuar, është si të thuash se “është i dënuar, si të thuash se e ka dëbuar Zoti”:
“Të korruptuarit janë tradhëtare. Madje edhe më keq. Gjëja e parë në përkufizimin e të korruptuarit është se vjedh, se vret. Gjëja e dytë: çfarë u takon të korruptuarve? Mallkimi i Hyjit, sepse kanë shfrytëzuar të pafajshmit, ata që nuk mund të mbrohen, dhe këtë e kanë bërë me dorashka të bardha në duar, nga larg, pa i ndyrë duart. Gjëja e tretë: por, a ka një rrugëdalje, një derë nga të dalin të korruptuarit? Po! ‘Kur i dëgjoi këto fjalë, Akabi i shqeu petkat, vuri një thes në kokë dhe agjëroi. Shtrihej për të fjetur me thes dhe ecte kokëulur. Filloi të bënte pendesë”.
Kjo, vuri në dukje Papa, “është dera nga mund të dalin të korruptuarit, politikanët e korruptuar, afaristët e korruptuar dhe kishtarët e korruptuar: të kërkojnë falje!” Dhe, shtoi, “Zotit i pëlqen kjo”. Zoti “fal, por fal kur të korruptuarit” bëjnë “çfarë bëri Zakeu: ‘Kam vjedhur, Zoti! Do të jap katërfishin e asaj që kam vjedhur!’”:
“Kur lexojmë nëpër gazeta se ky është i korruptuar, ai është i korruptuar, se ka bërë atë veprim të korruptuar, se jepet mitë këndej e andej, si edhe shumë gjëra nga ana e disa prelatëve, si të krishterë e kemi për detyrë të kërkojmë falje për ta, që Yoti t’u japë hirin e të pendohen, që të mos vdesin me zemër të korruptuar...”
“Të korruptuarit, po duhen dënuar”, përfundoi Papa, “po, duhet ta kërkojmë hirin që të mos korruptohemi”, por “edhe duhet të lutemi për kthimin e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.