2014-06-16 17:34:34

Papa me Bashkësinë e Shën Egjidit: lutja, të varfërit dhe paja në qendër të vëmendjes suaj


Trastevere, zemra e Romës dhe shtëpia e bashkësisë së Shën Egjidit, e priti me këngë dhe me mijëra flamuj shumëngjyrësh Atin e Shenjtë. Duke kaluar përmes mijëra duarve të shtrira, Françesku hyri në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere dhe bisedoi e u lut me nevojtarët, të cilëve u shërben bashkësia e Shën Egjidit: “Jepni ndihmën tuaj”, u tha Papa, “në mënyrë që të zhvillohet dhembshuria dhe miqësia”. Nuk mungoi as thirrja për t’iu kundërvënë kulturës së hedhurinave, në një Evropë, të cilën Papa e cilësoi “të lodhur”. Pastaj, para se të vizitonte selinë e bashkësisë, Papa u kujtoi të gjithëve rëndësinë e lutjes, - “armë që prek zemrën e Hyjit” – për paqen dhe për varfëritë e reja.
Një përqafim i gjatë, një bashkëbisedim vëllazëror e spontan me më të fundmit, i vë vulën vizitës së Papës me Bashkësinë e Shën Egjidit, që në hapat e parë, që bëri Françesku përkrah themeluesit, Andrea Riccardi, në sheshin e Bazilikës së Shën Marisë në Trastevere, ku mbërriti rreth orës 17 të ditës së djeshme. Në pak metra, mijëra njerëz në festë prisnin një shtrëngim duarsh dhe një bekim. Të pranishëm: të sëmurë, emigrantë dhe një grup refugjatësh nga Lampeduza, përveç njëmijë të tjerëve, të moshuar, të pastrehë dhe përfaqësues të feve të tjera, të gjithë të mbledhur në bazilikë.
Në fillim, Papa nderon në heshtje ikonën e Zojësë së Dhimbshme dhe pastaj fjalën e marrin protagonistët e aventurës së nisur më 1968, të cilën Riccardi e shpjegon si “ëndrra për të qenë kisha e të gjithëve”, e orientuar drejt perferive, familje ku “kush ndihmon bashkohet me atë që ndihmon”.
“Unë jam nga Siria, Shenjtëri...”
Kryeipeshkvi siro-ortodoks i Damaskut, Jean Kawak, tregon historinë e një populli “peng i së keqes”, i tronditur e i rrethuar, dhe bën thirrje “për të bërë më shumë për paqen”.
Pastaj një e moshuar dëshmon mundësinë për t’u shpaguar, në shoqërinë e mbeturinave; një vajzë e re falënderon Papën, që flet për periferitë, prej nga ajo vjen; një i papunë dhe një person me aftësi të kufizuara, disa të vetmuar, të braktisur para se të gjenin ndihmë tek Bashkësia e Shën Egjidit, një rom dhe një refugjat afgan, tregojnë si janë bërë ndërtues të paqes, pas vuajtjesh të gjata. Në fund, një dëshmi nga Kolumbia, ku Shën Egjidi ndihmon për t’i bërë ballë dhunës dhe korrupsionit të narkotrafikut.
Duke marrë fjalën, Papa flet për veçantitë e jetës së Bashkësisë, nisur nga lutja, zemra e jetës së Shën Egjidit dhe vepra e saj e parë:
Lutja e ruan njeriun pa emër të qytetit, nga tundimet që mund të na ngacmojnë edhe neve: protagonizmi, indiferenca, viktimizmi.
Kush dëgjon Fjalën e Hyjit dhe “shikon kah Zoti, shikon edhe të tjerët, që për ju janë veçanërisht skamnorët, tek të cilët gjendet Jezusi”, vijon Françesku, i cili nënvizon punën e bashkësisë përbri të moshuarve. Për të rinjtë Papa thotë se ata “çojnë përpara historinë”, megjithëse viktimë e kulturës së mbeturinave, e cila është “eutanazi tinëzare”:
Çfarë nuk shërben, hidhet tej. Kush nuk prodhon, hidhet tej. E sot, kriza është aq e madhe, sa hidhen tej edhe të rinjtë: kemi ndërmend 75 milionë të rinjtë, 25 vjeç e poshtë, që nuk janë as-as, as me punë, as me studime. Janë pa gjë. Kjo ndodh sot, në këtë Evropë të lodhur. Në këtë Evropë që është lodhur: nuk është plakur, jo. Është lodhur. Nuk di çfarë të bëjë.
“Duhet ta ndihmojmë të rinohet”, të gjejë edhe një herë rrënjët e veta të mohuara, shtoi Papa. Por edhe të varfrit janë “gur këndi për ndërtimin e shoqërisë”, pavarësisht se “ekonomia spekulative i lë pa gjërat thelbësore” dhe kush e jeton solidaritetin si ju, nuk e pranon dhe reagon:
E këtë fjalë – “solidaritet” – shumë vetë duan ta heqin nga fjalori, sepse një farë kulture e shikon si fjalë të keqe. Ah, jo, është fjalë e krishterë, solidariteti.
Në fund, Papa flet për punën e bashkësisë në dobi të paqes. “Vepër zejtarësh të durueshëm, që kërkojnë çfarë sjell bashkim dhe lënë mënjanë çfarë shkakton përçarje”. Pastaj Papa kërkon më shumë lutje e më shumë dialog, duke u mbështetur secili në identitetin e vet:
“Nuk mund të shtirem, thua se kam një tjetër identitet, për të dialoguar. Jo, nuk mund të dialogohet kështu. Unë kam këtë identitet, por dialogoj, sepse jam person, sepse jam burrë, jam grua dhe burri e gruaja e kanë mundësinë për të dialoguar, pa bërë pazare me identitetin e vet. Bota mbetet pa frymë, nëse s’ka dialog: për këtë arsye ju jepni ndihmesën tuaj për rritjen e miqësisë mes feve”.
E pastaj ftesa përfundimtare:
“Lutuni shumë. Kemi nevojë për lutje në botë: për paqen. Shumë njerëz nuk kanë çfarë është e domosdoshme për jetesë... Çdo muaj, çdo muaj shumë familje nuk mund të paguajnë qiranë dhe duhet të ikin. Po ku? Hyji e di... Lutuni për popujt që janë në luftë, për popujt që vuajnë për shkak të luftës: kërkoni paqen. Lutja është arma që kemi për të prekur zemrën e Hyjit. Nëse ne lutemi, ai do të na dëgjojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.