2014-06-17 15:03:33

Papa, Këshillit të Lartë të Magjistraturës: të jeni shembull moraliteti


Cilësia më e veçantë e gjykatësit është maturia, që nuk do të thotë të rrish pa vepruar, por t’i peshosh mirë arsyet, të cilat janë në bazë të gjykimit. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Këshillit të Lartë të Magjistraturës italiane, të cilët i priti sot në Sallën Klementine.
“Nuk është virtyt për të ndenjur vendnumëro. ‘Jam i matur: nuk veproj’, jo! Është virtyt për të qeverisur, virtyt për t’i çuar përpara gjërat, virtyt, që të nxit për të peshuar me qetësi arsyet ligjore dhe faktike, që duhet të jenë në bazën e gjykimit”.
Pra, në bazën e maturisë, që kërkoi Papa, qëndron aftësia për ta mbizotëruar karakterin, për të peshuar mirë këndvështrimet e bindjet personale dhe ideologjike. Në çdo vend, pohoi Ati i Shenjtë, normat juridike synojnë mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së gjykatësit:
“Kjo ju vendos në një pozicion me rëndësi të veçantë për t’iu përgjigjur si duhet detyrës, që iu beson shoqëria; për të qenë gjithnjë të paanshëm; për t’i shoshitur gjërat me objektivitet dhe maturi, duke u bazuar vetëm në normën e duhur juridike e sidomos; për t’iu përgjigjur zërit të ndërgjegjes së patëmetë, e cila ngrihet mbi vlera themelore”.
Papa Françesku nënvizoi se shoqëria pret shumë nga magjistratura, sidomos në këtë kohë, kur vlerat e demokracisë janë venitur disi:
“Impenjimi juaj të jetë i tillë, që të mos zhgënjejë aspiratat e ligjshme të njerëzve. Përpiquni të jeni gjithnjë e më shumë, shembull i integritetit moral për mbarë shoqërinë”.
Ati i Shenjtë përmendi dy modele, nga të cilat mund të frymëzohen gjykatësit. Vittorio Bachelet, i cili udhëhoqi Këshillin e Lartë të Magjistraturës dhe ra viktimë e dhunës gjatë të ashtuquajturave “vite të plumbit” në Itali, kur gjykatësve iu desh të luftonin kundër Brigadave të Kuqe. Shembulli tjetër është Rosario Livatino, vrarë nga mafia, për të cilin vijon Çështja e Lumnimit:
“Ata kanë dhënë një dëshmi shembullore, në stilin e besimtarit laik të krishterë: besnik ndaj institucioneve, i hapur për dialog, i vendosur e guximtar në mbrojtjen e drejtësisë e të dinjitetit të njeriut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.